“Lulëzo, aty ku je mbjellë”

Jul 16 • Meditimi i ditës

16 korrik 2017 – E diela 15-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 55,10-11; Ps 65,10-14; Rom 8,18-23; Mt 13,1-23)

 

Prania e Hyjit

E pranishme për mua është ajo që ndikon në ekzistencën time.
E kundroj praninë e Hyjit, i cili është gjithmonë pranë meje me dashuri,
në mesin e shumë gjërave që po ashtu ndikojnë në mua.
Ndalem dhe lus që t`i lejoj
që të ndikoj në të jetuarit tim, në jetën time, në këtë moment.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar për të jetuar në liri.
Shpirti Shenjt më udhëheqtë që lirisht të të ndjek.
Mbille në zemrën time dëshirën që çdo ditë
gjithnjë e më shumë të të njoh dhe të të dua.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.
Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Mt 13, 1-23

 

1 Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. 2 Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hipi në barkë e u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg.
3 U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra.
Kështu u tha:
4 “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. 5 Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. 6 Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. 7 Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. 8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish.
9 Kush ka veshë, le të dëgjojë!”
10 Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:
“Pse po u flet me shëmbëlltyra?”
11 Ai u përgjigj:
“Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. 12 Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. 13 Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. 14 Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë:
Mirë do të dëgjoni ‑ por s’do të kuptoni,
mirë do të shikoni ‑ por nuk do të shihni.
15 Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja,
u bë i rëndë ndër veshë,
sytë i janë mbyllur,
që të mos shohë me sy,
të mos dëgjojë me veshë,
që të mos kuptojë shpirti i tyre
e të mos kthehen.
E unë i kisha shëruar!”
16 Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! 17 Përnjëmend po ju them; shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.”
18 “Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: 19 Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’. 20 E i mbjelli ‘në zallinë’, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, 21 porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete ‑ pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. 22 E i mbjelli ‘në ferra’, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt. 23 E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi barkën e bëri një predikatore duke shpallur fjalën e Hyjit nga ky vend i pazakontë. Fjala e Zotit është e shpërndarë në jetën time – nganjëherë lulëzon, nganjëherë duket se po venitet.
  • Mendoj për faktin se ku jam mjaft i/e fortë dhe e marr para sysh sesi mund të jap dëshmi për mirësinë e Zotit nga ai vend, ashtu si Jezusi zgjodhi vendin më të mirë nga i cili bëri të dëgjohej zëri i tij.

  

Bashkëbisedimi

I/e vetëdijshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,
e paramendoj Jezusin sesi qëndron apo është ulur afër meje,
dhe i flas gjithçka kam në mendje, për ato gjëra që më thotë zemra,
si shoku shokut.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »