Shën Matia – apostulli bashkëkohor i apostazive

Jul 17 • Këndvështrime

Nga Imzot Nikë Prela

 

Duke i pyetur nxënësit e katekizmit dhe disa bashkëbisedues tjerë, se cilin apostull e nderojnë më së tepërmi, përgjigjet e tyre, natyrisht, ishin të ndryshme, por në të shumtën e rasteve përcaktimi i tyre ishte për Pjetrin dhe Gjonin, e ndonjëherë edhe për Palin. Përcaktimi i tyre bëhet vetëm për apostujt e cekur shkaku i mosnjohjes për së afërmi i apostujve tjerë. Asnjëherë shën Matia nuk ka simpatizues të vet. Atë nuk e ka zgjedhur Jezusi por Kisha, apostujt, dhe ky ishte vendimi i parë i tyre, që të plotësohet numri 12, pas bjerrjes së Judës. „Duhet, pra, që njëri prej këtyre njerëzve, të cilët qenë me ne gjatë tërë kohës që Zotëria Jezus jetoi në mesin tonë – duke filluar prej pagëzimit të Gjonit e deri në atë ditë kur prej nesh u ngrit në qiell – të bëhet bashkë me ne dëshmitari i ngjalljes së tij“. Ka të ngjarë se Matia ishte njëri prej atyre të shtatëdhjetëve që Jezusi i kishte zgjedhur në dërgim për të predikuar nëpër vende të ndryshme (khs. Lk 10, 1); “Dhe i paraqitën dy: Josefin që quhet Barsabë me mbiemër Just dhe Matinë…“ (Vap 1, 21, 23). Atëherë u lutën dhe pas lutjes “qitën short e shorti i ra Matisë, e kështu u radhit në numrin e të Njëmbëdhjetë apostujve.“ (Vap 1, 26).

Edhe pse për shën Matinë, sikur edhe për disa apostuj tjerë, kemi pakë shënime, kureshtjen time e ka nxitur pikërisht Matia, nga vetë fakti se ai e ka plotësuar numrin dymbëdhjetë në vend të Judës.

Juda ishte i zgjedhur si gjithë apostujt tjerë. Ai kishte një detyrë jashtëzakonisht të lartë që ia kishte dhënë në besim të plotë vetë Jezusi, por fatkeqësisht e keqpërdori duke u bërë tradhtar.

Dante Aligheri e akuzon Judën për tradhti, si krimi më i madh – tradhtia e mikut, mosfalenderimi. Kjo është e kuptueshme sepse urdhri më i madh, ndoshta edhe më intimi është dashuria ndaj të afërmit. Për këtë arsye Dante e vendos Judën në fund të ferrit: “Ai shpirt atje, që ma për tmerr ndëshkohet, asht Judë Iskarioti (Ferri, kënga XXXIV, rr. 61). Afër tij janë Bruti dhe Kasi komplotistët kundër Cezarit, për të cilin Dante ishte i lidhur në aspektin ideologjik dhe politik. Është analoge pyetja e Cezarit: “Po, a edhe ti Brut, biri im?!“ me atë të Jezusit: “O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut?“ (Lk 22, 48).

Juda më të vërtetë ka bërë krim të madhë, mëkat t’madh e mortar – shkandull për gjithë shekujt. Me emër të tij quhen të gjitha tradhtitë e botës. Për këtë asrye këtu shpaloset roli i rëndësishëm i Matisë dhe kontributi i madh. Juda e braktis flamurin e apostullatit kurse Matia e merr dhe e bartë deri në fund.

Nuk ishte as lehtë e as gjë e këndshme të ulët në postin e tradhtarit, por shorti kishte ra në Matinë. Matia e kishte pranuar shumë i qetë këtë detyrë.

Kur shën Pali thotë se gjithë krijesa e nënshtruar kotësisë pret me afsh zbulimin e bijve të Hyjit, me lirinë që Jezusi na ka liruar nga dënimi dhe nga pesha e mëkatit, në sajë të hirit që na është dhënë në pagëzim (khs. Rom 8, 18-23), ai në rend të parë mendon në mëkatin e prindërve të parë. Porse çdo mëkat tjetër, i madh apo mortar, e ka të njëjtin kuptim dhe pasojë në shpirtin e njeriut.

Ja sa është çmimi i shëlbimit të botës? Megjithatë shën Pali thotë se nuk janë mjaftueshëm për shpëtimin e botës meritat e paçmuara të mundimeve të Jezusit, por duhet të përplotësohen edhe me meritat tona. Prej kësaj rrjedh thirrja jonë e ndershme dhe detyra jonë e shpëtimit përmes satisfakcionit tonë, që në fakt, vet Jezusi me Zemrën e tij ia zbulojë dhe ia dhurojë botës, e në veçanti besimtarëve dhe personave të kushtuar Zotit. Në këtë detyrë më së miri theksohet ideja e solidariteti njerëzor, nëse dashuria më e madhe është ta sakrifikosh vetën për të tjerët.

Pikërisht këtu shfaqet madhështia e apostullit Matí, apostullit më bashkëkohorë, në satisfakcion dhe zëvendësim të Judës.

Nëse një numër i madh i apostazive të meshtarëve, zhveshja e petkut rregulltar si dhe largimi i shumë besimtarëve nga kisha viteve të fundit, do ta quajmë sipas tradhtisë së Judës besimi i keqpërdorur, që ua kishte falur Jezusi duke i zgjedhur, atëherë jemi para mundësisë së rijetësimit të apostullatit të shën Matisë, përkatësisht para veprave të reja të satisfakcionit, që na thërret vetë Zemra e Jezu Krishtit.

Se ku qëndron satisfakcioni më së miri na tregon shembulli i shën Matisë, nëse vuajtjet tonë, veprat pendestare e vepra tjera të mira bashkë me lutjet janë të përshkuara me shpirtin e satisfakcionit në zbatimin e drejtësisë së Zotit. Porse satisfakcioni më i mirë është angazhimi ynë konkret për t’i mbuluar zbrazëtirat e apostazive, rëniet dhe rastet që shkaktuan shkanduj, kryerjen e ndërgjegjshme të dërgimit tonë personal dhe detyrave tona. Në këtë mënyrë të gjithë rastet e këtilla mund të na shërbenin për të mirën tonë, si shtysë, që duke i përmirësuar veprat e tyre të dobëta dhe shkandullore, ne mundohemi t’i kryejmë detyrat tona duke treguar ndershmëri e ndërgjegjësim ndaj Zotit e ndaj të afërmit. Sa më shumë të ketë raste shkandulli dhe frymë shekullare nëpër kuvendet tona aq më tepër duhet t’i kundërvihemi me rregulltar(e) besnikë, të qëndrueshëm dhe zellshëm; me pastërti (virgjëri), varfëri e dëgjesë më të theksuar.

Mandej, nëse nuk i pëlqejmë dukuritë negative dhe sjelljet e regulltarëve dhe rregulltareve, meshtarëve dhe besimtarëve të thjeshtë, çfarë të mire dhe satisfakcioni do të fitonim po që se do të mbetnim vetëm në konstatimin e dënimit, madje edhe gjykimit, e nuk do të ndërmerrnim asgjë me angazhimin tonë për t’ia ndalur rrjedhën kësaj të keqe. Shën Matia s’humbi kohë në zbardhjen dhe gjykimin e rastit të Judës, por e zhvillojë apostullatin e dëshmisë së Jezusit të ringjallur. Ky hap i tij, ky vendim, ky apostullat kush e di se sa vështirësi, mossuksese, salvime dhe sa e sa akte satisfakcione i ka shkaktuar. Krejt si në mjegull mund të dimë diçka për jetën e tij duke u bazuar në legjenda dhe në (shkrimet) apokrife, sipas të cilave ka vepruar edhe mesin e kanibalëve dhe në mënyrë të mrekullueshme ka shpëtuar. Ndoshta kjo është edhe arsye pse përmendet si pajtori i kasapëve! Si mos të çmohet lart ky apostullat, kjo jetë e satisfakcionit në anonimitet e kushtuar krejtësisht thirrjes së Hyjit. Kush është i gatshëm, qoftë ky besimtar, rregulltar apo meshtarë për ta pranuar një satisfakcion të ngjashëm nga dashuria ndaj Kishës, Ipeshkvisë, Familjes rregulltare, Kuvendit, madje edhe ndaj vetvetes, shembullin dhe nxitjen e keni te shën Matia apostull!

Nuk mund të thuhet se dikur bota ishte më e mirë apo me e keqe, ose rrethanat më të lehta apo më të vështira. Një fjalë e vjetër romake thotë: “Nihil novi sub sole“ – asgjë e re nën diell. Porse ne jemi bijë të këtij shekulli, fëmijë të botës së sotme, të ndërlidhur me solidaritetin e brendshëm për fatin e saj. Është fakt se jemi të mbështjellë me frymën e apostazive dhe shekullarizimit të përgjithshëm.

Jezusi na qorton: “In mundo, sed non de mundo“ – në botë por jo sipas dokeve të botës. Kurse ne përgjigjemi me jetën tonë: “In mondo et de mundo“ – në botë dhe sipas dokeve të botës. Me zë të ulët mund t’i bashkangjitemi fjalëve të shën Pjetrit në malin Tabor: “Është mirë të qëndrojmë këtu“, dhe çka na kushton të ngrehim ndonjë “tendë“, moderne dhe “funksionale“, por ne vetë as nuk lëvizim për ta ndërruar veten me jetë satisfacioni. A thua s’kemi rast as arsye për një potez të tillë? Ndërtimet dhe veprat e ngjashme mund të shndërrohen lehtë në “alibi“ në thirrjen e jetës sonë.

Edhe në jetën tonë personale kemi shembuj të vobektësisë sikur që ishte vaktësia e bashkësisë në Laodice (khs. Zb 3, 15-16). E për ato ngrirje “mes nesh“, as mos t’i përmendim. Janë të pranishme “relaksimet“ në jetën tonë, ato “lehtësime“, madje edhe apostazi të çastit në jetën tonë intime, të cilat janë të fshehta për sytë e të tjerëve. Jemi dëshmitar jo njëherë të mosbesnikërisë në jetën tonë intime, ndaj Zotit dhe ndaj të tjerëve. Vallë a nuk ngritën në brendinë tonë qortime e nxitje për ta nisur një jetë satisfakcioni? Simbas shembullit të shën Matisë personalisht përmirësojmë edhe tradhtitë e pavërejtura mu në “gjërat më të vogla“ që i bëjmë vetë, e mos të flasim për tjerët që jetojnë rreth nesh, për ata që na është besuar përkujdesja, ata që çdo ditë enden rreth nesh, apo… ne rreth tyre.

(Nga libri: Imzot Nikë Prela, Vështrime dhe meditime, Drita 2006, f. 17-22)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »