Apostujt “statistë” – bartësit e pavërejtshëm të shoqërisë

Jul 21 • Këndvështrime

Nga Imzot Nikë PRELA

 

Tetë apostujt tjerë nuk kanë zënë shumë vend në Shkrimin Shenjt, që të mund t’i paraqesim detajisht secilin veç e veç. Kështu për shembull Bartolomeu, Jakobi i Alfeut, Juda Tadeu dhe Simon Kananeu vetëm se përmenden në numrin e korit të apostujve (Mt 10, 2-4; Mk 3, 13-19; Lk 6, 12-16; Vap 1, 13).

Mateu vetë e përshkruan shkurt zgjedhjen e tij deri sa ai rrinte në doganë dhe më vonë kur Jezusi e kishte vizituar në shtëpinë e vet (Mt 9, 9, -13), por këtë na e paraqesin edhe të tjerët (Mk 2, 13-17; Lk 5, 27-32).

Andreun dhe vëllaun e tij Simonin Jezusi i kishte takuar duke i hedhur rrjetat (Mt 4, 18-20; Mk 1, 16-18; Lk 5, 1-11). Jezusi shkoi në shtëpinë e Simonit dhe e shëroi vjehrrën e tij (Mt 8, 14-15; Mk 1, 29-31; Lk 4, 38-41). Andreun e takojmë kur, së bashku dhe Simonin, Gjoni e solli te Jezusi. (Gjn 1, 42). Andreu me përshpëritje ju drejtua Jezusit dhe Filipit, kur moria e njerëzve kishte mbetur pa ushqim: “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz!“ (Gjn 6, 8-9). Andreu ishte me vëllaun e tij, Simon Pjetrin dhe me bijtë e Zebedeut pranë Jezusit kur profetizoi rrënimin e Tempullit. Këta në Malin e Ullinjvë e kishin pyetur veçmas se kur do të ngjajë e gjithë kjo (Mk 13, 3-4).

Filipi, sikurse Andreu, ishte aktiv në formimin e korit të apostujve. Ai e kishte sjellë Natanaelin te Jezusi, i cili ishte skeptik, por megjithatë e fitoi një lëvdatë nga Jezusi: “Qe një izraelas të vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!“ (Gjn 1, 47). Edhe Filipi kishte shkuar pas Jezusit kur në kalim, takim e kishte thirrur (khs. Gjn 1, 43). Jezusi në fjalimin e tij lamtumirës e qortoi Filipin, i cili nuk e njohu në Të Atin, por e luti Jezusin që t’ia dëftojë: “Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!“ (Gjn 14, 8-11).

Përkundër mungesës të shumë shënime për këta apostuj, mjafton fakti se ishin anëtarë të korit të apostujve, të zgjedhur prej Jezusit dhe dëshmitarët e veprimtarisë së Tij, mësimit, mundimit, vdekjes dhe ringjalljes, zbritjes së Shpirtit Shenjt. Vallë, s’mjafton kjo për t’i vlerësuar sikur edhe të tjerët? A nuk është Kisha e Krishtit në bazë të të gjithëve Apostolike? Ata edhe sot janë të pranishëm në Kishë, me autoritetin e Krishtit, në ipeshkvijtë – pasardhësit e tyre.

Nuk është edhe i pakët materiali ungjillor për të kuptuar përgjigjen e tyre të pa rezervë në thirrjen e Jezusit, posaçërisht thirrjen e Mateut, Filipit, por edhe të të tjerëve. S’është i pakët materiali për të kuptuar angazhimin e Andresë dhe Filipit për t’i sjellë të tjerët te Jezusi? A na duken pak rreshta për të medituar mbi lëvdatën e Jezusit për Natanaelin si “izraelas të vërtetë në të cilin nuk ka dredhi“? Nuk kemi të shkruar më tepër as për dhuruesin e parë të madh të misterit të Mishërimit, për Jozefin, i cili i shërbej me jetë dhe u tërheq nga kjo e vërtetë, si i panjohur, por i zgjedhur, sepse ishte “njeri i drejtë.“ (Mt 1, 19).

Këta apostuj do t’i quaja “statistë“, për shkak të anonimitetit të tyre. Përbri apostujve të “Qmëdhenj“, që e kanë zënë një vend më tepër në librat e Zbuluara – në Shkrimin e shenjtë –  edhe këta (apostuj anonim) e bartën dramën mallëngjyese të shëlbimit dhe e kumtuan Lajmin e Gëzueshëm.

Këta na kujtojnë të gjithë “statistët“ e pavërejtur në dramën e Historisë së Kishës, që janë përmendur pak e aspak, kanë kaluar jetën të panjohur, përkundër të gjitha meritave. Megjithatë, Kisha si Nënë e kujdesshme do t’i përqafojë me të kremten e veçantë – Qeta e të Gjithë Shenjtërve. Krejtësisht është e arsyeshme që këtë të kremte shumë domethënëse edhe sot Kisha e mbanë si të kremte të urdhëruar. Kështu ajo në misionin e saj edukues krijon në besimtarët e vet kriter të shëndoshë të vrojtimit, të kujtesës dhe të atyre vlerave që i rrëshqasin venerimit njerëzor. Gjithë këta heronj janë të ndryshëm, me virtyte për ne të panjohura, e ndoshta kanë jetuar në rrethin tonë, të rehabilituar me ndonjë përkushtim publik përmes një “shtatoreje për heroin e panjohur“ gjatë vitit kishtar. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se gjatë kësaj të kremte e hetojmë intencën e Kishës dhe sugjestionin e saj, se këso elementesh zbulojmë edhe në jetën tonë. A nuk do e fitonte emrin e heroit edhe një ngadhënjim mbi një tundim, tërbim, lakmim? A nuk ka elemente të heroit të dashurisë edhe një vepër e vogël e dashurisë e bërë me vetëflijim? Krejt qëndrimi i jetës sonë me plotë vepra të merituar e të pavërejtura për sytë dhe vetëdijen tonë, a nuk do jetë kjo hallka e heroizmit, e cila fatkeqësisht këputet shpeshherë me dobësia, lëshime e mëkate? Kjo e kremte, ky kult i “shenjtërve dhe çasteve të panjohura“, e lartëson vlefshmërinë dhe përkushtinë e heroizmit në ne, që për këso veprash kemi shumë shembuj e shtytje. T’i kujtojmë plakat tona të përshpirtshme, përkundër veseve njerëzore, të sëmurit e durueshëm, që herë-herë e humbin durimin, rregulltaret shembullore, meshtarët e shkëlqyer, prindërit tanë, vëllezërit e motrat tona, të cilët e vlerësojnë me tepër jetën meshtarake se sa vetë ne. Vetëm të ndalemi e sinqerisht të shtegtojmë me kujtesën tonë nga një person në tjetrin që i ndeshim në jetë, do bindemi se edhe ata kanë elemente shenjtërie deri në heroizëm, edhe pse disa prej tyre nuk janë besimtarë. Ka shumë të mira në botë, por ato janë të copëzuara.

Çfarë të thuhet për ata që në mënyra të ndryshme flijohen dhe gjithë jetën e vënë në shërbim të të tjerëve? Për mjekët, mësuesit, madje edhe tregtarët (pse jo)? Të gjithë këta na ofrojnë shërbimet e veta, edhe pse për këto shërbime paguhen. Çfarë të thuhet për dhuruesit e gjakut, të cilët shumica e tyre në çastet e fundit kanë shpëtuar jetë të panjohura! Këto vepra na kujtojnë Shëlbimin me gjakun e Krishtit. E çfarë të thuhet për shoqërinë e ndërlikuar me rrjetin e ngarkuar administrativ, mbi të panjohurat, gjërat e vogla dhe transmetuesit e ndërgjegjshëm të gjithë kësaj godine shoqërore?

Këto gjëra “të vogla“ në jetë janë edhe në jetën shpirtërore, por ato janë si fara prej të cilës mund të rritet një pyll i tërë, sikur që një moment në jetë mund të vendos për fatin e jetës dhe amshimit. Një plumb i gabueshëm mund të shpëtojë jetën, por i njëjti mund ta shuan.

Çastet e fundit të jetës së Jezusit dhe Mundimi na imponohen si porosi dhe shtytje për meditim. Si cubi në kryq, në çastet e fundit u pajisë me pendesë e shpresë dhe Jezusi ia shpëtojë jetën për amshim … për një çast.

Njohim aktorë të mëdhenj që karrierën e tyre e kanë filluar në rolin e statistit, madje pa statistë as që mund të mendohet një punë skenike, as opera, as drama, as tragjedia e as komedia. Statistët e përplotësojnë veprën. Vepra pa punën e tyre do të ishte e mangët. Përndryshe, shumë më tepër ka statista se sa “role kryesore“. A mund ta quajmë laikatin “masë e statistëve“? Laikati në Kishë e përbënë pjesën më të madhe se sa kleri, ipeshkvijtë me Papën në kye. A mund të mendohet një shoqëri, çfarëdo qoftë ajo, vetëm prej statistëve pa role kryesore, apo vetëm me role kryesore pa statistë. Për më tepër, “statistët“ në Kishë, edhe pse të pavërejtshëm dhe anonim, por një numër i madh, luajnë rol vendimtar, sepse prej tyre dalin ato të pakta “role kryesore“ të rregulltarëve dhe klerit.

A mund të mendohet një vepër skenike pa atë radhën e emrave në televizion, pa bashkëpunëtorët në punën dhe redaktimin e versionit përfundimtarë të veprave të autorit: lektorët, kameramanët, kostumografët, mikserët, muzicientët, skenografët, e shumë e shumë asistentëve, këshilltarëve, zëvendësve etj etj. , për t’u ndal rrjedha në të fundin regjisorin.

Kush, në të vërtetë, meriton duartrokitje në formimin koncertral të veprës muzikore? Prej instrumentalistëve deri te tupanët, “violina kryesore“ apo ndonjë mysafir virtuoz, dirigjent apo, ndoshta, ndonjë autor, kompozitor…. tanimë i ndjerë.

Mbi gjithë kompozicionin e botës dhe organizimin e shoqërisë është Ai që e ndërton dhe e mbanë. Kotë mundohen ata që donë ta lartësojnë e ta ruajnë qytetin pa “dirigjentin“, pa “regjisorin“, pa “kryesorin … e kryesorëve“.

Të gjithë këta udhëhiqen sipas planit të Tij, dhe derisa janë nën këtë udhëheqje, do të jenë statistë të mirë e do të arrijnë shumë lartë. Këta janë ajo “heshtja“, ajo “qetësia“ ku krijohen veprat e mëdha. Jo në zhurmë, jo në stuhi, por në puhizën e lehtë në të cilën Ilia profet e njohu Zotin; në rritjen e qetë, siç është rritja e barit, në rritjen e përvujtë të fëmijëve, me ditë, me muaj e vite që një ditë përfundimisht nëna t’ia mësojë fëmijës fjalët e para, hapin e parë kah mëvetësia e tij.

A nuk ka thënë Jezusi se Mbretëria e Hyjit nuk vjen në shkëlqim por e pavërejtshme, vepron si brumi, qetë, jep pushim si fara e sinapit, vlen si “drahama e gjetur.“

(Nga libri: Imzot Nikë Prela, Vështrime dhe meditime, Drita 2006, f. 37-42)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »