Fjala e Zotit formon zemrat tona

Jul 21 • Meditimi i ditës

21 korrik 2017 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Dal 11,10 – 12,14; Ps 116,12-13.15.16b-18; Mt 12,1-8)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment
dhe mendoj për dashurinë dhe hirin që Zoti e ndikon mbi mua,

se si më krijon në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempull të tijin…

 

Liria

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (shën Injaci)
Lus për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Ku, në ç`gjë në jetën time jam duke e gjetur shpresën, guximin dhe rritjen?

Duke u kthyer në mendime disa muaj prapa,

a jam i/e aftë të vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të pasur?

Nëse i kam vërejtur këto lëmi,

do të vendosi që në të ardhmen do të sigurojë për to hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht për mua.

 

Mt 12,1-8

 

1 Në atë kohë ‑ një të shtunë ‑ Jezusi kaloi nëpër të mbjella. Nxënësit e tij të uritur, filluan të këpusin kallinj e të hanë. 2 Kur i panë farisenjtë, i thanë:

“Ja, nxënësit e tu po bëjnë çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën!”

3 Jezusi u përgjigj:

“Vallë a nuk keni lexuar ç’bëri Davidi kur u urit ai dhe shoqëruesit e tij? 4 Si hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngrën bukët e kushtuara, që nuk ishte e lejueshme t’i hante as ai as shoqëruesit e tij, por vetëm priftërinjtë? 5 Apo nuk keni lexuar në Ligj se priftërinjtë e prishin të shtunën në Tempull në ditë të shtuna e nuk bëjnë mëkat? 6 E unë po ju them: është këtu diç më e madhe se Tempulli! 7 Ta kishit kuptuar se ç’do të thotë fjala: ‘Dua mëshirën e jo flinë’, nuk i kishit dënuar këta njerëz që s’po bëjnë faj. 8 Biri i njeriut është me të vërtetë i zoti i të shtunës!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Farisenjtë ishin të robëruar në zakonin e tyre për të gjetur gabime – grackë kjo në të cilën lehtë bien njerëzit religjiozë. Jezusi ua kujton se duhet vërtet të dëgjojnë.
  • Fjala e Zotit s`është dhënë si një udhëzim manual – për përdorim, por na fton për të formuar zemrat tona. Zemra e Krishtit s`ishte drejtuar te flia, por te dëftimi i mëshirës së butë të Hyjit.

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Të faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Të faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, ta hap vetveten para teje, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »