Takime pa fjalë…

Jul 21 • Këndvështrime

 Nga Benarda Shahini

 

“Kam parë Zotin” – thërret Maria Madalenë, “kam parë Zotin” – thërrasin nxënësit… Ato e kanë parë Zotin të ringjallur, të shfaqur prej së vërteti. Lum ai që besoi në Zotin, ai që i besoi fjalët e tij pa pasur nevojë për prova materiale. E kush është ai të cilit Zoti nuk i ka folur? Ju nuk e keni dëgjuar?

Shën Injaci, me imagjinatën, fuqinë shpirtërore që kishte, ishte një mësues në përfshirjen në një skenë biblike, të lexuar gjatë kohës së lutjes. Ai ju kërkon t’i lejoni ndjenjat tuaja të marrin jetë, të ndjeni, të nuhatni, të shikoni, të dëgjoni gjithçka që ndodh në histori… e të përfshiheni në histori duke qenë një personazh, ose ndokush që është thjeshtë aty… Kur bëni këtë, është mahnitëse ajo çfarë ndjeni, shikoni, nuhasni apo takoni.

Papa Françesku na jep dy «detyra shtëpie»: «Të lutesh që të mund të kujtosh Ungjillin dhe pasi ta lexosh atë, të shohësh sa herë ti je takuar me Jezusin». Ai thotë që duhet ta lexojmë e të shohim sesi Jezusi iu është shfaqur njerëzve dhe për cilat cilësi i ka zgjedhur apostujt. Ne a i plotësojmë ato kushte ? Me këtë përkushtim që kemi ne, a mund të ishim të zgjedhurit e tij?

Fakti që Jezusi zgjodhi si nxënës njerëz shumë të ndryshëm mes tyre dhe që na mëson të lexojmë Ungjillin, kur ne veprojmë siç aty shkruhet ne kemi takuar Zotin «Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet në mua dhe unë më të.» (Gjoni 6, 52-59).

Të kthehemi tek Bibla, kujtoni kur Jezusi takoi Natanaelin, skeptikun, me vetëm dy fjalë Jezusi e mund me gjykimin e tij, saqë intelektuali detyrohet të thotë «Ti je Biri i Hyjit…», apo Samaritana që do të jetë racionale në gjykim «po… kjo bota këtu, e ajo atje …», bën që nga mëkati i saj të njohë Jezusin dhe t’i thotë të tjerëve «më tha çdo gjë që kam bërë, a mos është ky Mesia?» Besoj që në të gjithë rastet e Biblës ne mund të gjejmë veten, edhe tek skeptikët, por secili ka takimet e veta të veçanta, andaj nuk do të thotë që një takim t’i ngjajë tjetrit.

Po ju rrëfej edhe një histori të ndodhur në Prizren në familjen e z. Tomë  Krasniqi, ngjarje afro 100 vjeçare. Një ngjarje që shfaq një mënyrë të kujdesit dhe dashurisë së Zotit, një shenjë e Zotit që flet e udhëzon, një mënyrë krejt e pazakontë, por e gjallë dhe e vërtetë. Toma ishte i martuar me zonjën e tij, Marie, dhe u bekuan me 4 fëmijë. Por, Maria ishte kaq e mirë saqë dhe Zoti e donte afër dhe kështu e merr. Ajo e la vetëm familjen saj, por për t’u kujdesur që andej për to. Vajza më e vogël e tyre ishte Leze Krasniqi, atë e la akoma foshnjë… dhe Toma duke mos pasur mundësi të ishte gjithnjë i pranishëm në shtëpi, ia kishte lënë porosi komshinjve ta mbanin në krahë kur ajo qante, ta ushqenin kur ai nuk ishte. Dhe Mhill Bogdani (Shala), komshi i Tomës, djali 16 vite më i madh se Lezja, e mbajti në krahë një herë t’ia pushonte vajin. Nga frika e luftës, Mhilli ik nga Prizreni dhe vendoset në Dukagjin, për të ushtruar profesionin e mësuesit. Kur, pas disa kohësh, Maria i shfaqet në ëndërr. Ai ishte krejtësisht i vetëdijshëm që ishte një ëndërr dhe se Maria kishte vdekur prej kohësh, andaj ai po i largohej. Pati pak frikë. Maria i afrohet dhe i flet: “Mos u largo… vajza jeme asht në fjalë për fejesë dhe për tre dit’ i kthejnë përgjigje; por unë nuk kam qef me ia dhan atij djali… Mos u vono, kërkoje ti!” Mhilli nuk fle atë natë dhe në orë 5 të mëngjesit niset për në Prizren. Takon babin e Lezes, ia kërkon dorën e së bijës dhe ia rrëfen ëndrrën. Ai habitet, të gjitha ishin të vërteta, Lezja ishte në fjalë për fejesë me një djalë që nuk e njihnin aspak. Familja e mirëpret propozimin e Mhillit dhe fejesa kryhet. Nga Prizreni do shkonin për të jetuar për pak kohë në Dukagjin, nga Dukagjini në Kastrat e pastaj për ta vazhduar jetën në Shkodër. Zoti është aq i madh e i dashtur saqë i ka dhënë vetëm harmoni dhe devotshmëri kësaj familjeje; duke u trashëguar me fëmijë, nipër dhe stërnipër. Edhe sot, kur Vera Shala Prendi, e shtrenjta gjyshe ime, që sot gëzon shëndetin e plotë në moshën 82 vjeçare, ma rrëfen këtë histori mbushem me përulje, falënderim dhe krenari për këtë familje të bekuar nga vetë dora e një engjëlli mbrojtës, Marije.

E di që edhe në zemrën tuaj ka kujtime dhe ngjarje të ngjashme, që e keni të vështirë t’i shprehni, duke pasur frikën që nuk do t’iu besojnë, ngase ato duken thuajse jo reale, e për shumëkënd të paimagjinueshme.

Këto ngjarje mbeten mistere në shumëçka, dhe nuk mund të vërtetohen nga shkenca; por atyre që iu kanë ndodhur nuk dyshojnë në asgjë, meqë i jetojnë realisht. E ndjejnë veten të bekuar dhe të veçantë, dhe po ashtu shumë të përulur, ashtu siç kërkon Zoti, që të bëhemi shëmbëlltyra e tij në botë.

Ne, njerëzit, mundohemi të ecim në përshtatje me vullnetin e Hyjit, e ndiejmë atë, flasim me të. Ai gjen format e duhura të na sjellë mesazhe, por a e kemi hapur ne zemrën sa duhet që ta dëgjojmë ? Eh!  sikur ne të dëshirojmë të dëgjojmë atë zë të ëmbël dhe ta ndjekim rrugën sesi të bëhemi shëmbëlltyra të Atit, sa e bukur dhe me ngjyra do të ishte bota për të gjithë ne, sot!

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »