Fjala kërkon durim e mirëbesim

Jul 23 • Meditimi i ditës

23 korrik 2017 – E diela 16-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Urt 12,13.16-19; Ps 86,5-6.9-10.15-16a; Rom 8,26-27; Mt 13,24-43)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Me afsh e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Mt 13, 24-43

 

24 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër:

“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me njeriun që mbolli farë të mirë në arën e vet. 25 Ndërkohë që njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij, mbolli egjër nëpër grurë e shkoi.

26 Kur u rritën të mbjellat dhe lidhën frytin, atëherë u duk edhe egjra. 27 Shërbëtorët iu afruan të zotit të shtëpisë dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga doli, pra, egjra? 28 Ai u përgjigj: ‘Armiku e bëri këtë!’Atëherë i thanë shërbëtorët: ‘A të shkojmë e ta mbledhim?’ 29 Jo ‑ u përgjigj ai ‑ se duke e mbledhur egjrën druaj se, bashkë me të, nxirrni edhe grurin! 30 Lërini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohë të korrjes do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në duaj për ta djegur e grurin mblidheni në drithnikun tim!’“

31 Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër;

“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32 Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në pemë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij.”

33 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër:

“Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet e gjitha.”

34 Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra 35 që të plotësohej fjala e profetit:

‘Do të flas në shëmbëlltyra,

do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi (i botës)’.

36 Atëherë e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan dhe e pyetën:

“Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës.”

37 Ai u përgjigj:

“Ai që e mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. 38 Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. 39 Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrtarët janë engjëjt. 40 Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. 41 Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashnjyesit dhe ata që bëjnë keq, 42 e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh. 43 Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre.

Kush ka veshë, le të dëgjojë!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Krahasimet, shëmbëlltyrat që i tregon Jezusi janë në vetvete farë: rrëfime të thjeshta që lëshojnë rrënjë në jetën tonë, dhe nëse u mundësohet drita e mendimeve tona dhe këndellja e lutjes sonë, mund të rriten e të bëhen shenja të rëndësishme.
  • Mbretëria e Hyjit që e shpall Jezusi mund të shfaqet në mënyra të holla dhe shumë të thjeshta. Pranimi irealitetit të mbretërimit të Hyjit nuk është menjëherë thirrje për të vepruar: Takimi i parë shqyrton urtësinë, durimin dhe mirëbesimin tonë.

 

Bashkëbisedimi

Sa lehtë shpërqendrohemi dhe largohemi nga ti, o Zot. Kjo botë na bën aq shumë kërkesa, dhe ato kërkesa siç duket janë konstante.

Të angazhuarit e vetvetes në drejtim teje, o Zot, është një punë e rëndë, por s`është e pamundur.

Krejt çka duhet bërë është ta drejtojmë vëmendjen tonë kah veprimi yt, o Zot, në jetët tona. Na ndihmo, ta mendoj, ta shpreh dhe ta zbatoj këtë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »