Jakobi dhe Gjoni: Bijtë e Zebedeut dhe zebedeizmi në Kishë

Jul 24 • Këndvështrime

Nga Imzot Nikë PRELA

 

Jakobi dhe Gjoni, bijtë e Zebedeut (khs. Mt 4, 21; 10, 2) na bënë të ndjehemi shumë të zhgënjyer kur e shtynë nënën e vet të bëhet servile dhe në bazë të familjarizimit të intervenojë te Jezusi që Ai në mbretërinë e vet t’i vendos dy djemtë e saj, as më pak e as më shumë se, njërin në të majtë e tjetrin në të djathtë. Simbas Markut ungjilltar ishin ata vetë që u afruan dhe kërkuan prej Jezusit (khs. Mk 10, 35-38), kurse Jezusi ua parakallëzoi se do të “pinë kelkun“ që ai do ta pi (khs. Mt 20, 22). Kur dhjetë apostujt tjerë dëgjuan, u zemëruan në dy vëllezërit (khs. Mt 20, 23).

Po dhe gjithë tjerët (apostujt) ishin pre e karrierizmit, e – simbas Lukës – ju kishte lindur çështja se “cili prej tyre do të ishte më i madhi.” (Lk 9, 46). Jezusi rragatjen e tyre e shkurajojë duke përgjigjur se nuk do të hyjnë në mbretërinë e Hyjit nëse nuk bëhen si fëmijët: “Nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.” (Mt 18, 3).

Kërkohet përvujtëria dhe vullneti i fëmijës, si tek i penduari në malin e Kalvarit, për të fituar faljen e plotë prej dënimit të merituar për mëkate. Pra, nuk është as thjeshtë as lehtë për të hyrë në Mbretërinë e qiellit. Jezusi na tregoi dy rrugë, rrugën e gjerë dhe rrugën e ngushtë. Vetëm rruga e ngushtë të çon në parriz. (khs. Mt 7, 13; Lk 13, 24). Për më tepër Jezusi e thekson se “Mbretëria e qiellit po depërton me vështirësi e vetëm të fortit e shtinë në dorë.” (Mt 11, 12).

Jezusi iu dashtë shumë punë e duresë me nxënësit e vet, derisa ata arritën gjendjen e duhur të kuptimit, që përfundimisht do ta arrijë në përsosmëri Shpirti Shenjt. Pjetri do të shfaq tërë ashpërsinë e vet, Toma paragjykimin, hamendjen, Juda pabesnikërinë, kështu që Jezusi në fillim vetëm njërin ndër ta do ta lavdërojë me fjalët: “Qe një izraelas të vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!“ (Gjn 1, 47). Kurse vetëm njëri u lavdërua duke pohuar se është nxënësi të cilën Jezusi e ka dashur në mënyrë të veçantë dhe në Darkën e Mbrame kishte mbështetur kryet në parzmën e Tij (khs. Gjn 13, 23; 21, 20). Vërtet, Jezusi ia kishte besuar Nënën e vet, duke i thënë: “Grua, qe, yt bir!”, madej i tha Gjonit: “Qe, nëna jote!”, kështu që nga ajo orë Gjoni e mori me vete Nënën e Jezusit (Gjn 19, 26-27).

Nuk do të më zihet për të madhe kjo vërejtje e ime; nuk mund t’ia harrojë Gjonit pse nuk na ka lënë asnjë tregim për ndenjën e Nënës së Jezusit në shtëpinë e tij mas atij çasti. Ja, vetë Gjoni nuk e ka parë të dobishme të shkruajë një tregim të këtillë e që do të ishte në dobi të shëlbimit tonë.

Jakobi i Zebedeut na ka lënë letrën përmbajtjesore me porosi të ndryshme dobiprurëse, siç janë: porosia mbi fenë dhe veprat, mbi dashurinë ndaj të afërmit, mbi frenimin e gjuhës, mbi refuzimin e të keqes në ne, mbi qëndresën në tundime, mbi urtësinë e vërtetë jetësore dhe përkujdesjen për të sëmurë, kurse Gjoni i Zebedeut na la tri letra që shumë bukur ndërlidhen me ungjillin e tij, i cili me sy shqiponje (skifteri) depërton në thellësitë e mistereve të Hyjit.

Bijtë e Zebedeut ishin, si gjithë të tjerët, peshkatarë, gjaknxehtë e të pezmatueshëm, të cilët Jezusi i quajti “Boanerges”, që do të thotë: “Bijtë e rrufesë” (Mk 3, 17). Vërtet, ata kishin kërkuar prej Jezusit që ta shfaros, ta djegë flakë një fshat të Samarisë, sepse ai fshat nuk i kishte pranuar. Përveç kësaj, kur thuhet se “nxënësi tjetër”, të cilin e përmend Gjoni, “njihej prej kryepriftit”, mund të ngrehej çështja në lidhje me natyrën e kësaj njohje e një nxënësi të Jezusit “me pushtetin dhe armiqtë e Jezusit” (khs. Gjn 17, 15-16).

Megjithatë, bijtë e Zebedeut kanë ndjerë nevojë për të qenë afër Jezusit, dhe vërtetë, Jezusi i kishte zgjedhur që bashkë me Pjetrin të jenë dëshmitarët e Shndërrimit të Zotërisë (khs. Mt 17, 1-13; Mk 9, 2-13; Lk 9, 28-36). Po ashtu, bijtë e Zebedeut ishin dëshmitarë të ripërtëritjes së shndërrimit, në momentet më të bukura të jetës së Jezusit në Gjetseman (khs. Mt 26, 36-46; Mk 14, 32-42; Lk 22, 39-46). Edhe në momentet më të rëndësishme të ngjalljes së bijës së Jairit, Marku dhe Luka ungjilltarë e theksojnë se Zotëria nuk ka lejuar ta përcjell askush përveç Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit, vëllait të Jakobit (khs. Mk 5, 37; Lk 8, 51). Kur Jezusi paralajmëroi rrënimin e tempullit të Jerusalemit, ishin me Të Jakobi, Gjoni, Pjetri dhe vëllai i tij Andreu (khs. Mk 13, 3). Edhe te varri i Jezusit e shohim Pjetrin edhe atë “nxënësin tjetër”, i cili arriti më shpejt, nuk hyri brenda por e priti të Parin apostull, duke e nderuar si më të vjetrin (khs. Gjn 20, 2-4). Pas zbritjes së Shpirtit Shenjt përsëri i takojmë së bashku Pjetrin dhe Gjonin në tempull, ku vazhdonin të shkonin në lutje. Ata e shëruan një çalaman dhe u burgosën, por shpejt u liruan, sepse me fjalimet e tyre e kishin bindur parinë që duhet ta dëgjojnë më tepër Hyjin se njerëzit (Vap 3, 10¸4, 1-22).

Jakobi, Pjetri dhe Gjoni “ua shtrinë dorën në shenjë të bashkësisë” Palit dhe Barnabës, sepse “çmoheshin shtyllat e fesë” (Gal 2, 9).

Bijtë e Zebedeut përfundimisht e pinë me nder kelkun e Jezusit: “Në atë ditë Herodi mbret filloi të salvojë disa antarë të Kishës. Me shpatë e preu Jakobin, të vëllanë e Gjonit.” (Vap 12, 1-2). Kurse Gjoni mbeti i fundit për të dëshmuar për Jezusin nëpërmjet salvimeve deri në internimin në ishullin Patmos. Nga ky ishull, Gjoni me sy skifteri vështronte rritjen e mundimshme e të ngadalshme të Kishës, përmes sprovave të tmerrshme, të brendshme e të jashtme. Kjo periudhë në Zbulesën e tij do të duket si ëndërr e llahtarshme dhe e frikshme, por e mbështjellë me fe të gjallë dhe shpresë në ngadhënjimin e Qengjit. Nga thellësia e shpirtit tij ngjitet klithma, që e gjejmë të përmbledhur, sikur bashkohen rreshtat e gjitha librave të zbuluara nga Zanafilla deri te Apokalipsa: “Eja, o Zot, Jezus!” (Zb 22, 20).

Bijtë e Zebedeut e përfunduan jetën e tyre të rehabilituar, duke e dhënë jetën – të liruar prej zebedeizmit të tyre të grumbulluar – edhe para Zotit edhe para njerëzve, për të dhënë shembull, qortim e nxitje të gjithë bijve të zebedeizmit në të ardhmen.

As sot në Kishë nuk është çrrënjosur një zebedeizëm i këtillë. Edhe sot vihen pengesa e zvarriten, nga simonia e Simon shortarit (shih. Vap 8, 18-24), përmes ndikimeve të ndryshme, deri te lëpirjet e shlëpirjet, familjarizmat e krahmbajtjet, ambiciet e kotësitë, sipas shembullit të shumë “bitangave“ (nga dy fjalë gjermane: „bitte-danke“ – urdhëroni – faleminderit), që shtiren ndaj udhëheqësve, përkulen para tyre e në mënyrë servile përsëritin “si urdhëroni – ju faleminderit“.

Të gjithë ne jemi dëshmitarë të pranisë së këtij zebedeizmi, sepse ajo na rrethon nga gjitha anët, e kush e di sa kjo dukuri e ka mbështjellë vetë personin tonë!? Zakonisht veset i zbulojmë tek të tjerët, megjithatë ky zebedeizëm është i neveritshëm e i dëmshëm për Kishën, si dhe për mbarështuesit dhe udhëheqësit e saj!

Por është i mundshëm shpëtimi dhe lirimi nga zebedeizmi, të “pimë deri në fund kelkun e hidhët të Jezusit”, të shërohemi nga “krenaria (e jetës)“, për ta zhveshur këtë ves të neveritshëm të jetës sonë, për të dalluar se në çfarë indiferentizmi dhe mosbesnikërie na shpie, po mbetëm të lëshuar nën udhëheqjen e zebedeizmit.

E kam lexuar në një libërth meditimesh, se, nëse nuk guxojmë të shpifim e gjykojmë e aq më pak të nëmim të tjerët, atëherë kemi të drejtë, pa bërë mëkat, të shprehim shqetësimin tonë: Hyji im, si mund të bëjnë ashtu njerëzit, si mund ai njeri …!? A e ka shtyrë respekti apo pushteti, vendi apo titulli, dekorimi apo përzgjedhja, detyra apo misioni. Gjithçka vetëm tym! Një profesor i teologjisë ishte i lajmëruar se ishte propozuar për kanonik, por ky e refuzojë, me një arsyetim të shkurtër: “Atyre mishi, mua tymi!”

Vërtet, kanonikët para Luftës (II Botërore) i kanë pasur rrogat e majme, kurse të përndershmit monsinjorët vetëm nderin, shiritin e kuq…

Vërtet tym, vetëm tym dhe gjithçka vetëm tym, që errëson sytë për të parë qartësisht se ky qëndron vlera e vërtetë e jetës dhe shenjtëria e çdo thirrjeje. Me të drejtë Tomë Kempeni u thotë atyre që donë të shkojnë pas Jezusit: Vanitas vanitatum et omnia vanitas!

Pjetri na porositë gjithë neve sikur e porositi Simon shortarin: “Pendohu për këtë mbrapshti dhe lute Zotin se ndoshta të falet synimi i zemrës sate!” (Vap 8, 22). T’i përgjigjemi me lutjen e Simon shortarit: “Luteni ju Zotin për mua që të mos më ndodhë gjë prej atyre që thatë.” (Vap 8, 24).

Që të denjohesh ta lirosh, ta pastrosh e ta ruash prej çdo zebedeizmi Kishën tënde të shenjtë, të lutemi! O Zot, na dëgjo!

(Nga libri: Imzot Nikë Prela, Vështrime dhe meditime, Drita 2006, f. 23-28)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »