Ta kërkosh dhe ta gjesh Zotin në të gjitha gjërat

Jul 24 • Meditimi i ditës

24 korrik 2017 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Dal 14,5-18; Ps: Dal 15,1-6; Mt 12,38-42)

 

Prania e Hyjit

Në heshtjen e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim të dëshiruar shumë,
a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më kujtohet kur e kam ndier afërsinë e Hyjit;
kur kemi ecur bashkë, duke i lejuar që të jem i/e përqafuar nga dashuria e Hyjit?

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.
Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.
Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.
Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,
mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.
Si po kalon dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Lutu Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 12,38-42

 

38 Një herë disa skribë e disa farisenj morën fjalën e i thanë:
“Mësues, prej teje duam të shohim një shenjë.”
39 Ai u përgjigj:
“Breznia e prapë dhe lavire shenjë kërkon! Shenjë tjetër s’do t’i jepet përveç shenjës së Jonës profet! 40 Sikurse Jona qe në barkun e përbindëshit të detit tri ditë e tri net, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë në zemrën e tokës tri ditë e tri net.41 Njerëzit e Ninivës do të ngrihen Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse ata u kthyen në predikimin e Jonës. E ja, këtu diç më shumë se Jona! 42 Mbretëresha e Jugut do të ngritet Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i botës për të dëgjuar urtinë e Salomonit, dhe ja, diç këtu më shumë se Salomoni!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nganjëherë flasim për të kërkuarit e Hyjit në copat dhe pjesët e jetës së përditshme ose për kërkimin dhe gjetjen e Hyjit në të gjitha gjërat – në të vërtetë, i quajmë shenjat sakramentale. Atje ku shpresojmë se dallojmë nga skribët dhe farisenjtë është se ne i kërkojmë shenjat nëpërmjet të të cilave mund ta vlerësojmë veprimin e Hyjit që është tashmë në lëvizje në ne. Skribët dhe farisenjtë me skepticizëm prisnin shenja, duke shmangur çdo përpjekje, prisnin prova.
  • Çfarë vërej unë? Çfarë jam duke pritur unë?

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.
Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »