Marrëdhënia personale me Zotin mundëson që mesazhi i tij të ketë kuptim

Jul 27 • Meditimi i ditës

27 korrik 2017 – E enjte, Shën Joakimi e Ana, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Dal 19,1-2,9-11,16-20b; Ps Dan 3,52-56; Mt 13,10-17)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Madje më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Një moment do të pushoj në praninë jetëbërëse të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty, o Zot.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se çfarë jam.

Si po kalon dita? Si po e ndjej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 13, 10-17

 

10 Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:

“Pse po u flet me shëmbëlltyra?”

11 Ai u përgjigj:

“Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. 12 Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. 13 Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. 14 Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë:

Mirë do të dëgjoni ‑ por s’do të kuptoni,

mirë do të shikoni ‑ por nuk do të shihni.

15 Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja,

u bë i rëndë ndër veshë,

sytë i janë mbyllur,

që të mos shohë me sy,

të mos dëgjojë me veshë,

që të mos kuptojë shpirti i tyre

e të mos kthehen.

E unë i kisha shëruar!”

16 Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! 17 Përnjëmend po ju them; shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Mund të na duket e çuditshme që Jezusi ishte i gatshëm që të tjerët mos ta kuptojnë, ta keqkuptojnë, por, si çdo mësues i mirë, ai donte që dëgjuesit të bënin diçka për veten e tyre. Donte që ta merrnin fjalën në zemrat e tyre për të krijuar një marrëdhënie personale që do të mundësonte që mesazhi i tij të ketë kuptim.
  • Marr pak kohë për të vlerësuar faktin se Jezusi ka besim në mua se e kuptoj mesazhin e tij në mënyrën time të veçantë.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »