Mbretëria e Qiellit është perla dhe thesari i lumturisë

Jul 29 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XVII gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë  1 Mbr 3, 5.7-12

 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

Në ato ditë, në Gabaon, Zoti iu shfaq Salomonit natën në ëndërr e i tha: “Kërko çka do që të jap unë!” Salomoni tha: “E tani, o Zot, Hyji im, ti e bëre mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim, Davidit. Mirëpo, unë jam djalosh i ri dhe nuk di si duhet mbretëruar. Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete, të popullit e panumërt që nuk mund të njehet as nuk mund të numërohet për shkak të madhësisë. Jepi, pra, shërbëto-rit tënd një zemër që di të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqës. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd të madh?”. Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri dhe Hyji i tha Salomonit: “Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as vdekjen e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi, ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’do ta ketë askush pas teje si ti.”  Fjala e Zotit.

 

Psalmi  119

Ref: Ligji yt, o Zot, është gëzimi im

———————————————

Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje,
por tani unë e mbaj fjalën tënde.
Më i mirë është për mua ligji yt
se me monedha ari e argjendi.

———————————————

Le të më ngushëllojë, pra, përdëllimi yt
sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.
Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj,
sepse ligji yt është kënaqja ime.

———————————————

Oh, sa i dua urdhërimet e tua:
më tepër se arin, se gurin e çmueshëm.
Nergur i mbaj urdhërimet e tua të gjitha,
e urrej çdo udhë gënjeshtre.

———————————————

Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua,
prandaj i mban shpirti im.
Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon:
të miturit i bën të urtë.

———————————————

 

Leximi i dytë    Rom 8, 28-30

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,
që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja

 

Ungjilli   Mt 13, 44-52

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë. Mandej Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. Kur e gjen një perlë me vleftje të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.” Përsëri Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku. Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin. Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh. A i kuptuat të gjitha këto?” “Po!” – i përgjigjën ata. E ai u tha: “Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan zotështëpisë, që nxjerr nga visari i vet gjëra të reja e të vjetra.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Dëshira e njeriut është ajo të vrapojë drejt së mirës dhe lumturisë. Ashtu si rrjedh lumi drejt detit kështu njeriu është në ecje drejt Hyjit. Mbretëria e Hyjit (꞊ Hyji vetë) është pikërisht ajo që kërkohet në thellësinë e zemrës.

“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë”. Një fshatar, zbulon në një arë, jo të tijën, një thesar. Vendos të shesë pasuritë e tij për të blerë arën në mënyrë që të zotërojë atë thesar. Ia vlen të përballohet, me gëzim, çdo vështirësi e sakrificë, për të hyrë brenda. Thesari nuk dhurohet, duhet të zbulo-het e të fitohet me të gjitha forcat tona.

“Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme”. Mbretëria e Hyjit zotëron një bukuri e një tërheqje të lartë. Tregtari, që “kërkon” perlat e çmuara, do të thotë se Mbretëria duhet të kërkohet pa ndaluar. Të pranosh Jezusin është investimi më inteligjent, biznesi më i frytshëm, përvoja më e bukur që një person mund të bëjë në jetë.

“Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det”. Rrjeta është zhytur në liqen, peshqit notojnë brenda, së bashku, “të mirë e të këqij”, derisa rrjeta është tërhequr në breg, e peshqit e mirë mblidhen, të këqijtë hidhen. Duket se nuk ka rëndësi të interesohesh për Hyjin ose jo. Jezusi na thotë: mos u mashtroni! Mos besoni se do të jetë gjithmonë kështu. Jini të sigurt se do të ketë një ndarje të plotë. Silluni në mënyrë të tillë që në fund të mund të pranoheni prej Hyjit.

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër, t’ia paraqesim Hyjit lutjet tona për popujt e tokës, Kishën, familjet tona dhe që të plotësohet Mbretëria e tij. Të lutemi së bashku e të themi:

 

Ardhtë mbretëria jote, o Zot.

L. Për Kishën, e thirrur për të shpallur dhe për të zgjeruar mbretërinë e Hyjit mbi të gjithë tokën: Shpirti Shenjt ta udhëheqë dhe të hapë zemrat e njerëzve që të pranojnë me guxim shpalljen e mbretërisë. Të lutemi.

L. Për udhëheqësit e kombeve dhe për ata që vendosin ligjet, që ashtu si mbreti Salomon, t’i kërkojnë Zotit diturinë për të qeverisur dhe një zemër të aftë për të bërë drejtësi ndër popuj dhe për t’i udhëhequr në paqe. Të lutemi.

L. Për të rinjtë që në këtë periudhë verore të marrin pjesë në përvojat fetare, që të mund të takojnë Jezusin duke eksperimentuar dashurinë e tij. Të lutemi.

L. Për të gjithë të krishterët: që duke ndjekur shembullin e apostullit Pal të zbatojnë ligjin e Krishtit, duke mbajtur me durim peshat e njëri-tjetrit. Të lutemi.

 

M. O Hyj, mëshira dhe falja jote janë më të mëdha se mëkati ynë: bëj që të ndihemi gjithmonë të mirëpritur dhe të dashur nga ty. Nëpër Krishtin Zotin tonë.  Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »