Besimi zhvillohet me shpejtësinë e vet

Jul 31 • Meditimi i ditës

31 korrik 2017 – E hënë, Shën Injac Lojola, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Dal 32,15-24.30-34; Ps 106,19-23; Mt 13,31-35)

 

Prania e Hyjit

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.
Fjalët e tua më çojnë në paqe në të cilën e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 

Liria

Lehtë është të biesh në kurthën e pasurisë së kësaj bote.
Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.
Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.
Dashuria, buzëqeshja, përkujdesi dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.
Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.
Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Lexoj pa u ngutur
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Mt 13,31-35

 

31 Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër;
“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32 Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në pemë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij.”
33 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër:
“Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet e gjitha.” 
34 Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra 35 që të plotësohej fjala e profetit:
‘Do të flas në shëmbëlltyra,
do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi (i botës)’.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi Shenjt

 

  • Hyji e mbjell farën dhe e lë të zhvillohet me shpejtësinë e vet. Hyji nuk kërkon pjekurinë vrik e vrik të personit: që prej një personi të parritur të bëhet person i pjekur as që një njeri i ri menjëherë ta posedojë urtësinë e një personi të rritur apo të një plaku.
  • Fara është mbjellur thellë në tokë, kurse toka e thellë është fryt i punës së të tjerëve. Ne varemi njëri nga tjetri për rritjen tonë në fe, në besim, në lutje, dhe zbulojmë se Hyji “rritet” në ne, në dheun e dashurisë, mëshirës, faljes dhe miqësisë.

 

Bashkëbisedimi

“Rrini zgjuar – mos flini.“
Janë fjalët e tua drejtuar nxënësve para mundimit dhe vdekjes.
E di, o Zot, se do të qëndrosh pranë meje
dhe do të rrish zgjuar të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »