“Nëpërmjet dashurisë gjejmë Dashurinë – Jezu Krishtin”

Jul 31 • Këndvështrime

Pasi jemi afër festës së Shën Nënë Terezës, e cila festohet më 5 shtator, revista “Drita”, që nga sot e deri më 4 shtator, për çdo ditë, do të botojë nga një pjesë të shkrimeve të Nënë Terezës, jo të komentuara, por ashtu si i ka folur, treguar, shkruar ajo vet.  Mësimi i saj, fjalët e saja janë një perlë shpirtërore dhe kultuore. Përzgjedhjen e shkrimeve e ka bërë Don Lush Gjergji, biografi dhe njohësi i jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezës.

Sivjet, festa e Nënë Terezës merr një rëndësi të veçantë pasi do të përkujtojmë njëvjetorin e shenjtërimit, dhe për të shënuar këtë përvjetor, do të bëhet shugurimi i Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, të cilën do ta shugurojë i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Hirësia e Tij Kardinali shqiptar Ernest S. Troshani. E gjithë kisha jonë po përgatitet me gëzim për këtë ditë.

 

Zoti na ka krijuar për gjëra të mëdha, për të dashur dhe për të dhuruar dashuri.

Jezusi ka ardhur për ta zbuluar Atin. Gjatë Besëlidhjes së Vjetër Hyji njihej si Hyji i frikës, ndëshkimit dhe hidhërimit. Ardhja e Jezusit tërësisht e ka ndërruar këtë botëkuptim. Në Jezusin Hyji është Dashuri dhe Falje.

Të gjithë ju dhe unë, duhet të përdorim gjërat që na  ka dhuruar Zoti, atë për çka na ka krijuar. Zoti na ka krijuar për gjëra të mëdha: për të dashur dhe për të dhuruar dashuri,  që të dimë t’ua dhurojmë të tjerëve Jezusin. Njerëzit nuk kanë uri për ne, për veprat tona, për kujdesin tonë. Njerëzit kanë uri për Zotin, kanë uri për Jezu Krishtin, për Eukaristi… Kjo është dashuria në veprim ose dashuria aktive. Në tokë nuk mund ta shohim Jezusin, pra, nuk mund t’ia shprehim dashurinë tonë. Mirëpo, çdo ditë shohim dhe jetojmë me të afërmit tanë,  dhe duhet të bëjmë për ata çka do të bënim për Jezusin po të ishte i dukshëm. Duhet të jemi të gatshëm dhe të hapur ndaj Zotit, që të mund të na përdorë neve. Ta zbatojmë dashurinë dhe atëherë pritjet e botës nuk do të jenë huqe, të padobishme, sepse nëpërmjet dashurisë gjejmë Dashurinë – Jezu Krishtin.

Mjetet financiare nuk mjaftojnë… Të varfërit e mi kanë nevojë që të jenë të dashur me zemër dhe të jenë të shërbyer me duar. Jezusi shërbehet me mua, me ju, si vegël për t’u lidhur me të varfër. Kudo që shkoj, shoh një gjë: njerëzit kanë shumë nevojë për Zotin, dhe për këtë ne duhet t’u ndihmojmë në kërkim të Tij dhe në gjetje të Tij.”/drita.info

 Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »