Shugurimi diakonal i Don Marjan Topallit

Jul 31 • Kisha në Kosovë

Nga Don Daniell Markprekaj

 

Të dielën, më 30 korrik 2017,  në praninë e besimtarëve nga famulli të ndryshme, në Katedralen e Nënë Terezës, në meshën e shenjtë në ora 11:00, u shugurua diakon seminaristi Marjan Topalli, nga famullia e “Zojës Rruzare” në Bishtazhinë. Ky rit i bukur i shugurimit diakonal kishte bashkuar edhe shumë besimtarë, përveç se nga  famullia e vendit prej nga vinte diakoni i ri, edhe formatorët nga Seminari Ndërdioqezan në Shkodër, përkatësisht meshtarët që kujdesën për formimin e meshtarëve të rinj, profesorët, priftërinj, murgesha, seminaristët e Seminarit të Shkodrës si dhe besimtarë nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Ishte e bashkuar, në njëfarë mënyre, një pjesë e Kishës ndër Shqiptarë, nga të gjitha trojet. Meshës solemne i priu Shkëlqesia e Tij Imzot Dodë Gjergji, që e shuguroi daikonin e ri, në bashkëmeshim me argjipeshkvin e Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj e shumë vëllezër të tjerë meshtarë.

Pjesëmarrja e madhe e Kishës tonë, klerit dhe popullit, bëri që të krijohej atmosferë e bukur e të qenit bashkë, e të qenit një familje e Zotit, që e krijojnë bijtë e bijat e popullit të Zotit. Në të gjithë shfaqej gëzimi i madh, duke e falënderuar Zotin për këtë ditë të bukur, dhe të veçantë.

Imzot Dodë Gjergji, gjatë homelisë, shprehu gëzimin prej bariu,  që pikërisht në këtë kohë një i ri merr guximin për t’u përgjigjur e dhuruar jetën e vet Zotit dhe Kishës. Ipeshkvi shpalosi parimet themelore të shërbimit diakonal, rëndësinë për Kishën tonë, duke e theksuar rëndësinë e të qenit në shërbim të popullit tonë që ka nevojë për drejtues të shenjtë për të arritur shenjtërinë e jetës, për të qenë misionarë të shenjtë dhe shpallës të Fjalës së Zotit, këtij populli që ka etje dhe uri për Të.

Diakoni i ri Don Marjan Topalli, në fund të meshës i falënderojë eprorët që e kanë përcjell gjatë formimit intelektual dhe shpirtëror, bashkëvëllezërit, dhe gjithë ata që i kanë përkrahur deri në këtë moment të rëndësishëm, por kërkojë që edhe më tutje të jemi të gjithë përkrahësit e tij me lutje, që shugurimi meshtarak, që do të jetë vitin e ardhshëm, të jetë mbi të gjitha i përqendruar në shërbim gjatë gjithë jetës së tij.

Pas meshës ishte organizuar edhe një drekë vëllazërore për meshtarët e pranishëm, motrat, seminarin e Shkodrës,  familjarët, si dhe të afërmit e diakonit të ri.

Diakonit të ri dëshirojmë të gjitha bekimet e Zotit dhe që shërbimi  tij të jetë i frytshëm duke i shërbyer me një zell dhe gatishmëri të varfërve dhe atyre që kanë nevojë, e gjithmonë ta shpall me gëzim fjalën e Tij./drita.info

Fotografitë: Arian Ramaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »