Atë Andre Gjekaj – Martir i Kishës dhe i Kombit

Aug 1 • Histori, Kulturë

Më 4 dhe 5 gusht në Tuz dhe në Triesh do të përkujtohet rënja heroike e Lul Vuksanit, përndryshe i njohur me ermin kishtar – françeskan Atë Andre Gjekaj. 

 

Nga Gjekë Gjonlekaj/ New York

 

Në mortet e mëdha në Lamë të Nikmarashit, emri i këtij  martiri përmendej kurdoherë. Për këtë meshtar françeskan legjendar të Malësisë, here pas here vajtonin gjëmëtarët e maleve tona. Për Atë Andre Gjekaj sot e kësaj dite këndojnë rapsodët dhe këngëtarët më të mirë të Malësisë së Madhe. Para pothuajse një gjysmë shekulli kisha dëgjuar emrin e këtij meshtari të madh, i cili ishte vrarë nga ushtria turke, ndërsa po bënte shërbime fetare për të vrarët dhe të plagosurit në atë Luftë. Ai kishte shkuar në Frontin e Shkodrës, pas një kushtrimi të madh për të varrosurr të vdekurit. Në traditën e kësaj familje, gjithmonë gjithmonë kishte qenë pjesëmarrja në kushtrime dhe qëndresa për liri. Të tillë kishin qenë babai tij Vuksan Deda dhe vëllai Mal Vuksani. Kjo derë e përmendur i kishte sjell gjithmonë Trieshit fitore morale. Trimat e kësaj shtëpie ishin kurdoherë gati për luftë në mbrojtje të vendit.

Vëllazëria Gjurashaj, bir i të cilës ishte Atë Andre Gjekaj, kishte një histori të gjatë luftërash e përpjekjesh për çështje kombëtare e fetare. Meshtarët e parë të Trieshit kishin qenë nga vëllazëria Gjurashaj. Bir i kësaj vëllazërie është sot meshtari i mirënjohur françeskan shqiptar Patër Prela Gjurashaj.

Fshati ku kanë lindur këto personalitete të nderuara është njëra prej trevave më legjendare të Malësisë. Për qëndresën spartane të Nikmarashit kishin shkruar autore të njohur shqiptarë dhe të huaj, bile edhe  në “Hyllin e Drites” dhe në revistën “Leka”.

Për aktin heroik të Atë Andre Gjekaj, i ndjeri Patër Zef Jankaj kishte botuar në revisten “Drita” të Kosovës vargjet poetike më të bukura në jetën e tij. Këto poezi epike janë fakte historike. Pater Zef Jankaj nga Ljarja e Krajës kishte shërbyer në Triesh me shumë se tre dekada. Pater Zefi i Trieshit, siç e quanin në Malësi, kishte mësuar për Atë Adre Gjekaj nga të parët e tij në Ljare ku kishte shërbyer meshtari martir i Malësisë. Bile meshën e fundit të jetës  Atë Andrea e kisht thënë në kishën e Ljares në Krajë. Pas kushtrimit në Shkodër i kishte thënë lamtumirë Krajës dhe ishte nisur për  mision e tij hyjnor, ku edhe kishte humbur jetën në moshën 35-vjeçare.
 
Vargjet poetike të Pater Zef Jankaj për rënien tragjike të këtij martiri janë monumentale, aq më tepër kur dalin nga shpirti i një vëllai meshtar françeskan shqiptar. Ja si e përshkruan Patër Zefi rënien e Atë Andre Gjekaj.

 

Tjetri kje Andrea

Vellau i azganit

I mal Vuksanit

Pater Andre kje frat,

Mesa të pagëzimit

Lul emnin e pat

 

Atë Andre Gjekaj kishte shërbyer për një kohë të gjatë në Famullin e Ljares dhe në Famulli tjera të Argjipeshkvisë së Tivarit. Të moshuarit e atyre trevave kishin treguar me vonë për atë humbje të madhe. Pater Zefi kishte dëgjuar shumë nga ato rrëfime për vdekjen tragjike të këtij meshtari nga Malësia.

 

Si famullitar

N’t’Ljares famulli

Për fe kje zelltar

Mbas te vetash mundësi

Mandej me t’dymbdhetën

Ia kushtoi jetën

Të madhes dashun

E-pa e mbush vjetën

Të gjashtën mbi tridhetën-

E bani ai fli

Si kane thanë moti

“Krishti I Biri i Zotit

Dashninë ma e madhe

Tjetër s’egziston

Se ajo qe për mik jetën flijon”.

 

Bota perëndimore e ka shumë të njohur rolin e meshtarëve në luftëra. Meshtarët (kapelan) janë shumë të nderuar në shoqëritë e qytetëruara. Por edhe në vendet shumë të përparuara, siç është Amerika, disa herë janë harruar nga historia. Bile shumë herë është biseduar gjerësisht për këtë çështje. Kështu ka ndodhur edhe me Atë Andrenë.

 

Porsi vullnetar

Tu’kene guximtar

I shtymë nga trimnija

Qe ia hjekë shpija,

Zelli I madh I tij

E c1oi me ushtri

Qe me turk luftoi

Më ndihmë me u gjetë

Atyne që në luftë

Të ketë fatin me mbet

Të gjithëve me u dhanë

Ngushllimin e fesë

Bestareve tue dekë

Ne hovin e betesë.

 

Patër Zefi i Trieshit për te kaluarën e Atë Andresë kishte mësuar shumë nga vëllezërit Zef e Dedë Mal Vuksani. Ata kishin dëgjuar  për ungjin e tyre nga prindërit dhe familjarët tjerë. Ata kishin treguar se Atë Andrea kishte pas dashuri dhe respekt  për Trieshin,  bile kurdo i jepej mundësia thoshte meshë në kishën e Trieshit. Ata tregonin se Trieshi e kishte përjetuar rendë rënien e këtij martiri.

 

N’ket detyrë humane

Edhe kristiane

Porsi françeskan

Dhe atë e qëlloi

Plumbi otoman

E shpirtin ia coi

Në t’Zotit lumni

Ndërsa trupin e ti

N’Kolaj e kanë çue

Ku përpara lterit

Në kishë e kanë vorrue”

 

Këto vargje  homerike të  Patër Zef Jankaj e bëjnë të pavdekshëm birin besnik të fesë e të atdheut Atë Andre Gjekaj. Respektin dhe kujdesin për meshtarin martir të Trieshit po e vazhdon sot ish meshtari i mirënjohur i Malesisë Patër Mirash Marinaj.

Disa personalitete fetare dhe shoqërore meritojnë nderime për kujdesin që treguan dhe po tregojnë për sakrificën maksimale  të Atë Andre Gjekaj. Nipat e tij, Zef Mali dhe Dedë Mal Vuksani, kishin qenë  shumë të ndjeshëm dhe të kujdesshëm për axhën e tyre hero Lul Vuksanin-Atë Andrenë Gjekaj.  Amanetin e tyre po e çojnë  në vend të bijtë e Dedë Mal Vuksanit: Nikolla (Shari) dhe Lubi (Luigji). Ata nuk po kursejnë asgjë që emri i Të Andre Gjekaj  të vendoset atje ku meriton. Vëllezërit Shari e Lubi Gjurashaj janë shembull i shkëlqyeshëm për shoqërinë shqiptare. Vepra e tyre është shumë fisnike./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »