Jezusi është gëzimi i botës

Aug 1 • Këndvështrime

Nga  Shën Nënë Tereza

 

“Lindja e Jezusit në Betlehem i solli botës dhe çdo zemre njerëzore gëzim . I njëjti Zot bëhet Njeri – Fëmijë, vjen në zemrat tonë në kungim.

Ta falënderojmë Zoti, që na ka dhënë Birin e vet Jezusin, që të lindte në botë si ne, dhe të ishte i ngjashëm me ne, në gjithçka, përpos mëkatit. Zoti, e ka dëftuar madhërinë dhe bukurinë e jetës njerëzore, duke u bërë Ai vetë Njeri… Ai dëshiron t’na dhurojë vetveten, duke ardhur në zemra tona, me gëzim dhe paqe. Ardhja e tij, lë të sjellë në secilin prej jush atë paqe dhe dashuri që dëshiron të na dhurojë. Të lutemi shumë, që ta marrim këtë hir për zemrat tona, për bashkësitë tona, për Kishën dhe për mbarë botën.   

Të lutemi, që të jemi të gatshëm ta pranojmë Jezusin për Kërshëndella – jo në shpellën e ftohtë të grazhdit të zemrës sonë, por në një zemër plot me dashuri dhe përvujtëri, një zemër të nxehtë të dashurisë së ndërsjellët,  siç ishte ajo e Marisë.

Ardhja e Jezusit në Betlehem, solli gëzim botës dhe çdo zemre njerëzore. I njëjti Jezus vazhdon ardhjen e tij në zemrat tona gjatë kungimit. Ai dëshiron të na dhurojë neve të njëjtin gëzim, të njëjtën paqe.. . Unë nuk mund ta paramendoj asnjë ditë pa Jezusin”. Jezusi është jeta ime, dashuria ime, gjithçka për mua. Ai, erdhi në botë për ta sjellë Lajmin e Mirë që Zoti na do, që Zoti është Dashuri, që më do mua dhe ty, dhe që ne duhet të duamë ashtu siç Ai na do ne… Kur e shikojmë grazhdin e Betlehemit, kuptojmë si na do, duke vuajtur. Kur meditojmë për kryqin e tij, kuptojmë si na ka dashur: vdiq  në kryq, sepse na donte dhe dëshiron që edhe ne ta duam njëri-tjetrin. A na ka dashur.

Përvujtëria është rruga më e sigurt për shenjtërim, sepse Zoti bënë punë të mëdha me ne, siç bëri me Marinë. Jezusi na thotë: mësoni prej meje që jam zemërbutë e i përvujtë… Duhet ta kemi zemrën e përvujtë dhe të pastër, ta pranojmë vullnetin e Zotit, dhe atëherë çdo gjë është e lehtë.

 Në Betlehem, të gjithë ishin plotë me gëzim: barinjtë, engjëjt, mbretërit, Jozefi dhe Maria. Gëzimi ishte shenjë karakteristik i të krishterëve të parë. Gjatë përndjekjeve rrezatonin në fytyra këtë gëzim… E tërë jeta e Shën Palit  mund të përmblidhet në një fjalë: “Jam i Jezusit” dhe asgjë nuk mund të më ndajë prej dashurisë së Krishtit, as vuajtja, as përndjekja, asgjë… Edhe ne duhet të jemi plot me gëzim, dhe ta bartim gëzimin e dashurinë e Zotit te tjerët.” 

Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »