A mësoj ta shikoj veten me sytë e Krishtit?

Aug 4 • Meditimi i ditës

4 gusht 2017 – E premte, Shën Gjon Maria Vianej, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Lev 23, 1.4-11.15-16.27.34b-37; Ps 81,3-6ab.10-11ab; Mt 13,54-58)

 

Prania e Hyjit

Teksa jam duke qëndruar pranë kompjuterit, Hyji është këtu i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe gjithë asaj që më rrethon.
Qëndroj në heshtje një moment,
dhe do të bëhem i/e vetëdijshëm/e për praninë e Hyjit.

 

Liria

Falë hirit të shenjtë të Hyjit më është dhuruar jeta në liri.

Lirisht kënaqem në të mirat që Ai i ka krijuar për mua.

O Zot i dashur, bëj që të mund të jetoj ashtu siç e ke paramenduar ti,

me besim të plotë në kujdesin tënd të butë për mua.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

I jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mt 13, 54-58

 

54 Si erdhi në qytetin ku ishte rritur, i mësonte qytetarët në sinagogën e tyre ashtu që, të mahnitur, thoshin: “Nga i erdhi këtij kjo dije dhe kjo fuqi mrekullish? Po a nuk është biri i zdrukthëtarit? 55

Po a nuk i quhet e ëma Mari e vëllezërit Jakob, Jozef, Simon e Judë? 56 Po a nuk janë ndër ne të gjitha motrat e tij? Nga, atëherë, i erdhën këtij të gjitha këto?” 57 E kjo u shkaktonte mosbesim në të. Prandaj Jezusi u tha: “Profetit nuk i jepet nderim vetëm në vendlindjen e vet e në shtëpinë e vet!”

58 Për shkak të mosbesimit të tyre nuk bëri aty shumë mrekulli.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Duket se ky ishte një moment i shpërthimit të dritës, kur njerëzit e kuptuan fuqinë e urtisë dhe veprimit të Jezusit. Atëherë reja i mbuloi, dhe ata mendonin: “Po të ishte i veçantë nuk do ta kishim lëshuar këtë.”’ Nganjëherë ndodh edhe në jetën tonë që kemi momente të njohjes, kur shohim se sa të bekuar jemi, sa me fat në krahasim me të tjerët. Dhe përsëri, shpejt e gjejmëveten në situata kur i kthehemi kundërshtimeve të zakonshme.
  • Njerëzit nga vendi i Jezusit ishin në praninë e Jezusit, por nuk e njohën kush ishte ai me të vërtetë.
  • Do ta përdor këtë kohë për të qenë në praninë e Jezusit, që ta pranoj dhe lus të më ndihmojë që ta shikoj veten në mënyrën me të cilën ai më shikon mua.

  

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

Me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »