A mos e ke humbur ndjenjën e mirësisë?

Aug 5 • Meditimi i ditës

5 gusht 2017 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lev 25,1.8-17; Ps 67,2-3.5.7-8; Mt 14,1-12)

 

Prania e Hyjit

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.
Mos qofsha kurrë aq shumë i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të rri me ty.

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar.
Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.
Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të jem edhe më i/e vetëdijshëm/e për afërsinë tënde.

Më mëso sesi të njoh ty në të tjerët.

Ma mbush zemrën time me falënderim për shkak dashurisë sate

që ma ke shprehur nëpërmjet njerëzve tjerë.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 14, 1-12

 

1 Në atë kohë Herodi tetrark dëgjoi ç’flitej për Jezusin 2 dhe u tha shërbëtorëve të vet: ’Ky është Gjon Pagëzuesi! U ngjall së vdekuri! Ja, përse ka pushtet të bëjë mrekulli!’
3 E vërtet Herodi e kishte zënë Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte qitur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet. 4 Sepse Gjoni i kishte thënë: ’Nuk guxon ta mbash për grua Herodiadën!’ 5 Herodi donte ta vriste, por druante nga populli, sepse Gjonin e mbanin për profet.
6 Në ditëlindjen e Herodit, bija e Herodiadës vallëzoi para të ftuarve dhe aq i pëlqeu Herodit, 7 sa që me përbetim i premtoi se do t’i jepte çkado që t’i kërkonte. 8 Ajo, e mësuar prej së ëmës: ’Ma jep – tha – këtu në pjatë kokën e Gjon Pagëzuesit!’ 9 Mbretit i erdhi keq, por për shkak të përbetimit e të të ftuarve, urdhëroi t’i jepej. 10 Dërgoi dikë dhe ia preu Gjonit kokën në burg. 11 Kokën e Gjonit e sollën në pjatë, ia dha vajzës e kjo së ëmës.
12 Pastaj erdhën nxënësit e Gjonit, e morën trupin, e varrosën, shkuan dhe i treguan Jezusit.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Premtimi bujar i Herodit nuk ishte në ekuilibër me urtësinë e drejtësinë.
  • Do të lus për njerëz jetët e të cilëve janë jashtë baraspeshës dhe që e kanë humbur ndjenjën e mirësisë së vet. Do t`i kujtoj të gjithë ata që pësojnë padrejtësi për shkak të arrogancës së të tjerëve dhe do t`i lejoj Hyjit të më tregojë se çfarë do të mund të bëja, sesi të lutem. 

 

Bashkëbisedimi

’Rrini zgjuar – mos flini.’
Janë fjalët e tua drejtuar nxënësve para mundimit dhe vdekjes.
E di, o Zot, se do të qëndrosh pranë meje
dhe do të rrish zgjuar të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »