Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!

Aug 5 • LEXIMET E SË DIELËS

Shndërrimi i Zotit (A)

 

Leximi i parë   Dan 7, 9-10.13-14

Lexim prej Librit të Danielit profet

Vrojtoja dhe ja, u shtruan fronet dhe i Tejetlashti u ul. Petku i tij i bardhë porsi bora, flokët e kokës së tij porsi leshi i pastër; froni i tij porsi flaka e zjarrit, rrotat e tij zjarr i ndezur flakë! Lumë i zjarrtë rridhte e dilte përpara tij, mijëra mijërash i shërbenin e miriada miriadash qëndronin përpara tij: po bëhej gjyqi, u hapën librat!

Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   97

Ref: Zoti mbretëron, le të galdojë toka

—————————————————

Zoti mbretëron! Le të galdojë toka,
le të gëzohen ishujt e shumtë!
Re e errësirë janë rreth tij, e drejta
dhe drejtësia janë themeli i fronit të tij.

—————————————————

Para fytyrës së Zotit si dylli
shkrihen malet,
para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
Qiejt e shpallin drejtësinë e tij,
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

—————————————————

Sepse ti je, o Zot,
i Tejetlarti mbi mbarë dheun,
ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.

—————————————————

 

Leximi i dytë   2Pjt 1, 16-19

Lexim prej Letrës së dytë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, ne nuk ju shpallëm fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit të bazuar në përralla të trilluara, por pse e kemi parë me sy të tanë shkëlqimin e tij. Sepse prej Hyjit Atë mori nder dhe lavdi, kur zëri që vinte nga lavdia e madhërueshme i tha: “Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin unë u kënaqa” – të cilin zë, që zbriste nga qielli, e dëgjuam edhe ne që ishim bashkë me të në malin e shenjtë. Kështu u vërtetua fjala e profetëve, dhe bëni shumë mirë që mbështeteni në të si në dritën që ndriçon në vend të errët – deri të zbardhë dita e të lindë Ylli i Dritës në zemrat tuaja. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Prej resë u dëgjua zëri:
Ky është Biri im, Djali i Dishiri! Atë dëgjoni!

Aleluja.

 

Ungjilli (Mt 17, 1-9)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrijmë këtu. Nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.” E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!” Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën për së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm. Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.” Fjala e Zotit.

 

Porosia

Shndërrimi është shfaqja e dytë e madhe e hyjnisë së Jezusit pas Pagëzimit dhe para Ringjalljes. Në qetësi, larg nga bota, tre dishepuj kundrojnë një shkëndijë të amshimit. Jezusi bëhet i gjithi dritë, gjithçka në të shkëlqen. Drita që ndriçon trupin e tij parashpall lavdinë e Pashkës. Ai u komunikon besim atyre që do të duhet të përballojnë skandalin e kryqit. Shndërrimi do të forcojë besimin e dobët të dishepujve, vënë në provë pas shpalljes të mundimeve të tij dhe vdekjes në kryq. Këtu është Hyji që u zbulon dishepujve identitetin e vërtetë të Jezusit: “Ai është Biri im i dëshirit”. Në Të Ati gëzohet sepse realizon projektin e shpëtimit. “Dëgjojeni”: mbarë njerëzimi duhet të dëgjojë Jezusin, Fjalën e jetës, që u zbulon atyre dashurinë e pafundme të Atit. Prania e Moisiut dhe Elisë tregon që plotësia e zbulimit hyjnor të Besëlidhjes së Vjetër, plotësohet në misionin e Birit të Hyjit, tashmë të shndërruar. Kur Jezusi kthehet në gjendjen e tij normale, prek dishepujt e Tij, që kishin mbetur si të vdekur, e u thotë: “ngrihuni”, që domethënë kthehuni të jetoni jetën e përditshme. Shndërrimi është një vaksinë për dishepujt kundër dëshpërimit para dramës së kryqit.  Atë ditë dishepujt kanë përjetuar një shkëndijë të mëngjesit të Pashkëve. Zoti i shndërruar është shpëtimi e njeriut, e do ta shoqërojë në lumturinë e tij të amshuar. Çdo njeri që e dëgjon dhe e ndjek mund të marrë të mirat e ardhshme të mbretërisë së tij.


 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, mbi malin Tabor Jezusi është drita. T’i kërkojmë Atit që të na shfaqë dritën e Birit të tij të dëshirit.  Të lutemi së bashku e të themi:

 

Ndriçoje, o Zot, jetën tonë.

L. O Zot Jezus, drita e botës: kush të ndjek ty nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës. Ripërtërije egzistencën tonë.  Të lutemi.

L. O Zot Jezus, Ti je shkëlqimi i plotë i diturisë së lavdisë së Hyjit Atë. Bëj që qeveritarët të mos kenë frikë nga drita që vjen nga Krishti.  Të lutemi.

L. O Zot Jezus, nëpërmjet veprës sate jemi paracaktuar të bëhemi bij të adoptuar të Hyjit. Bëj që ta pranojmë me besim këtë dhuratë.  Të lutemi.

L. O Zot Jezus, veprat e tua janë shpirt dhe jetë. Bëj që të tërheqim nga Ti ujin e gjallë që shuan etjen tonë.  Të lutemi.

 

M. O Hyj, që në Fjalën tënde bërë njeri ke ndriçuar botën me shkëlqimin e lavdisë sate, dëgjoji lutjet e atij që beson në ty e bëj që thellësisht të ndriçuar nga e vërteta ungjillore të veprojmë në çdo rrethanë si bij të dritës. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.  Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »