Nënë Tereza: “Fëmija – jeta e Zotit”

Aug 5 • Këndvështrime

 

“Nëse sot, ka kaq shumë vuajtje në botë, kaq shumë dhembje, sepse fëmija ende i palindur, fëmija i pafajshëm dhe i pambrojtur, dëbohet, anashkalohet, pengohet… Fëmija është dhurata më e madhe e Zotit, familjes, kombit, botës; fëmija është jeta e Zotit, i krijuar për gjëra të mëdha, në përngjasim të Hyjit, për të dashur dhe për të qenë i dashur.

Dështimi është rreziku më i madh për paqe. Mendoj që asnjë dorë njerëzore nuk do të duhej ta vriste jetën. Çdo jetë është jeta e Zotit në ne. Edhe fëmija i palindur,  e ka në vetvete jetën e Zotit. S’kemi kurrfarë të drejte ta rrënojmë këtë jetë me çfarëdo mjeti që mund të përdorim ne… Fëmija është gjithmonë dhuratë e Zotit… Për mua, nëse lejohet dështimi në vendet e pasura, që kanë të gjitha mjetet dhe pasuritë që mund të sigurohen me para, këto shtete janë të varfëritë ndër më të varfër… Shumë fëmijë sot janë të padëshiruar, të padashur… Gjëra e mrekullueshme  është që fëmija ka arritur t’i ikë vdekjes nëpërmjet duarve të prindërve të vet, kur ata e kanë pranuar… Kjo është një ndër veçoritë e mrekullueshme të popullit tonë, gatishmëria për t’i pranuar fëmijët, për t’i birësuar dhe dhuruar atyre një vatër dhe dashuri për fëmijët e padëshiruar, Krishtit në trajtën e këtyre fëmijëve.

Fëmijëve dhe të sëmurëve, të gjithë atyre që vuajnë dhe janë të vetmuar, dhurojuni buzëqeshjen tuaj: jo vetëm vëmendjen tuaj, por edhe zemrën tuaj… Është shumë gjë e veçantë që Zoti ka zgjedhur një fëmijë ende të palindur për ta dëshmuar para të gjithëve ardhjen e Jezusit; por është shumë e dhimbshme të mendojmë për shumë fëmijë të palindur, sot, me vullnetin e prindërve të tyre… Rreziku më i madh për paqe është dështimi, sepse nëse mund ta shkatërrojmë jetën që e dhuron Zoti, dhe nëse nëna mund të bëhet vrastare e fëmijëve të saj, çka të themi atëherë për vrasjet tjera, luftërat në botë? Dështimi është nisja e të këqijave në botë. Ka uri për bukën e përditshme, për mirësi, dashuri, për jetë dhe për kujdes. Sot kjo varfëri e madhe i mundon shumë njerëz… O Zot, na jep këtë hir që të ndërpritet vrasja e fëmijëve në kraharorin e nënave në botë. Virgjëra  tejet e Shenjtë, ti që e ke pranuar me aq dashuri Jezusin, ndihmo dhe mbro të gjitha nënat e botës nga mëkati i dështimit.” /drita.info

 

Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »