Prindërit e thirrjeve të shenjta

Aug 6 • Këndvështrime

 Nga Imzot Nikë PRELA

 

Mendoj se është rradha dhe e meritojnë prindërit e meshtarëve tanë dhe rregulltareve tona që t’ju kushtoj një vend të posaçëm pas apostulltatit të meshtarëve, diakonëve dhe rregulltarëve, sepse duhet të kenë një vend të tillë në Kishë. “Prindërit e thirrjeve” – për çudi e fatmirësisht që nuk u bënë klasë e veçantë, e privilegjuar në Kishë. Përkundrazi, ata në heshtje e fshehtësi, anash e të pavërejtur i përcjellin fëmijët e tyre tek altari dhe në kuvend, por edhe më vonë. Ndoshta ka prej tyre, ata që janë nëpër famulli, por rrallë, që mund të marrin atë qortim, nëse mund të thuhet qortim ndaj Marisë kur Jezusi i tha në Kanë të Galilesë: “Moj burrneshë, a është punë për ne?” (Gjn 2, 4). Ndonjëherë disa prindër për shkak të dashurisë naive krijojnë barriera mes besimtarëve dhe famullitarit, djalit të tyre. Porse, tregohet nëna xheloze edhe në jetën martesore të fëmijëve të vet, ndaj dhëndërve dhe rejave.

Në shembullin e “prindërve të thirrjeve” tanë, unë shoh fatin e ripërtërirë të Marisë dhe Jozefit, për të cilët ungjilli ua kushton pak hapësirë. Sikur kanë përparësi mëkatarët, farizejtë, saducenjtë dhe apostujt. Për ta filet shumë më tepër. Kështu “prindërit e thirrjeve” thjeshtë shkrihen në misionin dhe shërbesën e fëmijëve të tyre meshtarë dhe rregulltarë. E kështu ndoshta e ka caktuar Provania. Si të kuptohet ndryshe që e vetmja “nënë e thirrjes” u shpall shenjtëreshë – Shën Monika, shembull i shkëlqyer i nënës së krishterë, e cila na dhuroi pendestarin e madh, mësuesin e Kishës, meshtarin dhe ipeshkvin Shën Augustinin.

Thuhet se prindërit e Shën Terezës Foshnje ende presin (më 2015 janë shpallur të shenjtë nga Papa Françesku, fotoja në ballinë, vër. e redaksisë) , për shkaqe të panjohura për mua, në radhë para dyerve të Kongregatës për shpalljen e shenjtërve. Shumë nëna e etër të meshtarëve dhe motrave të nderit do të meritonin menjëherë të kanonizoheshin, e disa pas vdekjes.

Di për shumë shembuj që janë laik të vyeshëm dhe të veçuar – bashkëpunëtorë të meshtarëve që kanë pranuar mirënjohje të larta nga ana e Papës për shërbimin e tyre, por nuk jam në dijeni se këtë e kanë marrë prindërit e thirrjeve për shkak se janë “prindër të thirrjeve”. Çfarë të thuhet për ata prindër që Kishës i dhurua edhe më shumë fëmijë për meshtarë dhe rregulltarë, e mbetën pa kurrfarë mirënjohje! Ata nuk presin mirënjohje, jam i bindur për këtë, sepse dhurata më e madhe për ta është që fëmija i tyre iu ka kushtuar Zotit. Kam njohur një shembull kur një prind, përkundër të gjitha sakrificave të bijës së saj në spitale apo tek të tjerët të dobët dhe nevojtarë, vetë kishte mbetur pa ndihmë dhe mbështetje. E njëjta ngjanë edhe me prindërit e meshtarëve.

Një nënë kishte vdekur nga gëzimi kur e kishte parë për të parën herë bijën e saj në veshjen rregulltare.

Marrëdhëniet me prindërit e thirrjeve ndonjëherë janë të papritura, për të mos thënë të çuditshme. Për shembull nëna ime nuk më lejonte të prek me dorë asgjë në shtëpi, sepse me duar të mia unë e shuguroj Korpin dhe Gjakun e Krishtit. Me rrëfente një rregulltare se si i duhej domosdo ta lejonte nënën e saj t’ia lante këmbët për çdo pushim kur ishte në shtëpi. Çdo kundërshtim ishte i kotë.

Çfarë të thuhet për nënën e Papës së shenjtë Pio X, të cilën nuk donte ta pranonte në audiencë, derisa nuk e veshën me petkat e saja të vërteta fshatarake, dhe kur e kishte pranuar si argjipeshkëv i Venedikut – ishte shumë shakaxhi – e sfidoi nënën e vet duke ja treguar unazën e çmueshme ipeshkvore, kurse nëna ia tregoi unazën e thjeshtë të martesës dhe i tha: “Po mos të ishte kjo e imja, nuk do ta kishe atë unazë të çmuar.”

Nëna e Shën Vinçenc de Paulit e kishte mësuar birin e vet që nga fëmijëria, që tek secili njeri, posaçërisht tek të varfërit ta sheh Krishtin, kështu që Vinçenci kur trokiste ndonjë varfanjak kalimtar, i thonte nënës: “Nënë, Jezusi është te dera.“

Pra, nuk është e çuditshme që Shën Vinçenci u kushtoi aq shumë kujdes të varfërve.

Dihet se “Nëna Margarita“, nëna e Shën Gjon Bosko ishte bashkëpunëtore më e qëndrueshmja nëpër oratoriume edhe në pleqëri e saj. Nëna e Shën Gjon Maria Vianey sigurisht se ishte më e merituara për t’u realizuar kjo thirrje e madhe, edhe pse thirrje “e vonshme“.

Nuk mund të mos e përmend shembullin e nënës së Nënë Terezës, e cila që në moshën e re i printe bijës së vet në rrugën e mëshirës, deri në themelimin e shoqërisë “Misionaret e dashurisë“.

Këtu do të theksoja në mënyrë të veçantë nënat e meshtarëve – e kush do të mund t’i numëronte të gjitha – që ranë si fli e urrejtjes ndaj Kishës, ndaj fesë, në epokën e revolucionit dhe tronditjeve të shumëllojshme, madje edhe atyre që ranë për shkak të përgojimeve dhe sharjeve, pa marrë parasysh ishin apo jo fajtor. Më duket se profetizimi i Simon plakut në Tempullin e Jerusalemit rëndon si shpata e Demakliut mbi kokat e nënave të thirrjeve, për të cilat janë vazhdimisht në ankth dhe parandjenjë: “Ty një shpatë do ta shporojë shpirtin.“ Sa nëna i kanë përballuar vdekjeve të bijve dhe bijave – fli të urrejtjes ndaj Kishës dhe fesë!

Ishte e lumtur nëna e kardinalit Stepinac, si dhe shumë nëna tjera, që nuk e përjetoi deri në fund nënçmimin dhe flijimin e birit të saj.

Më është dukur interesante, madje e çuditshme, kur në shoqëri të një meshtari në vendin e tij të lindjes e takuam nënën e tij, e cila ma puthi dorën së pari mua e pas edhe birit të saj. Meshtari më shpjegoi se ky gjest është traditë, dhe Zoti mos e dhashtë që mos ta pranosh këtë shenjë të nderimit të nënës. Për më tepër, ai më tha se zakonisht e rrëfen nënën dhe gjithë farefisin. Unë çuditesha, sepse nuk kisha patur guxim dhe më është dukur e pakëndëshme kur nëna ime më ishte lutur për rrëfim. Ai më tha se kur nëna e tij ishte rrëfyer për të parën herë me të, i kishte hapur duart si Simon plaku në Tempull dhe kishte thënë: “Eh, sikur të vdisja tani, sepse përjetova që biri im t’mi zgjidh mëkatet.“

Të lumë janë këta bijë, por të lumë edhe këto nëna për fenë e tyre! Përmes të kësaj feje të “nënave të thirrjeve”, guxojë të pohoj, më shumë e pasurojmë fenë tonë se sa në teologji.

Pikërisht rolin e këtyre nënave do të duhej ta marrin profesorët dhe edukuesit e kandidatëve për meshtarë.

Ne nuk mund t’u dalim borxh denjësisht prindërve tanë vetëm me përjetime të këtilla të meshtarisë dhe rregulltarisë sonë.   

Nuk është e çuditshme dëshira e disa meshtarëve që edhe pas vdekjes të gjinden në përqafimin e prindërve të tyre në varrezat familjare.

Kishte filluar Lufta e Dytë Botërore, viti 1941, kur u dërgova në famulli, dëgjoheshin krismat e topave e pushkëve dhe era e barutit e gjaku i njerëzve gjithandej. Ishte vërtet vështirë, e unë i ri dhe pa përvojë. Shtëpia ishe e zbrazët, për ushqim vuanin të gjithë besimtarët në atë territor pasiv. Që në ditët e para e kam vërejtur se në mëngjes pas meshe dikush – sikur në legjendën mbi Nhën Kollin – fshehtazi më sillte mëngjesin dhe e vendoste në dritare. Unë me falënderim e merrja e haja të gjithin e mandej e ktheja përsëri në dritare. Kë duhet ta falënderoj, kush ishte ai bamirës im i panjohur? Një kohë të gjatë nuk e kisha zbuluar. Një ditë fqinja më tregonte se e kishte pasur djalin në seminar, por i kishte vdekur para lufte. Unë i përngjaja në djalin e saj, prandaj edhe përkujdesej për mua sikur të isha djali i saj, i cili nuk e kishte realizuar dëshirën për t’u bërë meshtar. Nga ky shembull hetojmë gjerësinë e të qenit në ndihmë të “nënave të thirrjeve“, të cilat vërtet na mahnitin. Me siguri ka edhe mjaftë “heroina“ të kësaj natyre, “nëna të thirrjeve“, por këtë ju lë lexuesve që vetë t’i zbulojnë. Kur do të lusim për thirrje, t’i kujtojmë në lutje edhe prindërit e thirrjeve shenjta, e kur do të kemi nëna të këtilla më shumë atëherë do të kemi më shumë meshtarë dhe rregulltarë.

Do ta përfundoj me shembullin e atit të shën Mikel Po-s, martirë meksikan. Kur shenjti ishte i shtrirë në arkivol, besimtarët dhe dashamirët vinin paprà, kurse i ati i shenjtit – kokëlartë, serioz, por edhe i qetë, derisa të tjerët me lot për faqe ia shtrëngonin dorën në shenjë ngushëllimi – me krejt zërin iu tha: “Sot nuk pranoj ngushëllime, por vetëm urime!”

Pse nuk e caktojmë një ditë në vit, po edhe disa ditë, për prindërit e thirrjeve, si falënderim apo kremtim, në shenjë mirënjohjeje? Pse mos ta fillojmë aksionin për ta fituar edhe ata pajtorin e tyre, një shenjtë bashkëkohor, të njohur për të gjithë!? Ndoshta kjo pajtore do të mund të ishte nëna e Nënës Tereze – nëna Drane, e cila e mbaroi jetën e vet në tokën e parë dhe të vetme ateiste pa e përjetuar shtrëngimin e bijës së saj, e cila kjo vet ia dhuroi Kishës dhe botës bashkëkohore./drita.info

(Nga libri: Imzot Nikë Prela, Vështrime dhe meditime, Drita 2006, f. 95-100)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »