Shën Nënë Tereza: “Të varfërit ndër më të varfër – vetë Jezusi”

Aug 6 • Këndvështrime

“Bashkësia ime janë të varfërit, siguria e tyre është e imja, shëndeti i tyre është i imi… Shtëpia ime është shtëpia e të varfërve ndër më të varfër, atyre që askush nuk u afrohet, sepse janë me sëmundje ngjitëse. Atyre që nuk shkojnë në lutje, sepse nuk mund të dalin nga shtëpia të zhveshur. Atyre që nuk hanë, sepse nuk kanë më fuqi. Atyre që nuk plandosën në trotuare, sepse e dinë se janë duke vdekur dhe pranë tyre kalojnë kalimtarët pa ua lëshuar sytë. Atyre që nuk qajnë, sepse nuk kanë më lot.

Nëse motrat tona, në këta njerëz nuk do ta shihnin fytyrën e Krishtit, puna e tillë do të ishte e pamundshme (ajo mendonte sidomos me punë me ata që janë në buzë të vdekjes dhe të gërbulurve, vr. ime). Ne duam që të bindën se janë njerëz që meritojnë dashurinë e vërtetë – edhe më tepër, që Zoti i do pa masë. Këtu, ata e gjejnë dinjitetin e tyre njerëzor dhe vdesin në heshtje mbresëlënëse… Zoti e do heshtjen…  E tërë koha ime është e të tjerëve, sepse duke u kushtuar me tërë zemrën time të varfërve, të sëmurëve, të vuajturve, ne  shërbejmë Krishtin në fytyrën e tij të shëmtuar, sepse vetë ai na thotë: “Më keni bërë mua”.  

Sot ka shumë mjekime gati për çdo lloj sëmundje. Mirëpo s’ka duar të mira për shërbim, zemra bujare për flijim dhe dhurim. Mendoj që kurrë s’do të mund të shërohet sëmundja  e mos-dashurisë… Asnjë sëmundje, as gërbula, s’mund ta shëmtojë fytyrën njerëzore, që mos ta njoh në të fytyrën e vëllait apo motrës, edhe më shumë, vetë fytyrën e Krishtit që vuan.”/drita.info

Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »