Shën Nënë Tereza: “Mëkati më i madh është mungesa e dashurisë”

Aug 7 • Këndvështrime

Jezusi mund të falë shumë, sepse ka shumë dashuri, mund ta falë një mëkat të madh. Siç është për Jezusin, ashtu duhet të jetë edhe për ne, nëse vërtet duam të falim, duhet vërtet të duam.

Mëkati më i madh është mungesa e dashurisë, indiferenca e tmerrshme për të afërmin, që lëngon nëpër rrugët e botës, si viktimë e shfrytëzimit, korrupsionit, moskujdesit shëndetësor, padrejtësisë.

Mëkati na përndjek, është i pranishëm në ne. Mirëpo kurrë nuk duhet të dorëzohemi dhe dëshpërohemi. Nuk duhet të ndihemi dhe të jemi të pashpresë… Gjithë kjo nuk na nevojitet, nëse e kemi kuptuar butësinë e dashurisë së Zotit. Ne jemi të çmuar për Atë, sepse Ai na do, na do aq përkushtim, sepse jemi të trajtuar me dorën e tij… Kur zemra juaj është e shqetësuar, kur zemra juaj është në dhembje, kur zemra juaj duket se po thahet… atëherë kujtojeni këtë: “Unë jam i çmueshëm për Atë, Ai më do. Më ka ftuar për emër. Jam i tij. Zoti më do. Për ta dëshmuar dashurinë e tij Jezusi ka vdekur në kryq. 

Ne, gjithçka bëjmë për Jezusin. Unë 24 orë në ditë jetoj për Jezusin, atij ia dhuroj jetën time, zemrën time, dashurinë time, punën time, të gjitha.

Ne jemi kontemplative aktive në botë, jetojmë vetëm për Jezusin. Atë e zbulojmë, shërbejmë dhe duam para së gjithash në Eukaristi, në uratë, në meditim, pastaj në njerëz që vuajnë. Nëse nuk do funksiononte feja jonë, do të ishte e pamundshme dashuria dhe shërbimi ynë ndaj të afërmit.  

Do të duhej t’ia mundësonim Jezusit, në dritën e dashurisë, që t’ia sjellim një mori të të varfërve në bashkësinë e Kishës dhe me Zotin, për shëlbimin e tyre, por edhe për lavdinë sa më të madhe të Hyjit. Këtë na mundëson miqësia dhe bashkëpunimi ynë besnik dhe me dashuri me Të…

 Fjalët tona dhe jeta jonë është e zbrazët, nëse nuk lind nga thellësia e zemrës, nga dashuria për Zotin dhe për të afërmin. Fjalët që nuk bartin dritën e Jezusit, e rrisin edhe më shumë errësirë.”/drita.info

 Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »