Rëndësia e fokusimit në jetë

Aug 8 • Meditimi i ditës

8 gusht 2017 – E martë, Shën Dominiku, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Num 12,1-13; Ps 51,3-7.12-13; Mt 14,22-36)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.
Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.
Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.
Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.
Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.
Më përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.
Dashuria, buzëqeshja, përkujdesi dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
i vështroj të gjithë ato gjëra që më kanë ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ndodhitë që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çka më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 14, 22-36

 

22 Pastaj aty për aty Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. 23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.
24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër. 25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. 27 Por, menjëherë Jezusi u tha:
“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”
28 Pjetri u përgjigj:
“Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”
29 “Eja!” ‑ i tha.
Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti:
“Më shpëto, o Zot!”
31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha:
“Fepakët! Përse dyshove!”
32 Kur hynë në barkë, pushoi era. 33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:
“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”
34 Pasi kaluan detin, u kapën në breg në Gjenezaret. 35 Njerëzit e atij vendi, posa e njohën, e vunë në dijeni mbarë krahinën dhe ia sollën të gjithë të sëmurët. 36 I luteshin t’i lejonte t’i preknin vetëm kindin e petkut të tij. Ata që e prekën, u shëruan.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi nuk erdhi menjëherë për t`i shpëtuar nxënësit që po luftonin. Në fakt, i la që të luftojnë gjatë gjithë natës.Edhe ne kemi një përvojë të ngjashme: besimi ynë arrin nganjëherë deri në atë pikë, sa që mendojmë se do të thyhet.
  • Humaniteti i Pjetrit i jep njëfarë sigurie. Pa u menduar hidhet në ujë. Por, sapo i largoi sytë e fokusuar mbi Jezusin, filloi të fundosej.
  • Ky është një mësim për ne të gjithë në këto kohë të trazuara në të cilat jetojmë. Në jetë duhet mbajtur shikimintonë kah Jezusi, jo kah valët.

  

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time. 
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime. 
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua. 
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time. 
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje. 
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, përlavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »