Shën Nënë Tereza: “Të varfrit janë urata jonë”

Aug 9 • Këndvështrime

Si mund t’i kuptojmë të varfrit, nëse ne nuk jetojmë në varfëri? Ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezusit, ndërsa ata janë të detyruar të jenë të varfër prej të tjerëve. Varfëria na bënë të lira nga gjësendet, nga gjithçka dhe të gjithë, për të qenë tërësisht të Jezusit.

 Kongregata ime duhet të mbesë besnike Jezusit të varfër. Ne duhet të jetojmë nga besimi në Provaninë e Zotit. Rreziku më i madh për ne është pasurimi… Kur Kongregata ime do të bëhet e pasur, do të vdesë, sepse ne nuk jemi punëtore shoqërore. Kushti i varfërisë na ndihmon shumë edhe për pastërti dhe dëgjesë. Me varfëri ne zgjedhim vetëm Jezusin, me dëgjesë e dëgjojmë, me pastërti e dashurojmë.

Unë shoh në çdo njeri, sidomos në të varfër, Jezusin e vuajtur. Të varfëritë nuk kanë nevojë për mëshirën tonë. Ata kanë nevojë për ndihmën tonë dhe për kujdesin tonë… Ata kanë pak, asgjë, por dhurojnë shumë, gjithçka… Nëpërmjet të varfërve do të vijë paqja në botë, sepse ata vuajnë shumë… Të varfrit janë urata jonë. Ata bartin Zotin në veten e tyre. Jezusi nga kryqi ka thënë: “Kam etje”. Etja e tij nuk ishte për ujë, por për dashuri. Qëllimi ynë është ta shuajmë këtë etje…. Njerëzit që kanë gjithçka, kanë etje për dashuri, dëshirojnë që t’i kuptojmë dhe t’i njohim si vëllezër dhe motra tona. Nuk duhet të turpërohemi të lypim prej derës në derë, nëse është e nevojshme… Jezusin, në kryq, nuk kishte asgjë. Edhe kryqin ia kishte dhuruar Pilati. Gozhdat dhe kurorën me ferra ushtarët. Ishte i zdeshur… Ishte i mbështjell në një çarçaf dhuruar nga një person bujar dhe i varrosur në një varr të huaj.. Ai e zgjodhi varfërinë sepse e dinte se ishte mjeti për të qenë të pasur në Zotin dhe për ta sjell dashurinë e Tij në tokë… Mendoj se një person i varur nga pasuria, që brengoset për pasuri, është vërtet shumë i varfër.

Nëse ky person e vë pasurinë në shërbim të tjerëve, është i pasur, shumë i pasur… T’i ndihmojmë dhe t’i duam gjithë të varfrit, materialisht dhe shpirtërisht, sepse vetëm kështu mund të jemi besnikë ndaj Jezusit, duke ndihmuar dhe dashur të afërmin…

Të varfrit janë të mrekullueshëm. Kanë dinjitetin e tyre që mund ta hetojmë shpejt…Varfëria për ne së pari është dashuri, pastaj flijim. Për të dashur duhet të dhurojmë, të jemi të lirë prej egoizmit…

Ne kemi pranuar shumë më tepër prej të varfërve, se  që kemi dhënë… Nga të varfrit mund të mësojmë t’i pranojmë çështje e rënda dhe kundërshtimet, që të jemi të kënaqur me pak të mira materiale, që të çmojmë shumë pakicën”. /drita.info

Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »