Papa Françesku: Falja e Zotit është shpresë për jetë të re!

Aug 11 • Kisha në botë

Kemi dëgjuar reagimin e të ftuarve të Simonit, fariseut: “Kush është ky që po i fal edhe mëkatet?!” (Lk 7, 49). Jezusi kishte bërë një gjest skandaloz. Një grua në qytet, e njohur prej të gjithëve si mëkatare, hy në shtëpinë e Simonit dhe përkulet te këmbët e Jezusit dhe derdh vaj erëmirë në këmbët e tij. Të gjithë ata që ishin aty në tavolinë, nynykatën: po të ishte Jezusi profet nuk do të duhej të pranonte një sjellje të këtillë nga një grua mëkatare. Ato gra të ngrata, që shërbenin vetëm për takime të fshehta, edhe prej kryetarëve, ose për t’i vrarë me gurë. Sipas mentalitetit të kohës, ndërmjet shenjtit dhe mëkatarit, ndërmjet të pastrit dhe të papastrit, ndarja duhej të ishte e dukshme.

Po sjellja e Jezusit është ndryshe. Që nga fillimi i misionit të tij në Galile, Ai i afron të gërbulurit, të pushtuarit nga djalli, të gjithë të sëmurët e të përjashtuarit. Nuk ishte parë kurrë në ato ana një sjellje e tillë. Ç’është e vërteta, kjo simpati e Jezusit për të përjashtuarit, “të paprekshmit”, do të jetë një nga gjërat, që do t’i shqetësonte më së shumë bashkëkohasit. Atje ku është një njeri, që vuan, Jezusi e merr mbi vete e vuajtja e tjetrit bëhet e Tija. Jezusi nuk u predikon njerëzve ta mbartin vuajtjen me heroizëm, sipas mënyrës së filozofëve stoikë. Jezusi merr pjesë në dhimbjen njerëzore, e ndan vuajtjen me tjetrin. E kur e takon, nga e gjithë vetvetja i buron  sjellja e mëshirshme, që karakterizon krishterimin. Jezusi para vuajtjes së njeriut ka mëshirë; zemra e Tij është e mëshirshme. Jezusi provon dhembshuri. Fjalë për fjalë: Jezusi ndjen drithërime të brendshme. Sa herë hasim sjellje të këtilla në ungjijtë. Zemra e Jezusit e mishëron dhe e dëfton Zemrën e Hyjit, që atje ku është një burrë a një grua që vuan, Jezusi dëshiron shërimin e tyre, dëshiron çlirimin, jetën e plotë. Ja pse Jezusi ua hap krahët mëkatarëve. Sa e sa njerëz edhe sot kalojnë jetë të gabuar, sepse nuk gjejnë askënd që të jetë i gatshëm t’i shikojë ndryshe, me sytë, a më mirë të themi, me zemrën e Zotit, domethënë me shpresë. Ndërsa Jezusi shikon mundësinë e ringjalljes edhe në njeriun, që zgjedh vazhdimisht rrugë të gabuara. Jezusi është gjithnjë aty, me mëshirën, që ka në zemrën e hapur në dy kanatat, duke e shikuar njeriun me ndjesë e shpresë. Ai përqafon, kupton, afrohet. Kështu është Jezusi!

Nganjëherë harromë se për Jezusin nuk ka qenë një dashuri e lehtë, pa çmim. Ungjijtë japin reagimet negative kundër Jezusit kur ky i fali mëkatet një njeriu (khs. Mk 2, 1-12). Ishte një njeri që vuante dyfish: sepse nuk mund të ecte dhe sepse ndjehej se “ishte në rrugë të gabuar”. Jezusi e kupton se vuajtja e dytë ishte më e dhimbshme se e para, aq sa menjëherë e pranon me një shpallje lirie: “Biro, të janë falur mëkatet!” (rr. 5). E liron nga ndjeja e shtypjes për t’u ndjerë i gabuar.  E pastaj disa skribë – ata që e mbajnë vetën të përkryer, e unë mendoj për katolikë, që besojnë se janë të përkryer e i përbuzin të tjerët… kjo është e pikëlluese – që ishin të pranishëm u skandalizuan nga fjalët e Jezusit, që për veshët e tyre tingëllonte si një blasfemi, sepse vetëm Hyji mund të fal mëkatet.  

Ne, që jemi mësuar ta provojmë faljen e mëkateve ndoshta edhe tepër lehtësisht, duhet të kujtohemi nganjëherë sa shtrenjtë i ka kushtuar dashurisë së Hyjit! Për secilin prej nesh Hyjit i ka kushtuar me jetën e Jezusit! Ai do ta kish dhuruar edhe vetëm për njërin nga ne. Jezusi nuk shkon në kryq sepse i shëron të sëmurët, sepse predikon dashurinë, sepse shpall lumturitë. I Biri i Zotit shkon në kryq, posaçërisht sepse i fal mëkatet, sepse dëshiron lirimin e plotë, përfundimtar të zemrës së njeriut. Sepse nuk pranon që njeriu ta konsumojë tërë jetën e vet me këtë “tatuazh” të pashlyer, me mendimin se nuk mund të jetë i pranuar nga zemra e mëshirshme e Hyjit. Me këto ndjenja Jezusi i takon mëkatarët, që të gjithë ne jemi të tillë.

Kështu mëkatarët falen. Jo vetëm se qetësohen psikologjikisht, pasi çlirohen nga barra e mëkatit, por Jezusi bën shumë më tepër. Jezusi, njerëzve që kanë gabuar, u ofron shpresën për një jetë të re. “Por, o Zot, unë s’jam njeri, po zhele” – Shiko përpara e unë do të jap një zemër të re”. Kjo është shpresa që jep Jezusi. Një jetë  të shënjuar nga dashuria. Mateu, tagrambledhës, e Mateu, një tradhtar i vendit të vetë e një shfrytëzues i njerëzve, bëhen apostuj të Krishtit. Zakeu nga Jerihoni, një i pasur i korruptuar – i specializuar për ryshfet – shndërrohet në një bamirës i të varfërve. Gruaja nga Samaria, e cila i kishte pasur pesë burra e tani bashkëjeton me një tjetër, e ndjen t’i premtohet  “uji i gjallë” që do të buron gjithmonë në jetën e saj (khs. Gjn 4, 14). Në këtë mënyrë Jezusi i ndryshon zemrat. Kështu bën edhe me ne.

 Na bën mirë të mendojmë se Hyji nuk zgjodhi si brumë të parë për Kishën e vet njerëz, që nuk gabojnë kurrë. Kisha është popull mëkatarësh, që provojnë mëshirën dhe faljen e Hyjit. Pjetri i kuptoi më shumë të vërtetat për veten nga kënga e gjelit, sesa nga hovet e zemërgjerësisë që i vlonte në kraharor, duke e bërë ta ndjente veten mbi të tjerët.

Vëllezër e motra, të gjithë jemi mëkatarë të shkretë, nevojtarë për mëshirën e Zotit, që ka forcë të na shndërrojë e të na japë shpresë; e të na e japë ditë për ditë dhe e bën këtë! Atyre njerëzve, që e kanë kuptuar këtë të vërtetë themelore, Hyji iu dhuron misionin më të bukur në botë, domethënë, dashurinë për vëllezërit e motrat, dhe kumtimin e një mëshire, të cilën ai nuk ia mohon askujt. Kjo është shpresa jonë. Të ecim përpara me këtë besim në faljen, në dashurinë e mëshirshme të Jezusit.

(Teksti i plotë i audiencës së përgjithshme, e mërkurë, 9 gusht 2017. Aula e Palit VI. Përkthimi: Rev. “Drita”)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »