Shën Nënë Tereza – “Veronika e ditëve tona”

Aug 11 • Këndvështrime

Nuk mund ta ndjekim Krishtin pa e pranuar kryqin e tij. Krishti është i pandashëm nga kryqi dhe Kalvari… Ata që e ndjekin Krishtin me besnikëri, bota i urren, sepse ata janë sfidë për mentalitetin e sotëm, ashtu siç e urrenin Krishtin. Bota e sotme është një “Kalvar i hapur” .

Të gjithë ne duhet ta marrim kryqin tonë, të gjithë ne duhet ta shoqërojmë Jezusin  në ngritjen e tij në Kalvar, nëse dëshirojmë të mbërrijmë së bashku me Të në maje të kodrës…, te ngjallja. Në “udhën e kryqit” tonë shohim Jezusit e varfër dhe të uritur, që rrëzohet. Jemi aty për t’i ndihmuar? Jemi aty me flijimet tona, me copën e bukës, të bukës së vërtetë? … Kjo është një të ndalur të udhës së kryqit: Jezusi i pranishëm në ata që kanë uri dhe pësojnë nën barrën e kryqit. Në të ndalurit e katër të udhës së kryqit Jezusi takohet më Nënën e vet. A jemi nëna për ata që vuajnë? … A jemi Simon Cirineu i cili e mori kryqin e Jezusit duke e përkrah dhe ndihmuar? …Veronika… A jemi si Veronika në lidhje me të varfër? … Jezsusi prapë  rrëzohet. Sa herë kemi mbledhur nëpër rrugë qenie njerëzore, që kanë jetuar si kafshë e që dëshironin të vdisnin si engjëj!… Është Jezusi që ka nevojë që dora jonë ta fshijë fytyrën e tij…

Ishte i zhveshur. Sot, krijesat e vogla janë pa dashuri ende pa lindur. Duhet të vdesin, sepse nuk duan një fëmijë më tepër…

Jezusi është i kryqëzuar. Sa qenie njerëzore me të meta, vonesa mentale, edhe në fëmijëri, mbushin spitalet! Sa ka të tillë edhe në familje tona!…

Ta fillojmë Udhën e Kryqit, me guxim dhe gëzim, sepse nëpërmjet Kungimit të Shenjt, Jezusi është me ne… Shikoni e do të shihni: kudo ka qenie njerëzore që vuajnë urinë dhe e drejtojnë shikimin e tyre kah ne. Mos ua ktheni shpinën të varfërve, sepse të varfrit janë Krishti. Duhet ta duam Krishtin deri në dhembje. 

Dhembja nuk është një ndëshkim. Jezusi nuk ndëshkon. Dhembja është një shenjë – shenjë që jemi afruar kah Jezusi në kryq, kështu që Ai mund të na puthë, mund të na tregojë dashurinë e tij, duke na mundësuar pjesëmarrje në misionin e tij.

Në vuajtjen e tij, Zotëria Jezu thotë: U bëftë vullneti yt. Bëj me mua çka dëshiron. Gjithë kjo ishte tejet e rëndë për Zotërinë tonë Jezusin… Ai pranoi në heshtje dhe nga kryqi na dhuroi Nënën e vet. Pastaj tha: “Kam etje” dhe “Gjithçka u krye.”  

 Të pranosh gjithçka për Jezusin. Pranimi i Jezusit të vuajtur dhe të plagosur… Mos harroni që mundimi i Krishtit ka përfunduar gjithmonë me ngjalljen e tij të gëzueshme. Mos lejoni që asnjë vuajtje ta errësoi aq shumë jetën tuaj, sa që të harroni gëzimin e ngjalljes… Unë kam menduar dhe medituar shumë për kryqin. Vetvetiu vuajtja s’është asgjë, dhe vetëm vuajtja e bashkëndarë me Krishtin, është një dhuratë e mrekullueshme. Zoti na do shi nëpërmjet kryqit…. Ati e dërgoi Birin e vet, Jezu Krishtin, për ta shëlbuar botën, që të vdiste për ne dhe t’i shpërblente mëkatet tona, të ngjallej për shëlbimin tonë. Kështu Ai na do gjithmonë.” /drita.info

Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »