Shugurimi dhe mesha e parë e Don Kolë Dedaj

Aug 11 • Kisha në Kosovë

Në Katedralen Shën Nënë Tereza në Pishtinë, më 5 gusht  2017, u shugurua meshtar diakoni Don Kolë Dedaj, nga duart e ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Kurse, të nesërmen, më 6 gusht, e kremtoi meshën e parë në kishën famullitare Shën Pjetri e Pali në Gjakovë.

 

Shugurimi

Gëzimit të madh të shugurimit të Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë që bëhet më 5 shtator, i parapriu një tjetër gëzim, shugurimi i meshtarit të ri, Don Kolë Dedaj, nga Korenica e Gjakovës. Semianrin e vogël e ka kryer në Prizren, kurse seminarin e madhe, studimet filozofike dhe teologjike i ka kryer në Seminarin Ndërdioqezan të Shkodrës. Shugurimin diakonal e ka pasur më 31 korrik 2016 në Gjakovë, ndërsa shugurimin meshtarak, më 5 gusht 2017 në Katedralen e Prishtinës.

Meshës i priu, Bariu i Kishës në Kosovë, Shkëlqesia e tij, Imzot Dodë Gjergji në bashkëmeshim me një numër të madh meshtarësh nga Kosova dhe Shqipëria.

Imzot Dodë Gjergji, fillimisht përshëndeti të gjithë të pranishmit, meshtarët, formatorët e seminarit ndërdioqezan të Shkodrës, ku Don Kola ka kaluar vitet e formimit të tij, pastaj seminaristët e shkollës, familjen dhe të afërmit e meshtarit të ri.

“Javën e kaluar shuguruam diakonin e ri, Marjan Topallin, ndërsa sot jemi mbledhur për ta shuguruar meshtar diakonin Don Kolën, me të cilin po e bashkëndajmë këtë gëzim të madh. Lutemi që mbi të të zbresë e të veprojë shpirti i Zotit, për ta jetësuar Ungjillin në shërbim të Kishës dhe popullit”, tha ipeshkvi.

Vazhdoi mesha dhe kremtimi i riteve të pasura të shugurimit, të përcjella me devotshmëri dhe muzikën kishtare të mrekullueshme të Korit të Katedrales.

Fjalën e homelisë e mbajti Dom David Gjugja, i cili e inkurajoi meshtarin e ri, për punën që e pret. Duke folur për figurën e meshtarit dhe rolin e tij në shërbim të Zotit, kishës e popullit, tha se ky nuk është profesion apo funksion, por është mision i shenjtë. I dashur Kolë, kur të kremtosh Meshën, mundohu të jesh i denjë, me pastërtinë e zemrës, të mendjes, të korpit, të dashurisë, sepse këtë shërbesë shenjte e ke marrë prej Jezu Krishtit, i cili u ka thënë Apostujve: “bëni këtë në përkujtimin tim” dhe atyre ua besoi pushtetin e Tij hyjnor për “t’i lidhur e zgjidhur” mëkatet e njerëzve, në emrin e Zotit”.

Meshtari i posashuguruar, dom Kolë Dedaj, në fund të meshës, falënderoi prindërit, eprorët që mundësuan  formimin e tij meshtarak, të pranishmit dhe të gjithë ata që e përkrahën, duke kërkuar që edhe më tej ta përcjellin me lutje e uratë.

Kurse, famullitari i Prishtinës, Don Fatmir Koliqi, shprehu gëzimin e bashkësisë së krishterë të Prishtinës për këtë dhuratë dhe hir, që Katedralja e Qytetit po bëhet vend-realizim i këtyre riteve të shenjta që Zoti po ja dhuron Kishës në Kosovë. Në emër të besimtarëve të Famullisë së Prishtinës i uroj Don Kolës që të bëhet meshtar sipas Zemrës së Krishtit dhe i premtoj se, kjo bashkësi e krishterë, do ta përcjellë në lutje. 

 

Mesha e Parë

Të dielën, më 6 gusht, në festën e Shndërrimit të Zotit tonë Jezus Krishtit, meshtari i ri Don Kolë Dedaj, kremtoi meshën e parë në kishën e Shën Pjetrit e të Shën Palit në Gjakovë. Të shumtë të pranishmit, ndër të cilët prindërit, që ia dhuruan këtë djalë Zotit. Homelinë e rastit e mbajti Don David Gjugja, kryeredaktor i radio vatikanit në gjuhën shqipe, i cili u shpreh se është gëzim i madh për familjen e Don Kolës, e cila për shumë vite, e ka përcjell e mbështetur në ecjen e tij të  formimit drejt meshtarisë. Gjithashtu, është gëzim edhe për Kishën e Kosovës, e posaçërisht për famullinë e Shën Pjetrit e Shën Palit në Gjakovë dhe fshatin tënd Korenicë, që përmes meshtarisë së tij, e shijojnë dashurinë që Zoti ka ndaj këtij populli shqiptar, e ndaj këtij vendi – Kosovës.

Mesha e parë e jote sot, Don Kolë, – vazhdoj predikuesi – ka rëndësi të veçantë, sepse bie në një festë domethënëse për ne të krishterët, është festa e Shndërrimit të Jezu Krishtit para dishepujve të tij”, tha don David Gjugja. Pastaj ai ia drejtoi meshtarit të rit me këtë porosi:

“Misioni yt nuk është vetëm në sferën shpirtërore e kishtare – do të thotë të mësosh e të transmetosh vetëm përmbajtjen e fesë – por edhe në sferën shoqërore, kulturore e atë kombëtare – do të thotë, krahas vlerave ungjillore, t’i kultivosh, frymëzosh e t’i ushqesh besimtarët dhe shqiptarët me vlerat e shenjta që përbëjnë identitetin tonë kombëtar, që kemi trashëguar nga të parët tanë, e që simbolizohen në flamurin e kombit shqiptar”.

Pas meshës, u shtrua një drekë vëllazërore për të gjithë të ftuarit nga Familja e meshtarit të Ri, ku bashkëndanë gëzimin dhe urimin e përbashkët./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »