A është besimi im i (pa)mjaftueshëm?

Aug 12 • Meditimi i ditës

12 gusht 2017 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lp 6,4-13; Ps 18,2-4.47.51ab; Mt 17,14-20)

 

Prania e Hyjit


Nganjëherë më pushtojnë brengat e kësaj bote.

Me kohë, si kjo tani, bëj që të bëhem i/e vetëdijshëm/e për kënaqësinë e pranisë tënde
si dhe për dashurinë tënde të pakufizuar ndaj meje.

 

Liria

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të donte të më jepte zemër a të më sfidonte, a do të mund ta vëreja këtë?
Lus për hirin e lirimit nga brengat vetjake
dhe çiltërinë, të jem i/e hapur ndaj asaj çka dëshiron Hyji të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pabrengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çka ndiejë përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 17, 14-20

 

14 Kur mbërritën te populli, iu afrua një njeri, ra në gjunj para tij 15 dhe i tha:
“Zotëri, ki mëshirë për djalin tim: i bie e tokës dhe po vuan shumë. Shpesh bie herë në zjarr e herë në ujë! 16 E solla te nxënësit e tu, por ata s’mundën ta shërojnë.”
17 “O brezni e pafe dhe e prishur ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jetoj mes jush? Po deri kur do t’ju duroj? Ma bini këtu!”
18 Atëherë Jezusi e urdhëroi djallin e ky doli prej djaloshit, që u shërua në atë çast.
19 Atëherë nxënësit, iu afruan veçmas Jezusit dhe e pyetën:
“Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?”
20 Ai u përgjigj:
“Për shkak të besimit tuaj të pakët! Përnjëmend po ju them: në paçit fe edhe vetëm sa një kokërr sinapi e i thoni këtij mali: ‘Dil këndej e shko atje!’, do të kalojë dhe asgjë s’do t’ju jetë e pamundshme!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nuk është çudi që Jezusi mund të jetë i pakënaqur nga prishja dhe mungesa e besimit tonë. Në cilat fusha të jetës sime jam duke treguar një mungesë përgjegjësie ose gatishmërie? Ç`mund të bëj në këtë drejtim?
  • Me Jezusin, pa dyshim, po të kishim besim të mjaftueshëm, do të mund t`i lëviznim malet. Me fjalë të tjera, nëse raporti im me Atin do të ishte aq i fortë sa ishte ai i Jezusit, fuqia e Zotit do të mund të rridhte lirisht nëpërmjet meje dhe do të arrinte gjëra të mëdha. A e dëshiroj unë këtë?

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet personalisht nëpërmjet tekstit të Shkrimit të Shenjtë.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme.
Më mëso ta dalloj dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »