Shën Nënë Tereza: “Duhet të jetojmë dhe dëshmojmë Ungjillin para tjerëve”                                           

Aug 12 • Këndvështrime

Mos harroni që mundimi i Krishtit përfundon gjithmonë me gëzimin e Ngjalljes, kështu që kur hetoni në zemrën tuaj vuajtjen e Krishtit, kujtojeni se duhet të vijë Ngjallja, duhet të lindë gëzimi i Pashkëve. Mos lejoni kurrë që dhembja t’iu pushtojë aq për të harruar gëzimin e Krishtit të ngjallur.

Ne duhet t’i lejojmë Zotit të mirë që të bëjë çdo projekt për të ardhmen, sepse dita e djeshme ka kaluar, e nesërmja nuk është ende, dhe ne kemi vetëm të sotmen, për ta bërë Atë të njohur, për ta dashur dhe për t’i shërbyer.

Unë mendoj që njerëzit janë shumë më të uritur për Jezusin, sot, më shumë se në ndonjë kohë tjetër. Ata, kanë uri për bukë të përbashkët, por edhe uri për dashuri, mirësi, kujdes. Sidomos rinia ka etje dhe uri për pafundësi. Ata shpesh nuk arrijnë ta shohin Zotin në ne. Dhe këtë fakt rinia s’arrin ta pranojë. Ne diçka themi me gojë, ndërsa diçka tjetër jemi me jetë. Kjo gjë i largon prej nesh dhe është shkaku kryesor i humbjeve të shumë thirrjeve, dhe për rrënimin e shumë tjerave… Rinia sot nuk dëshiron më vetëm të dëgjojë, por edhe të shohë… Ne ndoshta flasim shumë për Zotin, por ndoshta jetojmë pak me Të.

Duhet të jetojmë dhe dëshmojmë Ungjillin para tjerëve. Dëgjimi i Fjalës së Zotit me zemër të pastër në plotësinë e thellësisë së qenies tonë. Para se të shpallim, duhet të dëgjojmë, sepse Zoti flet në heshtje të zemrës tuaj… Sot, edhe një herë, kur Jezusi vjen ndër të vetët, ata nuk e njohin. Ai vjen në trupat e kalbur të të varfërve, vjen edhe nëpërmjet të pasurve, të zhytur në pasuritë e tyre. Ai vjen në vetminë e zemrave të tyre, atëherë kur s’ka askush për t’i dashur. Jezusi vjen  edhe tek ju dhe tek unë, mirëpo shpesh, ne kalojmë  pranë tij.

Shpërblimi im më i madh është  ta dua Jezusin. Ai është gjithçka për mua. Është jeta ime, dashuria ime, shpërblimi im, gjithçka për mua.

Fshehtësia ime është Jezusi, dashuria e tij e madhe për mua, urata, meditimi, adhurimi i përditshëm një orë, kushtet tona rregulltare. Motoja ime është kjo: Të gjitha për Jezusin, të gjitha Jezusit nëpërmjet Marisë. Ja pesë gishtat e dorës: Të gjitha mi bëni mua! Kujtoje dhe shikoje dorën, pesë gishtat e dorës, çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, si rrëmim të ndërgjegjes. Ç’kam bërë sot për Jezusin.”/drita.info

Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »