Fepakët, përse dyshoni…!

Aug 13 • LEXIMET E SË DIELËS

 

E diela XIX gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë   1 Mbr 19, 9. 11-13

Leximm prej Librit të parë të Mbretërve

Në ato ditë, si arriti atje, natën e kaloi në shpellë. Dhe, ja, iu drejtua fjala e Zotit e i tha: “Ç’bën këtu, Eli”? Ai i tha: “Dil jashtë e qëndro në mal para Zotit”. Dhe ja, po kalonte Zoti! Para tij u çua një stuhi: erë e fortë! Tundte malet e thërmonte qetat para Zotit: por Zoti nuk ishte në stuhi! Pas stuhisë ra tërmeti! Por Zoti nuk ishte në tërmet! Pas tërmetit erdhi zjarri! Por Zoti nuk ishte në zjarr! Pas zjarri një puhi fryme të hollë. Kur e dëgjoi këtë Elia, e mbuloi fytyrën me leshnik, doli jashtë dhe qëndroi në derën e shpellës. Fjala e Zotit.

 

Psalmi 85

Ref: Na e jep, o Zot, paqen e pranisë sate

————————————————-

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,

ai premton paqe për popullin e vet,

për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen.

Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,

lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

————————————————-

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,

drejtësia e paqja do të merren ngrykë.

E vërteta do të mbijë nga toka

e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

————————————————-

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë

edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.

Drejtësia do t’i shkojë përpara

dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

————————————————-

 

Lexim i dytë Rom 9, 1-5

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Them të vërtetën në Krishtin ‑ nuk rrej ‑ dëshmitare kam ndërgjegjen time bashkë me Shpirtin Shenjt: ndiej në zemër një trishtim të madh dhe dhimbje të vazhdueshme. Po, do të dëshiroja unë vetë të isha i mallkuar, i ndarë prej Krishtit, në vend të vëllezërve të mi, në vend të bashkëkombësve të mi për kah gjaku. Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet; të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj. Amen. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Shpresoj në Zotin, shpresoj në fjalën e tij.

Aleluja

 

 

Ungjilli  Mt 14, 22-33

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Pasi e ngiu turmën, Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.

Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër. Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. Por, menjëherë Jezusi u tha:

“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”

Pjetri u përgjigj:

“Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”

 “Eja!” ‑ i tha.

Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti:

“Më shpëto, o Zot!”

Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha:

“Fepakët! Përse dyshove!”

Kur hynë në barkë, pushoi era. Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:

“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!” Fjala e Zotit.

 

Porosia

“Fepakët! Përse dyshove?” Unë, në vend të Pjetrit, do të përgjigjesha: sepse kam pasur frikë. Ndoshta edhe Pjetri do ta thonte të njëjtën gjë.

Por, çfarë është frika? Frika është një gjendje ekzistenciale. Në jetë ka frika të shumta: ajo e rritës, ajo e të qenit autonom, frika e ndërmarrjes së relacioneve të qëndrueshme dhe afatgjata, të mos gjesh apo të ndërrosh punë; pastaj janë frika ndaj sëmundjeve, ndaj rreziqeve në rrugë, ndaj terrorizmit, të biesh në duar të hajdutëve, cubave, kërcënimeve seksuale, dhunuesve etj. Mbi të gjitha këto, nëna dhe sovrania e të gjithave, është frika ndaj vdekjes. Ndoshta sot e vërejmë më shumë këtë frikë, sepse “jemi të çeltë” (Andreoli), mbasi edhe jemi më të brishtë, në krahasim me gjeneratat e mëparshme.  E ndoshta jo. E ndoshta jemi gjithmonë të njëjtë: sikurse Pjetri e të gjithë ata që kanë besim në vetvete e pastaj për një çast shfaqen të brishtë e plotë frikë.

“Atëherë Pjetri përgjigji: “Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”. “Eja!” – i tha: Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti…

Nëse e rilexojmë mirë, kjo pjesë e përshkruan shumë frikën tonë. Një akt i fesë, një besim i thellë dhe ja hidhet: Pjetri ec mbi ujë. Por era është e fortë dhe nis ta kap frika. Mund të kemi fe, mund të hidhemi e të ecim mbi ujë, por nuk mund të llogarisim në forcën e erës, e as ta largojmë atë. Pikërisht këtu – sipas mendimit tim – mësojmë ta menaxhojmë frikën tonë. Para së gjithash, ta pranojmë me përvujtëri se nuk jemi të kursyer, që pas një momenti të guximit kemi momente të frikës, pasi ne nuk jemi ata që e komandojmë fuqinë e erës. Vetëm nëse do të jemi të përvujtë dhe e pranojmë fuqinë e erës, do të kemi guximin të bërtasim: “Më shpëto, o Zot!”

Gjithnjë kam pasur dyshime rreth atyre që kurrë nuk kanë pasur frikë – bile kështu paraqiten me krenari. Gjithnjë kam pasur dyshime për itineraret e rritjes, njerëzore dhe fetare, me tendencë të prezantohet jeta, para të vegjëlve dhe të rinjve, si një koleksion force dhe suksesi. Jeta nuk është e tillë. Mendoj se do të ishte marrëzi  të mendohet një gjë e tillë. Jeta gërshetohet me frika, ashtu si drita vjen pas natës. Kështu është edhe për fenë. Të kesh një fe solide, do të thotë t’i njohësh frikat, t’i bërtitsh Zotit dhe ta pranosh qortimin: “Fepakët! Përse dyshove?”

Dietrich Bonhoeffer ka shkruar: “Kuptojeni çastin e stuhisë e të anijethyerjes, sepse është çast i afërsisë së padëgjuar të Hyjit, jo të largimit të tij. Aty ku të gjitha siguritë bien e shkërmoqen, e gjitha pikat që mbanin jetën tonë shkatërrohen njëra pas tjetrës, aty ku jemi mësuar të heqim dorë, pikërisht aty realizohet afërsia e Hyjit, sepse Hyji përgatitet të intervenojë e dëshiron të jetë për ne mbështetje e qartësi. Ai shkatërron, lejon të ndodh anijethyerja, në fat e në dështim. Por në çdo anijethyerje hidhet përsëri në Të. Ja, këtë gjë do me na tregue: kur ti lejon të rrjedh jeta, kur humb dhe e braktis krejt sigurinë tënde, mu atëherë je i lirë për Hyjin dhe tërësisht i sigurt në Të. (Rocco D’Ambrosio)

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër dhe motra, t’ia drejtojmë lutjen tonë për përbashkët Zotin që të jetë i pranishëm në jetën tonë e të na ndihmojë ta njohim në jetën tonë të përditshme. Lutjen tonë të përbashkët ta mbështesim me brohoritje:

                      O Zot, na dëgjo!

L. Për Kishën, anija e apostujve, që të dijë të ballafaqojë stuhitë e historisë me fenë e fortë në Jezusin, Zot dhe Shëlbues. Të lutemi.

L. Që popujt dhe kombet të ndjekin politika të paqes dhe të angazhohen për të arrirë drejtësinë mes tyre.  Të lutemi.

L. Për ata që janë të tunduar nga idhujt dhe dyshimet e ndryshme, të dinë të njohin në Jezusin, shpëtimtarin e vetëm dhe të vërtetë të jetës së tyre. Të lutemi.

L. Për të krishterët e të gjitha vendeve të botës, që në ndodhitë e përditshme ku endëzohet historia e tyre, t’i shohin gjurmët e Zotit njeridashës. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë, që mos të lejojmë të tërhiqemi nga fenomene të dëmshme, por me përvujtërinë e fesë të vazhdojmë ecjen tonë të sigurt me Krishtin. Të lutemi.

 M. O Hyj, dëgjoj lutjet e bijve dhe bijave të tua, që, si Pjetri, e ripërtërijnë fenë në Krishtin, shpëtimtar i botës, që mos të na mungojnë kurrë shenjat e mirësisë dhe mbrojtjes sate. Ty të japim lavdi, nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »