Jezusi si një “fantazmë”?

Aug 13 • Meditimi i ditës

13 gusht 2017 – E diela 19-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: 1Mbr 19,9a.11-13a; Ps 85,9ab.10-14; Rom 9,1-5; Mt 14,22-33)

 

Prania e Hyjit

Në heshtjen e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,
a mund ta ndjej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më kujtohet kur e kam ndjerë afërsinë e Zotit;
kur kemi ecur bashkë, duke i lejuar që të jem i përqafuar nga dashuria e Zotit?

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.
Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.
Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.
Dashuria, buzëqeshja, pëkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë marrëdhëniesh – lidhjesh me natyrën, me njerëz, me Zotin.
I lejoj vetes t`i ndiej këto lidhje duke falënderuar për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, dëmtuar, ose janë ndërprerë:
për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me besim.
Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

________________________________________

 

Mt 14, 22-33

 

22 Pastaj aty për aty Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. 23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.
24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër. 25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. 27 Por, menjëherë Jezusi u tha:
“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”
28 Pjetri u përgjigj:
“Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”
29 “Eja!” i tha.
Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti:
“Më shpëto, o Zot!”
31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha:
“Fepakët! Përse dyshove!”
32 Kur hynë në barkë, pushoi era. 33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:
“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”

________________________________________

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

• Sa e lehtë është të vësh në dyshim praninë e Jezusit i cili na dëshiron gjithmonë të mirën. Sa e trishtueshme do të ishte sikur ta refuzoja Jezusin në lutje si një “fantazmë”. Do të lutem që të kem besim më të thellë, gjatë kohës që i dëgjoj fjalët e tija: “Guxim! Jam unë! Mos kini frikë! ”
• Edhe unë si Pjetri mund të mbështetem tepër në veten time dhe të humbas se kah jam duke shkuar. Më ndihmo, o Jezu, që sytë e mi të jenë të përqendruar në ty dhe të kem besim se po më ofron ndihmë dhe se po vjen për të më takuar.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »