Prania e Jezusit, e vazhdueshme

Aug 14 • Meditimi i ditës

14 gusht 2017 – E hënë, Shën Maksimilian Kolbe, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lp 10,12-22; Ps 147,12-15.19-20; Mt 17,22-27)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.
Ja ku jam, o Zot.
Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.
Me afsh e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i lirë nga ekseset dhe teprimi.
Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.
Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.
Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të shpreh ndjenja falënderimi.
Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 17, 22-27

 

22 Kur u bashkuan në Galile, Jezusi u tha:
“S’do të vonojë e Biri i njeriut do t’u lihet në duar njerëzve 23 dhe ata do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet.”
Ata u pikëlluan së tepërmi.
24 Kur arritën në Kafarnaum, iu afruan Pjetrit ata që mbledhin tagrin e Tempullit e i thanë:
“A nuk e paguan mësuesi juaj tagrin e Tempullit?”
25 “E paguan” ‑ iu përgjigj Pjetri.
Kur Pjetri hyri në shtëpi, Jezusi ia priti përpara:
“Simon, çka të thotë mendja, mbretërit e dheut, prej kujt e mbledhin taksën ose tatimin? Prej fëmijëve të vet apo prej të huajve?”
26 Kur iu përgjigj: “Prej të huajve”, Jezusi i tha: “Pra, fëmijët qenkan të lirë!”. 27 Por, për të mos i shkandulluar, shko në det, hidhe grepin dhe, peshkun e parë që të zësh, merre, hapja gojën e do të gjesh një staterë. Merre dhe jepua për mua e për ty.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nxënësit nuk mund ta imagjinonin se si do të jetonin pa Jezusin – ata ishin mësuar të qëndronin me të, tadëgjonin, ta vështronin dhe të reflektonin mbi fjalët e tij. I frikësoi fjalimi i tij për ndryshim. E ardhmja do të më trembë edhe mua, nëse s`i dëgjoj fjalët e Jezusit dhe s`e pranoj bindjen e pranisë së tij të vazhdueshme.
  • Lus që të mund përsëri ta pranoj fjalën e tij: “Paqja me ty”, “Guxim!” dhe “Mos ke frikë”.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i mëshirshëm, ma përkujto që kurrë nuk jam vetëm.
Nëpërmjet hirit tënd rrite vetëdijen time që ti dhe rruga jote është krejt çka kam nevojë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »