Me aftësitë e mia mund ta bekoj botën

Aug 17 • Meditimi i ditës

17 gusht 2017 – E enjte, MOMENT I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Joz 3,7-10a.11.13-17; Ps 114,1-6; Mt 18,21 – 19,1)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Madje edhe më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.
Një moment do të pushoj në praninë jetëbërëse të Hyjit
në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,
madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,
edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.
Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,
mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.
Si po kalon dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 18,21-19,1

 

21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe e pyeti:

“Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?”

22 Jezusi iu përgjigj:

“Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!

23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbe dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.

28 Porse, pikërisht ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë shoku i tij i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi dhe e futi në burg derisa të kthente detyrimin.

31 Kur shërbëtorët e tjerë ‑ shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ndodhi. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin.

35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.” 1 Si i kreu Jezusi këto fjalime, doli prej Galilesë e erdhi në krahinën e Judesë, matanë Jordanit.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • E kuptoj se çdo gjë që kam marrë në lutje s`mund të grumbulloj, por që çdo dhuratë e pranuar shërben në mënyrë që unë të mund ta bekoj botën. Hyji më dërgon që të jem si një prift duke sjellë bekimin atyre që janë përreth meje.
  • Marr kohë për t’u rritur në vetëdije se Zoti më bekon dhe mendoj se si duart e mia janë njëkohësisht të hapura për të marrë dhe për të dhënë bujarisht. 

 

Bashkëbisedimi

I/e vetëdijshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,
e paramendoj Jezusin sesi qëndron apo është ulur afër meje,
dhe i flas gjithçka kam në mendje, çfarë ma thotë zemra,
si shoku shokut.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »