Shën Nënë Tereza: “Maria, misionare e vërtetë”

Aug 17 • Këndvështrime

“Maria, ishte misionare e vërtetë, sepse nuk pati frikë të ishte shërbëtorja e Zotit. Me ngutësi e shndërroi përvujtërinë e saj të ndritshme në një vepër dashurie, duke bërë punë te Elizabeta si shërbëtore. Ne dimë se çka kishte prodhuar kjo përvujtëri në fëmijën që ende s’kishte lindur: “Ai kërceu nga hareja në kraharorin e nënës”; ishte qenia e parë njerëzore që kishte njohur ardhjen e Krishtit; si pasojë Nëna e Shëlbuesit këndoi me gëzim, falënderim himnin: Shpirti im e madhëron Zotin… Në përngjasim me Të: sa hire edhe më të mëdha kemi pranuar ne, aq më e madhe, më e ngrohtë le të jetë dashuria me të cilën punojmë me të braktisur, të varfër, të dëbuar… Në përngjasim me Të: ta pranojmë kryqin në çfarëdo mënyre do të vijë.

Virgjëra Mari, më e bukura ndër të gjitha gratë, më e madhja, më e përvujta, më e pastra, më e shenjta, atëherë kur ndihej plotë me hir, plotë me Jezusin, me ngutësi niset në udhëtim. Ajo këtu është model për të gjitha gratë, sepse dëshironte fill ta dhuronte Atë që kishte pranuar. Ishte, të themi kështu, si një lloj thyerje të Bukës eukaristike; e dimë çka ndodhi me Shën Gjon Pagëzuesin: ai kërceu nga hareja duke përjetuar praninë e Zotit”.

Magnificat është urata e falënderimit të Marisë. Ajo mund të na ndihmojë që ta duam në mënyrë të përsosur Jezusin; Vetëm ajo mund të na tregojë rrugën më të shkurtë kah Ai… Zoja e Bekuar duke e paraqitur Jezusin në Tempullin e Jerusalemit falënderon Atin e amshuar në emër të të gjithë njerëzve dhe ia dhuron Atij. Kështu duhet të bëjmë edhe ne në jetën tonë: ta falënderojmë vazhdimisht  Zotin për dhuratën e jetës, fesë, ta ofrojmë jetën tonë për shëlbimin e botës.

“Edhe ne duhet ta kërkojmë Zotin atëherë kur e kemi humbur, është larguar prej nesh. Ku? Siç bëri Maria: e gjeti në Tempull. Ta kërkojmë në heshtje, në uratë, në gjunjë, në Eukaristi dhe në vuajtje. .. Ne duhet si Mari t’i kërkojmë fëmijët tanë, siç bëri ajo kur Jezusi ishte tretur. Duhet të kemi kujdes ku gjenden fëmijët tanë. Vatra nuk është vatër pa fëmijë.”/drita.info

Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »