Vigjilja e Zojës së Madhe në Letnicë: Kisha shtegtare e Dritës!

Aug 18 • Kisha në Kosovë

Festa e Të Ngriturit e Marisë Virgjër në Qiell – e njohur në devotshmërinë popullore si Zoja e Madhe – është njëra ndër festat më të dashura të katolikëve të Kishës në Kosovë, e cila festohet në Shenjtëroren e Letnicës më 15 gusht.

Kësaj feste mariane i prinë nëntëditëshi përgatitor, i pasur me shtegtim, lutje, adhurim, meshë e devotshmëri tjera që e karakterizojnë shenjtëroren tonë mariane. Sivjet, nëntëditëshi i është kushtuar figurës së Virgjërës Mari, Nënë Terezës dhe shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë. Meshtarët që kanë udhëhequr ditët e nëntëditshit kanë shtjelluar dhe lutur duke i gërshetuar këto tema të rëndësishme, që Kisha e jonë po i përjeton si dhurata të mëdha të kohës aktuale.

Ditë e veçantë dhe e pasur e Festës është Vigjilja, e cila fillon me shtegtimin tradicional këmbë nga Kisha e Zemrës së Krishtit në Viti, rreth 10 kilometra nga Shenjtërorja, të cilit i priu bariu i Kishës në Kosovë Imzot Dodë Gjergji, i shoqëruar me meshtarët e vet, rregulltarë/e e besimtarë të devotshëm, të cilët me lutje e sakrificë dëshmojnë dashurinë ndaj Zojës së Bekuar.

Mesha e Shenjtë e Vigjiljes, 14 gusht, e kremtuar nën qiellin e hapur në altarin e madhe, ishte përplot besimtarë që qetësisht e shpirtërisht merrnin pjesë në kremtimin e meshës. Gjatë kësaj meshe, tashmë disa vite, pagëzohen katekumenët e përgatitur për pagëzim, që sivjet ishin 4 burra nga tri vende të ndryshme të Kosovës.

Meshës së Vigjiljes i priu Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Kosovës, në bashkëmeshim me Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv emeritus i Tivarit, e meshtarë të dioqezit.

Në homelinë e tij Imzoti përmendi shtegtimin e njeriut në kërkim të Zotit që nga zanafilla e tij, qëkur njeriu humbi miqësinë me Zotin, për faj të tij. Që atëherë njeriu e kërkonte Zotin që e kishte humbur dhe nuk pushonte ta kërkonte. E në anën tjetër – theksoj Ipeshkvi – Zoti  gërmonte në zemrën e tij, që ta hiqte helmin e mëkatit dhe ta shëronte zemrën e njeriut, që ajo ta mund ta do Hyjin, të mund ta do njeriun, të mund ta do të mirën, të bukurën dhe që ta lakmonte qiellin. Ky udhëtim zgjati deri në kohën kur Zoti vendosi të vijë e të marr mbi vete barrën e mëkatit tonë, kur Zoti vendosi ta dërgoj Birin e vet Jezu Krishtin, ta sakrifikojë në kryq për shpëtimin tonë; kur Zoti vendosi të na flet nëpërmjet Krishtit, Birit të vet, të lindur prej Marisë Virgjër.

Duke i referuar ungjillit Imzot Gjergji e vendosi Marinë si figurë të madhe të shtegtimit gjatë historisë e shpëtimit. Maria shtegtojë për ta takuar kushërirën e vet Elizabetën e për ta bashkëndarë Lajmin e Mishërimit: “Në ungjill e kemi këtë dëshmi, kur Elizabeta i thotë kësaj guraje; ti je më e bekuara se të gjitha gratë, sepse në kraharorin tënd e ke mishnue Fjalën e Zotit. Sot në ungjill kjo grua u quajt e lume pse e ka rritë dhe e ka ushqye Jezusin, kurse Jezusi përgjigjej: por janë më të lumë ata të cilët e dëgjojnë fjalën time.”

Pas kësaj shkëputje, natyrshëm erdhi pyetja nga predikuesi: Cila është fjala e Zotit, cila është fjala e ungjillit?

Përgjigja ishte: “Është fjala e dashurisë. Zoti nëpërmjet Krishtit, na ka pru një porosi: unë që ju kam krijua, unë ju dua, prandaj ju nuk jeni më bijë të mëkatit, të vdekjes dhe të urrejtjes, por jeni bijtë e Hyjit të gjallë, bijë të dashurisë dhe të paqes, bijë të lumturisë dhe të gëzimit. As paqen, as lumturinë, as gëzimin…e vërtetë nuk mund ta gjeni në tokë, por ato do t’i gjeni në amshim, kur do të jeni ngjallur, ashtu si është ngjallur Krishti.

Ne që atëherë e deri sot, me predikimin e Shën Palit e kemi kuptuar, se lindim dy herë: njëherë lindim prej nëne, e njëherë lindim prej Kishe, njëherë lindim për tokën, e njëherë lindim për qiellin, sepse pagëzimi është datëlindja e shpirtit tonë, kur ne nuk lindim për të vdekur, por lindim për të jetuar, sepse në ne vihet shpirti i Zotit. Nëpërmjet larjes së pagëzimit neve na pastrohet jeta, e nëpërmjet shpirtit të Zotit, ne jo vetëm se e ngrohim shpirtin tonë, por e ngrohim botën, sepse kjo kur bëhet e prekshme krijon paqen mbi tokë, e të gjithë njerëzit ndihen vëllezër e motra. Prandaj, ne i kemi dy atdhe: e kemi atdheun që e quajmë tokë, dhe e kemi atdheun që quhet qiell, ku pushon shpirti. Kështu derisa përpiqemi të sigurojmë mbi tokë një jetë sa më të mirë për të dashurit tanë, njëkohësisht përpiqemi të arrijmë qiellin e përhershëm.

Vëllezër e motra fort të dashur, Krishti na ka thirr në pagëzim. Populli ynë e ka pranuar që në zanafillë këtë ftesë dhe është pagëzue. Që atëherë e deri më sot, kemi kaluar nëpër shumë zbatica, i kemi kaluar kohërat e vështira kur kanë dashur të na vrasin shpirtin, kur kanë dashur t’ia ndalin frymën shpirtit tonë, por ja që Zoti është kujdes, ka ruajtur tharmin; Zoti është kujdes që ta ruaj farën. Në këtë kishë, në këtë vend malor jemi strehu, që të mbetemi ata që jemi. Ti mbetemi besnik pagëzimit tonë. Ja, këtu, në këtë vend, Kisha, si punëtore e vyer e popullit tonë dhe si shërbyese e denjë për shpirtin tonë e ka mbulua gacën e ndezur të kësaj dashurie nën hi, në mënyrë që kur të vijnë ditët e volitshme, të mund të rindizet edhe njëherë me gjithë fuqinë e flakës së Shpirtit Shenjt dashuria e Zotit në kombin tonë. Por edhe tek te gjithë njerëzit që jetojnë me ne.

Prandaj ne kemi zgjedh këtë vend, për t’i pranuar ata që duan, ata të cilët e kanë marr guximin për të thënë po, unë dua, ta pranoj në zemër dashurinë e Zotit. Po, unë dua, që ta kam në shpirt shpresën e lume; po, unë dua, që të eci gjurmëve të të parëve; po, unë dua, që të jam me Krishtin e të eci me Të; po, unë dua të jam kripë e botë; po, unë dua, të jam dritë për botën. Këta janë heronj të kohës sonë. Sot do i pagëzojmë dhe mbi ta do të zbrazet Shpirti i Zotit, duke e pastruar shpirtin e tyre, në mënyrë që t’i bashkohen tërësisht Kishës, e ta kthejnë ne veten e tyre dinjitetin e të parëve. Ne të gjithë lutemi për këta vëllezër dhe gëzohem bashkë me ta. E ju bijtë e mi, që keni ardhur sot me u pagëzue, ju përgëzoj  dhe ju falënderoj për guximin tuaj dhe uroj që të jeni, sot e tutje, njerëz ma të mirë, familjarë ma të ndershëm, burra të besës, trima e shqiptarë më të ndershëm. Vetëm kështu ne do të dimë të ndihmojmë kombin tonë, popullin tonë dhe njeriun tonë, çdonjërin që jeton me ne, me i tregue se jeta është një dhuratë që jetohet me gëzim. Amen.” – përfundoj homelinë Ipeshkvi, derisa pjesëmarrësit me heshtje të plotë e me emocion i dëgjonin fjalët e tija.

Pas homelisë, pasoj riti i pagëzimit që e pasurojë këtë kremtim madhështor. Mesha e shenjtë, e animuar nga Kori i Famullisë së Binçës dhe Stubllës, përfundoi me procesionin tradicional rreth objekteve të Kishës. Besimtarët me qirinj në duar, duke kënduar e lutur rruzaren, vërtetë e tregonin se janë shtegtarë të Dritës, shpallës të paqes dhe të dashurisë së Zotit që na dhurohet përmes Kishës, familjes së Zotit në Tokë./drita.info

Teksti: Anton Gjergji

Fotografitë: Arian Ramaj  

Shpërndaje

Comments are closed.

« »