Festa e Zojës së Letnicës: Nëna e Kishës, ndërmjetësja e njerëzimit!

Aug 20 • Kisha në Kosovë

Festa e Zojës së Letnicës, Të ngriturit e Zojës në Qiell, e cila festohet me 15 gusht, u kremtua në mënyrë solemne në Shenjtëroren e Letnicës.

Pas vigjiljes që u kremtua me një numër të madhe të besimtarëve shtegtarë e të devotshmit e Zojës, pagëzimit të 4 katekumenëve dhe procesionit tradicional me qirinj, dita e festës ishte edhe më solemne dhe me shtegtarë të shumtë, edhe ata që gjatë tërë natës kishin qëndruar në shenjtërore edhe ata që me autobus dhe makina kishin arritur ditën e festës.

Që në orët e hershme të mëngjesit shtegtarët kishin filluar lutjet, meditimet, kurse meshtarët ishin gjithnjë të ulur në rrëfyestore për të rrëfyer ata që donin ta takonin Zotin përmes këtij sakramenti. Meshët që kremtoheshin që nga ora 07:00 kishte besimtarë dhe kremtonin me devotshmëri.

Meshës në gjuhën kroate i priu Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Kjo meshë zakonisht kremtohet për shtegtarë nga famullia e Janjevës dhe kroatë që vijnë nga Kroacia e vende të ndryshme. Ipeshkvi gjatë homelisë së tij shprehi kënaqësinë e kremtimit me këta shtegtarë të devotshëm që asnjëherë nuk e harrojnë Zojën e Letnicës, edhe pse gjenden në vende të largëta.

Meshën solemne të festës në ora 11:00 e udhëheqi Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv emeritus i Tivarit, në një numër të madhe të meshtarëve të Kosovës, kapelanat të KFOR-it. Përveç shumë shtegtarëve besimtarë ishin të pranishëm pjesëtarë të KFOR-it, ndërkombëtarë që punojnë në Kosovës, nga trupi diplomatik, përfaqësues të Komunës së Vitisë, e mysafirë të tjerë që u bashkëngjitën fesës së Zojës.

 Imzot Zef Gashi, pasi shprehi kënaqësinë për mundësinë e kremtimit të meshës në këtë ditë të madhe për Kishën, shtjelloi rëndësinë e festës e Ngritjes së Virgjërës Mari në Qiell që la një traditë të lashtë në përshpirtërinë e Kishës, duke e vë Marinë në historinë e shëlbimit, si gruaja që, bashkë me Jezu Krishtin, u bë bashkëshpëtimitare e njerëzimit.  

 “Pas mëkatit të prindërve të parë, Zoti premtoj ardhjen e Mesisë. Plani i mishërimit të Zotit do të ndodh në mënyrë të mrekullueshme, ashtu si i ka hije veprimeve hyjnore. Për realizimin e këtij plani Zoti kishte paraparë një kreatyrë pa mëkat të rrjedhshëm, e kjo ishte Maria, e bija e Joakimit dhe Anës. Në trupin e saj, në saje të fuqisë së Zotit të gjithëpushtetshëm, për virtyt të Shpirtit Shenjt u mishërua Fjala e Zotit dhe u ba njeri. Pra, trupi i Zojës shërben si tempull, banesë, ku banojë Fjala e Zotit, Mesia. Ky trup i paprekur nga mëkati i rrjedhshëm , i paprekur edhe nga mëkatet personale. Maria krejt e pastër, plotë hir dhe e bekuar mbi të gjata gratë, ishte përcaktuar prej Zotit të jetë Eva e dytë për shpëtimin e gjinisë njerëzore. Kjo grua e shenjtë e lindi, e rriti, e përcolli deri tërë jetën tokësore në kryq Jezusin” – tha Imzoti.   

Ndërmjetësia e Marisë virgjër në historinë e Kishës hetohet që nga Kisha e parë e deri në ditët e sotme, e mund të thuhet se, krejt kisha është e përshkuar me ndihmën dhe ndërmjetësinë e saj. Të krishterët gjatë krejt historisë, Zojën e kanë pasur Nënë, edukatore dhe udhëheqëse në jetën e tyre – theksoj argjipeshkvi, duke përmendur se edhe populli ynë është pjesë e kësaj përshpirtërie, pjesë e kësaj historie dhe bijë e bija të kësaj Nëne. Ja pse ky vend i shenjtë është gjithnjë plotë me besimtarë të devotshëm, vend i thirrjeve të shenjta, siç ishte për Nënë Terezës e shumë të tjerë.

Pas meshës u bë procesioni me truporen e Zojës së Letnicës, ku morren pjesë të gjithë shtegtarët që ishin atë ditë, të përcjellë me këngë mariane e lutje të përshpirtshme. Kjo festë e madhe në këtë vend të shenjtë, është gjithnjë një bashkim i bijëve dhe bijave të Zotit që krijon vëllazëri e paqe tek të gjithë ata që takohen. Zoja e Letnicës dhe Shenjtërorja e njohur, ku Shën Nënë Tereza kishte pru vendimin e shenjtë për t’u bërë misionare e ku Martirët e Karadakut kanë dhanë besën për të qëndruar besnik fesë dhe kombit, vazhdon të ushqej mijëra njerëz me vlera të Ungjillit./drita.info

Teksti: Anton Gjergji

Fotografitë: Anta Berisha

Shpërndaje

Comments are closed.

« »