Inaugurohet Qendra Baritore në Grazhdanik

Aug 20 • Kisha në Kosovë

Ditën kur Kisha katolike përkujton dy shenjtër, që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare: Shën Florin e Shën Laurin, me 18 gusht në Grazhdanik, filialin e famullisë së Prizrenit, u bë inaugurimi, respektivisht bekimi i qendrës baritore-polivalente.

Ftesës së kancelarit ipeshkvor Don Shan Zefi, iu përgjigj ipeshkvi Mons. Dodë Gjergji, duke e udhëhequr meshën e shenjtë solemne, bashkëmeshuar me meshtarë të famullive përreth, dhe duke e bekuar këtë qendër të rrethuar me fytyrat e gëzuara dhe të hareshme të shumë pjesëmarrësve. Gjithë këtë ngjarje e hijeshonin zërat e ëmbël të korit të kishës së famullisë së Prizrenit, duke i lartësuar zemrat e besimtarëve te Zoti, shenjë e besimit dhe falënderimit.

Në predikimin e tij ipeshkvi e ndërlidhi përkujtimin e martirëve të trojeve tona, Shën Florit dhe Laurit, pajtorit të kishës ku festohej, me aktualitetin e Kishës sonë. Njerëzit e anëve tona ishin në gjendje të jepnin jetën për fenë, kurse te katolikët e sotshëm vërehet një lloj tundimi për të vajtuar e fajësuar rrethanat apo të tjerët për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen. Por ai i kujtoi të pranishmit se anë e mbanë Kosovës po ndodhin gjëra të mira për kishën tonë, që nuk guxojmë t`i harrojmë. Kohë më parë u ndërtua dhe shugurua kisha e Shën Abrahamit në Llapushnik. Tani kisha kushtuar “Shën Nënë Terezës“ në Prishtinë, e cila do të shugurohet me 5 shtator, e që është një ngjarje që e përfshin mbarë Kishën tonë. Ekzistojnë edhe objekte të tjera kulti që më parë i mendonim të pamundura të realizoheshin, por që në to sot njerëzit kanë mundësinë të lusin dhe ta falënderojnë Zotin për të mirat që ua jep. Edhe qendra baritore që po e bekojmë sot hyn në vazhdën e këtyre ndërmarrjeve të dioqezës sonë për të mirën e besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë.

Besimtari Alfons Boçaj në emër të besimtarëve falënderoi Mons. Dodë Gjergjin për praninë e tij dhe Don Shan Zefin për angazhimin e tij të palodhshëm që qendra të ndërtohet. Nevoja për një qendër të tillë baritore u pa sidomos pas luftës në Kosovë (1999) e që tani është realizuar me ndihmën e donatorëve dhe besimtarëve të kësaj Famullie.

Në përmbyllje kancelari ipeshkvor Don Shan Zefi bëri një kronologji të kësaj qendre baritore, duke i kujtuar me respekt meshtarët që kanë shërbyer në famullinë e Prizrenit, e duke i falënderuar të gjithë ata që ndihmuan këtë ide që ajo të lulëzojë e të japë frytet e veta që po i shijojmë sot.

Pas bekimit të qendrës baritore “Shën Flori dhe Lauri“ për të pranishmit u shtrua një koktej rasti shoqëruar me këngë çiftelish nga grupi i këngëtarëve vendas. Solemniteti përfundoi me ndjenja falënderimi për këtë ditë që na dhuroi Zoti, me fytyrat e buzëqeshura dhe me plot shpresë për një të ardhme të premtuar të Grazhdanikut dhe vendeve përreth, Nashevcit dhe Atmagjes.

Martirët e parë të krishterimi (mesi i shek. II) në Kosovë, Shën Flori e Lauri, ndërmjetësofshin për mbarë popullin tonë shqiptar!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »