Pa besim mbetemi vetëm
22 gusht 2017 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Gjyq 6,11-24a; Ps 85,9.11-14; Mt 19,23-30)
Prania e Hyjit
Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.
Liria
Lus për hirin e fesë, të besoj
në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja
vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,
që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.
Ndërgjegjësimi
O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.
Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.
Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.
Fjala
Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.
Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…
Mt 19, 23-27
23 Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:
“Për të vërtetë po ju them: vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit. Prapë po ju them: 24 Është më lehtë të përshkohet deveja nëpër vrimë të gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.”
25 Nxënësit, kur i dëgjuan këto fjalë, u habitën së tepërmi dhe thoshin:
“Vallë, atëherë, kush do të shpëtojë?”
26 Jezusi i shikoi dhe u tha:
“Për njerëz është punë që s’bëhet, porse Hyji mund të bëjë gjithçka!”
27 Atëherë Pjetri mori fjalën dhe e pyeti:
“Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje, çka, pra, do të fitojmë?”
28 Jezusi u tha:
“Për të vërtetë po ju them: ju që erdhët pas meje, në ripërtëritje të botës ‑ kur Biri i njeriut të rrijë mbi fronin e lavdisë së vet ‑ edhe ju do të rrini mbi dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 29 Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur.
Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Mendo se sa shumë lajme mediash, biseda dhe vëmendje janë të përqendruara te të pasurit dhe të famshmit.Megjithatë, sa boshe janë jetët e tyre dhe sa larg është paqja që Jezusi e premton.
- Nuk ka përparim pa u çliruar prej asaj që na mban mbrapa – nëse nuk kemi besim mbetemi vetëm.
Bashkëbisedimi
Fjalët tua, o Zot, më mësojnë se si duhet të lus.
Urata e mrekullueshme Ati ynë
përmban gjithçka dua të them.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« Shën Nënë Tereza: “Buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë” Shën Nënë Tereza: “Zoti na flet në heshtje” »