Shën Nënë Tereza: “Zoti na flet në heshtje”

Aug 22 • Këndvështrime

“Urata nuk është ikje nga jeta aktive, e përditshme, edhe më pak ikje prej vetes, prej botës, tjerëve, por kërkimi më burimor i fytyrës së vërtetë dhe të sinqertë të njerëzve, të Zotit në këndin e dashurisë dhe të fesë, e cila na ndihmon për ta zbuluar, kuptuar dhe pranuar më mirë: kush jemi ne, kush janë të tjerët, kush është Zoti? Çfarë kuptimi ka jeta jonë, puna, gjithë ajo çka jemi dhe çka veprojmë?

Në mbarë botën është një ankth, një uri e tmerrshme për dashuri, për Zotin. S’ka jetë të brendshme, komunikim vëllazëror pa uratë… Urata, që të jetë e frytshme, duhet të burojë nga zemra dhe duhet të jetë e aftë ta prekë zemrën e Zotit. Shikoni si i mësoi Jezusi nxënësit e tij të luten: Thirreni Zotin, Atin tuaj, lavdërojeni emrin e tij. Shpesh urata jonë është sipërfaqësore, si edhe e tërë jeta, sepse nuk e kemi ngulur mendjen dhe zemrën tonë mbi Jezusin, nëpërmjet të cilit urata jonë lartësohet deri te Zoti. Shpesh një shikim i thellë dashurie do të mund ta bënte uratën tonë më të gjallë. Unë e shikoj, Ai më shikon, është urata e përsosur… Puna nuk më huton dhe largon prej Zotit. Kur motrat tona dalin për të punuar jashtë kuvendit, të varfrit nuk kërkojnë prej tyre ushqim apo veshmbathje, por thonë kështu: Na mësoni fjalën e Zotit… Shpesh edhe unë kam menduar: do të më pëlqente të tërhiqja edhe unë me motrat kontemplative, të jetoja krejtësisht një jetë të shkëputur prej botës, të jem thjeshtë me Jezusin, por pastaj e kam kuptuar që mund të jemi në botë, duke punuar, shërbyer , duke u lutur. Atëherë unë jam personi më e lumtur në botë, sepse jetoj 24 orë në ditë me Jezusin dhe për Jezusin… Edhe të varfrit e botës, do të thosha të gjithë, duan të dëgjojnë se kanë një Babë – Atë në qiell, në Atë që i data.

Ne kemi nevojë për heshtje… Nuk ka jetë të uratës pa heshtje. Zoti na flet në heshtje, në uratë, në adhurim, në jetën e brendshme.” /drita.info

Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »