Të dielën bëhet inaugurimi i frekuencës së re të Radio Maria Kosovë

Aug 25 • Kisha në Kosovë

 Kush është Radio Maria?

Radio Maria Kosovë është Shoqatë jofitimprurëse dhe jo-politike. Veprimtaria e saj themelore është radiofonike. Qëllimi kryesor është promovimi i vlerave më të larta njerëzore, me qëllim ndërtimin e një shoqërie demokratike e të hapur ndaj solidaritetit dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Veprimtaria e radios realizohet në sajë të punës vullnetarë të meshtarëve, rregulltarëve, shekullarëve, të rinjve, fëmijëve, si dhe ndihmës financiare të dëgjuesve të Radio Marisë, të cilët përfaqësojnë shtresat më të varfra të shoqërisë (pensionistë, të sëmurë, të vetmuar).

 

Origjina

Radio Maria si Shoqatë u krijua në Itali, në janar të vitit 1987, (një projekt ky i nisur në vitin 1983 në një famulli në provincën e Komos, në Itali). Shoqata përbëhet nga laikët dhe priftërinj. Qëllimi i Shoqatës është të bëjë radion të pavarur nga famullia dhe të përfshijë atë në një shkallë më të gjerë të ungjillëzimit.

Familja Botërore e Radio Marisë është themeluar në vitin 1998, nga Shoqata e Radio Marisë në Itali. Të gjitha Shoqatat e Radio Marisë në të pesë kontinentet janë anëtarë të Familjes Botërore, e cila garanton origjinalitetin e markës, ofron mbështetje teknike, ligjore dhe administrative të zhvillimit të këtij projekti misionar. Familja Botërore e Radio Marisë, sot ka, si pjesë të kësaj familje 78 radio, në pesë kontinente, në gjuhë të ndryshme dhe të njëjta, me programe që shtjellojnë tematika shpirtërore, fetare. Kulturore dhe shoqërore.

Qëllimi i Radio Marisë – është që të promovojë shpalljen e mesazhit ungjillor të gëzimit dhe të shpresës, duke u bërë një mjet për të ngushëlluar të sëmurët dhe të varfërit, sipas mësimit të Magjisterit të Kishës Katolike; me një frymë të qartë dhe të pasur Mariane. Të promovojë përmes radios aksionin e paqes dhe promovimin e vlerave njerëzore, mbi të gjitha në vendet në zhvillim. Radio Maria ka si pjesë të saj radio në gjuhë të ndryshme,por kemi disa radio që janë në të njëjtën gjuhë, por që veprojnë në shtete të ndryshme, siç është rasti i Radio Mari-ve në shtetet gjermanofolëse, që veprojnë në Gjermani, Zvicër, Austri dhe në Tirolin jugor në Itali, por që realizojnë larmishmëri të programeve të ndërsjella.

Dëshirojmë t’ua bëjmë sa më kuptueshme përse jemi dy Radio Maria në gjuhën shqipe, dhe cili është synimi Radio Marisë Botërore me këtë parim: ,,Shumë Stacione, me një Mision’’. Kjo përvojë është frytdhëse, mundëson bashkëpunimin e ndërsjellët në dobi dhe të mire të dëgjuesve në gjirin e familjes së madhe të Radio Marisë Botërore.

 

Si dhe kur filluam ne, Radio Maria e Kosovës?

Radio Maria filloi të dëgjohet edhe në gjuhën shqipe, në një vit mjaftë domethënës për popullin Shqiptar në të gjitha trojet tona. Ishte viti i shpalljes së Nënës Tereze TË LUME, (2003), kur Radio Maria nisi të përhapë mesazhin e paqes dhe të dashurisë edhe ndër ne. Me një punë e përkushtim të mrekullueshëm Radio Maria e Shqipërisë, u rrit aq sa në 10 vjetorin e themelimit të saj, falë angazhimit të Drejtorit të RMA, Don Prenk Lazrit, e realizoi idenë që një radio e tillë të hapej edhe në Kosovë.

 Kështu në bashkëpunim me WFRM me 29 janar të 2013 filloi punën edhe një stacion i Radio Marisë në gjuhën shqipe, Radio Maria e Kosovës, me qendër në Prishtinë, me një frekuencë lokale, që dëgjohej vetëm në regjionin e Prishtinës. Këto katër vite radiot simotra, Radio Maria e Shqiperisë si dhe Radio Maria e Kosovës përplotësonim njëra-tjetrën, përmes bashkëpunimit, me larmishmëri të emisioneve.

Tani Radio Maria e Kosovës fillon një rrugëtim të ri, me një rrjet dëgjueshmërie në mbi 80% të territorit të Kosovës. Kjo frekuencë e re 105.2 MHz, do të jetë një Zë përçues i paqes dhe dashurisë në zemrat e secilit dëgjues.

‘’Dëgjuesit e Radio Marisë së Kosovës janë hallka e “Rruzares së gjallë” dhe të vazhdueshme të Virgjërës Mari, që lartësohet nga zemrat kah Qielli, dhe me fe e dashuri, në kërkim të Paqes, Pajtimit, Mëshirës hyjnore, bashkëjetesës dhe vëllazërisë mes njerëzve, popujve, feve, kulturave, traditave të ndryshe, si parakusht për të tashme dhe të ardhme më të mirë, për shpëtimin tonë dhe të mbarë njerëzimit.

Mos të harrojmë një gjë, nderimi dhe falënderimi ynë gjithmonë përcillet me uratë dhe dashuri: Ndaj Zotit, Virgjërës Mari, Kishës katolike ndër ne, që na ka mundësuar këtë mjet të madh të komunikimit të Fjalës së Zotit, të ungjillëzimit të ri, të informimit dhe formimit të krishterë’’.

Nga Mons. Lush Gjergji, Drejtori i Radio Marisë së Kosovës

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »