“Ardhtë mbretëria ime”?

Aug 26 • Meditimi i ditës

26 gusht 2017 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rut 2,1-3,8-11; 4,13-17; Ps 128,1-5; Mt 23,1-12)

 

Prania e Hyjit


Po ja kujtoj vetvetes, o Zot, se jam në praninë tënde.

Do të gjej strehim te zemra jote të butë.

Ti je fuqia ime në momentet e dobësisë.

Në momentet e pikëllimit Ti je ngushëlluesi im.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 23, 1-12


1 Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet:

2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. 3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. 4 Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.

5 Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. 6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, 7 përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.

8 Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. 9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell! 10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin! 11 Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. 12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.


Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi nuk merret me çështjen se si jetojnë farisenjtë, por sheh se si ata duke përdorur përmasa njerëzore ishin bërë plotësisht të hutuar dhe të largët nga Hyji.
  • A ndodh ndonjëherë që edhe unë të lejoj të ngashënjehem me dëshirën që të ndodh sipas mënyrës sime, për të vendosur mbretërinë time në vend që ta kërkoj Mbretërinë e Hyjit?

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »