Imzot Dodë Gjergji: Të jemi gjithë nga pak Nënë Tereza për vendin tonë!

Aug 27 • Kisha në Kosovë

Fort të dashur miq,

Me dashurinë e Nënë sonë Tereze, dua të Ju përqafoj të gjithëve, të Ju dëshiruar të keni paqe e gëzim në zemrat tuaja, e të arrini të jeni gjithë nga pak Nënë Tereza për vendin tonë.

Të gjithë ne e kemi të njëjtën zemër bujarie, të njëjtin entuziazëm guximi për t’i shërbyer të mirës dhe për të qenë në dobi të të afërmve, sepse këtë mësim ne e marrim prej Krishtit, këtë e mbjellim në zemër dhe të njëjtën dua t’ia dhurojmë botës.

Ne, sot po fillojmë të përgatitemi për festën e madhe të 5 shtatorit, ditë kur do ta shugurojmë këtë shenjtërore.

Në traditën e moçme, nga 26 gusht – 5 shtator, kanë qenë ditët e Nënë Terezës, dhe ne dëshirojmë t’i vazhdojmë ato, sepse është një nëntëditësh përgatitje për festën e madhe të 5 shtatorit, në ditën e shugurimit të kësaj Shenjtërore, e cila dëshirojmë që të jetë një vend ku çdo njeri pa dallim, çdo njeri i vullnetit të mirë, të vijë e të mësojë se çfarë do të thotë dashuria, të vijë e të mësojë çfarë do të thotë shërbimi në emër të kësaj dashurie.

Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezent e ata që do të jenë me 5 shtator.

Dita e ditëlindjes së Nënë Terezës, me 25 gusht, do të jetë një ditë kur ne do të fillojnë të bëjmë mirë në emër të Nënë Terezës, jo vetëm të flasim mirë për të, por edhe të japin një lëmoshë për bamirësi, të cilën do ta fillojmë sot. Nga kontributi që do të mblidhen për çdo vjet në 26 gusht, do të jenë për bamirësi. Sivjet lëmosha do të shkojë te motrat e Nënë Terezës në Pejë, të cilat tash sa vite shërbejnë me përvujtëri e pa ju nie zani. Por ato janë këtu, janë në Pejë, e i duan të varfërit ashtu si i donte Nënë Tereza në Kalkutën e largët.

Kjo ditë është e veçantë, sepse është ditëlindja e Nënë Terezës, po këtë ditë, me 26 gusht 2005 është bërë bekimi i gurthemelit të kësaj Katedrale nga shumë të dashurit tanë Dr. Ibrahim Rugova dhe Mons. Mark Sopi. E për koincidencë edhe famullitari i Katedrales Nënë Tereza ka sot ditëlindjen, pra ka lind me të njëjtën ditë me Nënë Terezën. Pra një ditë e shënuar për të gjithë ne.

I falënderoj të gjithë ata që kanë përgatitur këtë mbrëmje shpirtërore dhe kultuore për ditëlindjen e Nënë Terezës, artistët tanë, këngëtarën dhe recituesit e poezive dhe uratave të Nënë Terezës.

Në fund, dua ta përshëndes z. Sakip Imeri-in, drejtorin e përgjithshëm e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) një kumshi tonin që e ka përgatit ekspozitën me fotografi të ndërtimit të Katedrales. Ai që nga fillimi i ndërtimit, për 10 vjet me radhë, për çdo ditë, ka bërë nga një fotografi punimeve në Katedrale nga zyra e tij e punës. Disa prej tyre janë të ekspozuar sonte, që e ngjallin një proces të punimeve të kësaj Katedrale ku jemi sot.

(Fjala përshëndetëse e Imzot Dodë Gjergjit, në hapjen “Ditët e Nënë Terezës”, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, më 26 gusht 2017.)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »