Hapet ekspozita me letërkëmbimet e Nënë Terezës

Aug 29 • Kulturë

Nga Linda Gjokaj

Në ditëlindjen e 107 të Shenjtëreshës Shqiptare, në 20 vjetorin e vdekje dhe në 1 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, që u shënua më 26 gusht 2017, Instituti i Historisë “Ali Hadri – Prishtinë, në bashkëorganizim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore të Shqiptarëve – Shkup dhe Ipeshkëvisë së Kosovës, ka hapur ekspozitë në Biblotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” me fotografi dhe dokumente nga jeta e Shën Nënë Terezës, e titulluar “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – Korrespondenca”, e cila do të jetë e hapur për vizitor deri më 5 shtator, në festën e Nënë Terezës.

Ekspozita është një aktivitet në kuadër të ditëve të Nënë Terezës që do të kulmoi me shugurimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, më 5 shtator, nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinalit Shqiptar Ernest Simoni.

Të ftuarit për të përshëndetur ekspozitën, theksuan se një bashkëpunim i tillë është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për shqiptarët, e sidomos kur prezantohet veprimtaria shembull e Shën Nënë Terezës.

Nikoqiri i ngjarjes, Dr. Gjon Berisha, Sekretar i Institutit të Historisë në Prishtinë, e ka cilësuar ngjarjen shumë të rëndësishme, sidomos kur bëhet fjalë për Nënë Terezën dhe letrat e saja, një nxitje për shkencëtarët për të hulumtuar në të ardhmen.

Drejtori i Insitutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani tha se kjo ekspozitë është përgjigje shumë e nevojshme ndaj atyre që dëshirojnë të përvetësojnë figurat tona kombëtare: “Më 26 gusht të vitit të kaluar u përpilua kjo ekspozitë dhe rezultoi që për së pari herë t’i jepet përgjigje atyre që cenojnë dhe dëshirojnë të përvetësojnë figura të mëdha të historisë dhe kulturës shqiptare, siç është Gjergj Kastrioti- Skënderbeu dhe Nënë Tereza. Dy figura tona që lidhen drejtpërdrejt edhe me identitetin tonë shqiptar”, tha ai.

Duke komentuar fotografitë dhe sugjeruar që të lexohen me kujdes letrat e Nënë Terezës, Vikari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji tha se për t’i zbardhur këto letra dhe fotografi është dashur mund dhe vite prandaj nuk është ekspozitë që vetëm duhet të kalohet, por të analizohet dhe të meditohet.

Letërkëmbimet e prezantuara në këtë ekspozitë, gjenden në Arkivin Shtetëror të Kantonit Lucern të Zvicrres e që janë zbuluar nga Albert Ramaj, e disa të siguruar nga persona tjerë hulumtues, shkrime të gazetës Drita, që tregojnë vizitat e Nënës Terezë në trevat Shqiptare, siç është Shkupi, Letnica, Binça etj…

Dëshmitë, letrat dhe fotografitë e prezantuara, mbi të gjitha veprat dhe mësimi, që na la kjo shenjtëreshë janë mision përtej jetës së saj, është vulë e përhershëm në historinë e njerëzimit./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »