Shën Nënë Tereza: “Puna jonë është dashuria”

Aug 30 • Këndvështrime

 “Mirësia ka kthye më shumë njerëz se zelli, shkenca, gojëtaria… Nëse duam që të t’ua japim të tjerëve Jezusin, nëse nuk e kemi Atë në zemrën tonë…”Kthimi” domethënë ta sjellësh te Zoti. Kthimi dhe shenjtërimi janë vepra të Zotit. Puna jonë është dashuria, dëshmia e Zotit. Mos të kërkojmë ta detyrojmë dikë për ta pranuar fenë tonë. Të kërkojmë vetëm që drita dhe jeta e Krishtit të jetë dhe të kalojë nëpërmjet nesh në botën e mjerimit… Nacionalizmat nuk kanë kuptim me rregullat e kushtetutave tona… Kështu që nuk duhet kurrë të kemi ndonjë qëndrim nënçmues apo përjashtues ndaj atyre që nuk janë të kombit apo të fesë tonë.

Nuk duhet kurrë të frikohemi ta shpallim Lajmin e Mirë në çfarëdo rrethi. Hetoj që njerëzit sot kanë më shumë uri për Zotin se më parë. Më parë religjioziteti ishte sipërfaqësor, sot ka shumë dëshirë për ta takuar Zotin në thellësinë e zemrës. Ky është motivi për të cilin duhet të jemi bartëse dhe shpallës të Krishtit.

Në Indi një numër gjithnjë më i madh Hindu, Myslimanë, Budistë marrin pjesë në punën tonë. Pse vijnë? Sepse e hetojnë praninë e Zotit, duan ta shërbejnë Zotin në mënyrën e tyre, dhe kuptojnë që urata dhe flijimi mund ta bëjnë këtë.”

Zoti na ka dhënë përpos jetës trupore, edhe atë shpirtërore dhe mbinatyrore me sakramentin e pagëzimit , sepse na ka bërë pjesëtarë në familjen e madhe të Kishës Nënë… Sa dhuratë e bukur është pagëzimi, me të cilin bëhemi bij të Zotit, anëtarë të Trupit mistik, Kishës, trashëgimtarë të amshimit.

Mendoj se askush nuk ka dhënë më shumë se Zoti, që na ka dhënë gjithçka falas… Ta falënderojmë Zotin që na ka dhuruar të Birin e vet Jezusin, që të lindte në botë si ne në gjithçka përpos mëkatit. Zoti e ka tregua madhërinë dhe bukurinë e jetës njerëzore duke u bërë Ai Njeri… Jezusi në Ungjill thotë:Nëse nuk bëheni si këta fëmijë, nuk do të hyni në Mbretërinë qiellore. Çka domethënë të jesh i vogël? Të kesh zemrën e pastërt, që ka Jezusin, që është në zemrën time, që jetoj hirin e pagëzimit, të fesë, shpresës dhe dashurisë… Jezusi na do gjithnjë dhe gjithkund.”/drita.info

Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »