Shugurimi i Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë – 5 shtator 2017

Sep 1 • Kisha në Kosovë

Në afërsi të Ulpianës Antike, toka e Shën Florit dhe Laurit, martirëve të parë të Dardanisë (fillimi i shekullit të II pas Krishtit), afër varrit të zhvarrosur dhe të zhdukur të argjipeshkvit të fundit të Prishtinës, Imzot Pjetër Bogdanit, si dhe martirëve të panumërt të shumë gjeneratave, kemi hirin dhe dhuratën të lajmërojmë dhe ftojmë në shugurimin e Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë, Bijës, Motrës dhe Nënës së këtij Populli dhe kësaj Kishe, në të cilën ajo mori sakramentet dhe thirrjen misionare në Shenjtëroren dioqezane në Letnicë.

Duke filluar nga këto fakte historike, si dhe nevoja e kahershme e Kishës sonë, Komuna e Prishtinës, me mbështetje të madhe të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, ndau truallin e caktuar për ndërtimin e kësaj Shenjtërore. Pas studimit dhe përpunimit të projektit nga arkitekti Livio Sterlicchio dhe grupi i tij nga Roma, gurthemeli është bekuar më 26 gusht 2005, nga tashmë i ndjeri Imzot Mark Sopi, në praninë e të ndjerit Ibrahim Rugova, me pjesëmarrje të kardinalit  amerikan Theodor McCarrick, Imzot Zef Gashi, Imzot Dodë Gjergji,  meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, autoriteteve ndërkombëtare dhe vendore, të shumë besimtarëve dhe qytetarëve vullnetmirë.

Mirëpo vdekja e papritur e ipeshkvit Imzot Mark Sopi, (11 janar 2006), si dhe  Presidentit Ibrahim Rugova (21 janar 2006), kishte shkaktuar shtyrje të domosdoshme të procesit të ndërtimit.

Me emërimin dhe ardhjen ipeshkvit të ri për Kosovë, Imzot Dodë Ggjergji, ky proces u përshpejtua, për të arritur atë që ishte premtuar, që më 2010 të kremtohej 100-vjetori i lindjes së të Lumes Nënë Terezës së paku nën kulmin e këtij Tempulli.

Fillimet e punimeve të ndërtimit u bënë më 5 shtator  2007, në festën e së Lumes Nënës Tereze.

Synimi ynë kryesor ishte përurimi dhe bekimi i Shenjtërores Nënë Tereza në Prishtinë, më 5 shtator 2013, me rastin e 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos dhe Vitit të Fesë, 10 vjetori i Lumturimit të saj.

Shenjtërimit të Shën Nënë Terezës i parapriu Koncerti i Filharmonisë së Kosovës “Valsi Hyjnor” në Bazilikën Shën Pali Jashtë Mureve (3 shtator 2016), me një përfaqësi mbarëshqiptare. Meshën e Shenjtërimit e udhëhoqi Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan (4 shtator);  Mesha e falënderimit  ishte udhëhequr nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin (5 shtator). 

Më 5 shtator 2017, në 1 vjetorin e shenjtërimit, do të bëhet shugurimi i Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë, që do të udhëhiqet nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Hirësia e Tij, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani.

Domethënia dhe porosia e Shën Nënës Tereze për ne

Shenjtërorja Shën Nënë Tereza  në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ka dy qëllime dhe synime thelbore: “kthimin” apo mishërimin e saj në mendjet dhe zemrat tona, si dhe ndërmjetësimin e saj për Kishën dhe Popullin tonë. Kështu, në këtë “shkollë” të dashurisë, ne do ta mësojmë dhe zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte që Nëna Terezë i mori ndër ne, i dëshmoi me jetë dhe barti në mbarë botën.

Gonxhe Bojaxhiu, kjo “Lule” e tokës dhe gjakut tonë, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016)./drita.info

Teksti vjen nga Komisioni për Media i Shugurimit 

                                                                                                   

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »