Simbolika e Logos së Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza

Sep 1 • Kisha në Kosovë

Sipas traditës  shekullore, institucionet dhe personat zyrtarë, kanë një logo apo stemë me të cilën identifikohen në shkresa, dokumente, vula e tjera. Një traditë e tillë shpeshherë përdoret edhe për ngjarjet e rëndësishme.

Duke qenë që Shugurimi i Shenjtërores Shën Nënë Tereza, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të Kishës dhe të Vendit tonë në këtë kohë, kemi vendosur që kjo festë ta ketë Logon e vetë, e cila do të përdoret në ftesa zyrtare, në figura festive, si dhe në materiale promovuese të kësaj Dite.

Çfarë simbolizon logoja e Shugurimit?

  1. Katedralja, brenda dy krahëve të Shqiponjës – simbolizojnë Popullin dhe Kishën që ka lind Shën Nënë Terezën, e cila qëndron në ballë të Katedrales, duke bekuar Vendin, Popullin dhe Kishën e vet. Krahët e Shqiponjës janë me ngjyrë të bardhë, pasi që tani populli ynë jeton në paqe dhe liri. Por mbi gjitha, ato i bënë të shëndritshme rrezatimi i dritës së  dashurisë, me të cilën  Nënë Tereza ka shëndrit zemrat e njerëzve në mbarë botën.  
  2. Hapësirat mes krahëve të Shqiponjës janë përshkuar me përzierjen e ngjyrës së kuqe dhe të kaltër. Ngjyra e kuqe, simbolizon tokën tonë të përgjakur nga martirizimet e shpeshta dhe të shumëfishta, kurse ngjyra e kaltër simbolizon qiellin, që do të thotë se, me Shenjtërimin e Nënë Terezës, në popullin tonë është bashkuar qielli e toka.
  3. Kombinimi i vizave bardhë e kaltër – simbolizojnë veshjen modeste të Shën Nënë Terezës (sarinë), që është një nga veshjet më të thjeshta të grave indiane. Forma ovale e këtyre vizave ka dy domethënie: e para, është përmasa botërore e figurës së Shën Nënë Terezës, që paraqet globin dhe përfshin gjithë njerëzimin, ndërsa kuptimi i dytë është forma vezore, që simbolizon vezën e Shqiponjës, prej së cilës çelë pëllumbi i paqes, (që është vetë Ajo), e cila merrë  krahët e saj, e bashkon popullin tonë me popujt e botës dhe e fton atë të mbushë zemrën e vet me dashurinë e krishterë për mbarë njerëzimin.
  4. Katedralja – Shenjtërorja, brenda Shqiponjës dhe e mbështjellur me ngjyra bardhë dhe kaltër, është fryt falënderimi i Popullit tonë ndaj Zotit dhe shprehje e dashurisë për Nënë Terezën. Ne, populli i saj, do t’ia kushtojmë asaj këtë Kishë me 5 shtator 2017, sikur është shënuar në fund të logos. Prandaj, Fytyra e saj është vendos në ballore të Shenjtërores, kurse me shkrimin mbi krahët e shqiponjës, ftojmë Popullin tonë t’i lutet kësaj Nëne. Akrepat e orës 11:00, në orën e këmbaneres, shënojnë kohën kur do të fillojë kremtimi solemn i Shugurimit të kësaj Shenjtërore.

Gjitha këto simbolika janë të mirëmenduara nga Këshilli Organizativ për Festë, dhe janë realizuar me duart e arta të një djali të ri autodidakt, Lin Halili, i cili ka gëdhend edhe kapitolat brenda Katedrales./drita.info

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »