Fjalimi i Delegatit Apostolik arqipeshkvit Juliusz Janusz

Sep 7 • Kisha në Kosovë

Shugurimi i Bazilikës së “Nënës Tereze” në Prishtinë

5 shtator 2017

Hirësi e Juaj, kardinali Ernest Simoni,

I Dërguari i Veçanti i Shenjtërisë së Tij, Papës Françeskut,

Në shugurimin e këtij tempulli të kushtuar Shën Terezes së Kalkutës,

I dashuri zot shtëpie, Shkelqësia e Tij, Imzot Dodë Gjergji,

Të përndritshëm zotërinj ipeshkvi  dhe mysafirë,

Të nderuar përfaqësues të Qeverisë dhe Shoqërisë Civile në Kosovë,

Të dalluar përfaqësues të Bashkësisë  Ortodokse dhe Myslimane,

Të nderuara rregulltare dhe rregulltarë,

Të dashur besimtarë,

 

Çdo vizitë e imja në Kosovë është prekëse, ku, si Delegat i Shenjtit Atë Papë, që disa vite vij për të parë dhe jetuar ritmin e bashkësisë katolike, si dhe për t’u gëzuar për përparimin e vazhdueshëm që e dëshmon ky popull i ri. Jam i gëzuar që ta përshëndes sot të Dërguarin e Veçantë të Papës Françeskut, i cili ka ardhur në Prishtinë për këtë ceremoni, Hirësinë e Tij kardinalin Ernest Simonin. Personaliteti i tij i madh është dëshmi e martirizimit personal dhe i Popullit Shqiptar, i cili ndoshta  ka pësuar përndjekjet më të egra në historinë e njerëzimit, pasi që  ka dashur t’i mbesë besnikë Krishtit, të vetmit Shëlbues të botës. Imzot Dodë Gjergji, i cili me gatishmëri të shquar dhe kujdes sillet ndaj  Delegatit Apostolik, siç thuhet “me dorëza”. Pa mohuar asgjë nga meritat që i ka për këtë ndërtim të jashtëzakonshëm kushtuar Shën Nënës Tereze të Kalkutës, mendoj se jeni në pëlqim me mua nëse them: Imzot Dodë, kjo është shugurimi i punës Tënde, të aftësive Tua, të fesë Tënde për nevojat e kësaj ndërmarrjeje. Disa thonë që kjo kishë e madhërishme është tepër e madhe dhe shumë e bukur. Por unë mendoj që për ta lavdëruar dhe nderuar Zotin, të Shenjtërueshmen Trini, Nënën e Shëlbuesit tonë, Marinë, për t’i lartësuar uratë tona Shenjtërve, kemi nevojë për një ambient të dinjitetshëm dhe mikpritës. Mirënjohja dhe urimi u shkon të gjithë meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, që nuk kanë kursye kohë dhe mund për t’i përkrahë punët e këtij ndërtimi, ndonjë herë ndoshta vetëm me uratë. Urata e tillë ishte e rëndësishme, sepse siç na mëson psalmi 126: “Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, kot mundohen ata që e ndërtojnë”. Uratat drejtuara Zotit me ndërmjetësinë e Shën Nënës Tereze të Kalkutës, kanë ndihmuar që vepra të zhvillohet pa ndonjë fatkeqësi dhe ka zgjatur pak kohë. Uratat ju kanë motivuar juve, të dashur besimtarë të Kosovës, që jetoni në vende të ndryshme të botës. Jam i sigurtë që gjatë ndërtimit kanë munguar mjetet financiare, por ju dhe Ipeshkvi i juaj keni thënë si Shën Faustina: Jezu, unë shpresoj në Ty! E keni ndërtuar këtë banesë për Zotin e gjallë, për Jezusin të pranishëm në të Shenjtërueshmin Sakrament gjatë Meshës, pastaj në Tabërnakull. Keni vendosur gurë mbi gurë, mbi një themel të sigurtë të historisë suaj të shëlbimit. Vërtet, toka e Kosovës është e privilegjuar, ku Ungjilli, Lajmi i Mirë i Jezu Krishtit, ka ardhur qysh nga kohët e Apostujve. Ishte Apostulli i Botës, Shën Pali, i cili e ka vizituar Ilirinë, duke mbjell krishterimin. “Sangus Martyrum semen Christianorum”. Edhe sundimi i gjatë otoman, si dhe regjimi komunist dhe ateist, nuk kanë mund ta fikin Dritën e Krishtit. Kjo dritë tash hyn brenda kësaj bazilike nëpërmjet vitrazheve tejet të bukura, që ndriçojnë vazhdimësinë e fesë tuaj gjatë dymijë viteve të krishterimit.

Vuajtja juaj, martirizimi i miliona njerëzve, ka krijuar një themel të fortë për ndërtimin e Kishës së gjallë, të Kishës së Krishtit e përbërë nga ndjekësit e tij. Për këto hire flet Letra Papnore me të cilën Papa Françesku e ka emëruar të nderuarin kardinal Ernest Simonin si të Dërguar special për ceremoninë e shugurimit të Tempullit në të cilin jemi. Vërtet, kjo Shenjtërore e jashtëzakonshme e Nënës Tereze të Kalkutës, është fryt i dashurisë së popujve, të asaj dashurie që Shën Tereza e ka zbatuar në mënyrë heroike.  Është një monument ndaj “Shenjtëreshës së Dashurisë”. Siç njofton Monsinjor Lush Gjergji në librin “Nëna Tereze, dashuria në veprim”, në ceremoninë e lumturimit të Shenjtëreshës, të dielën më 19 tetor 2003, “në Sheshin e Shën Pjetrit janë të gjithë: të krishterë, hebrenj, myslimanë, hinduistë, budistë…”, unë do të shtoja edhe ateistë dhe armiqtë e Kishës institucionale. Pastaj vazhdon Monsinjor Lushi: “Universalizmi i Dashurisë është i mrekullueshëm, duke krijuar bashkimin në dallime. Duket si të ishim në një botë tjetër, ku nuk ka më ndarje, urrejtje, dallime, diskriminime, indiferentizëm, egoizëm”.

 Jemi këtu të bashkuar për ta vazhduar veprën Shën Nënës Tereze të Kalkutës, për të dhënë një përkrahje që Kosova të jetë Toka e Paqes dhe tolerancës, që ne të krishterët të bëhemi drita e botës, siç na mëson vetë Jezusi: “Ashtu të shndrisë edhe drita e juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lavdërojnë Atin tuaj që është në qiell” (Mt 5, 16).

Urime Festa të gjithëve!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »