Ku janë dy ose tre të bashkuar…

Sep 9 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela 23-të gjatë vitit (A)

 

Hyrje

Kudo që njerëzit jetojnë bashkë, ata kanë nevojë për një rregull të shkruar apo të pashkruar për të jetuar së bashku. Por, sapo duhet të kërkohet një urdhër, lindin konfrontime dhe konflikte. Si në fusha të tjera të jetës, kjo edhe në kishë nuk është ndryshe.
Jezusi na ka siguruar që ai është në mesin e atyre që mblidhen në emrin e Tij. Ky vështrim në qendër dhe në këtë mënyrë duke u fokusuar në kryesoren e bashkësisë sonë na ndihmon t`i kapërcejmë kundërshtimet.
Kështu, në fillim të mbledhjes sonë rreth tryezës së shenjtë, ta drejtojmë shikimin tonë kah Ai që na ka thirrur këtu, dhe t`i kërkojmë Atij që të na tregojë praninë dhe afërsinë e tij.

 

Leximi i parë Ez 33,7-9

Nëse ti nuk i flet të patenzotit, do të kërkoj gjakun e tij prej dorës sate kur ai të vdesë.

Lexim prej Librit të Ezekielit  profet

7 Ty, o biri i njeriut, unë të kam vënë për rojtarin e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, qortoji ata në emër tim. 8 Në qoftë se unë të them për të paudhin: ‘I paudhë, do të vdesësh!’, e ti nuk i thua që i patenzoni të largohet nga udha e tij e mbrapshtë, i paudhi do të vdesë në fajësinë e vet, kurse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate. 9 Por, në qoftë se e qorton të patenzonin, që të kthehet nga rruga e vet e ligë, kurse ai nuk kthehet, ai do të vdesë në fajësinë e vet, por ti e ke shpëtuar jetën tënde.

Fjala e Zotit.

 

Psalmi 95,1-2.6-9

Ref.: O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd.

1 Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
2 T’i dalim para me falenderim,
t’i këndojmë këngë hareje!

——————————————

6 Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
7 Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai ruan.

——————————————

8 Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
9 porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

——————————————

 

Leximi i dytë   Rom 13,8-10

Dashuria është zbatimi i përsosur i Ligjit.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

8 Askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri‑tjetrin, sepse ai që e do tjetrin, e ka plotësuar Ligjin. 9 Sepse:

Mos bëj kurorëthyerje!

Mos vra!

Mos vidh!

Mos lakmo!

e nëse ka edhe ndonjë tjetër urdhër ‑ është i përfshirë në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ 10 Dashuria nuk i bën keq të afërmit. Dashuria, pra, është zbatimi i përsosur i Ligjit.

Fjala e Zotit.

 

Aleluja!

Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvetën, duke na e besuar fjalën e pajtimit.

Aleluja!

 

Ungjilli Mt 18,15-20

Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllan tënd.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

 “Në qoftë se vëllai yt mëkaton [kundër teje], qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. Po qe se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.

Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell dhe, çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.

Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo gjëje, Ati im që është në qiell, do t’ua japë. Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, mes tyre.”

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Kudo që janë dy a tre së bashku, çfarë ndodh atje? Dorën në zemër! Kryesisht ata flasin për dikë që nuk është i pranishëm. Dhe unë po marr guximin të them: Ata zakonisht e rreshtojnë tjetrin [për ta gjykuar]! Le të jemi të sinqertë: Kur ndodhen dy a tre bashkë, sa shpesh flasim vetëm mirë për dikë që mungon? Për fat të keq ndodh që gabimet e të tjerëve diskutohen më shumë se anët e tyre të mira. Ne shpesh ankohemi për mediat se po përhapin veçanërisht lajme të këqija. Por çka bëjmë ne vetë kur flasim për të tjerët?

Në ungjillin e sotëm, Jezusi jep rregulla shumë specifike se si do të duhej të sillemi me gabimet e të tjerëve. Sa ndryshe do të ishte bashkëjetesa jonë, po t`i përmbaheshim udhëzimeve të Jezusit! A nuk ndodhë pothuajse gjithmonë që i kritikuari është i fundit që e dëgjon kritikën që i bëhet? Para se dikush të ketë guximin t’i drejtohet personit në fjalë, pas shpinës së tij tash veç është folur e përfolur.

Udhëzimi i Jezusit është i qartë: së pari, një bisedë ballafaqe – sy më sy! Para se të fillosh ta marrësh nëpër gojë tjetrin, para të gjitha thashethemeve dhe përhapjes së gabimeve të tij/saj para të tjerëve, të kesh guximin të flasësh direkt me personin në fjalë! Kur marr letra ankesash për këtë apo atë famullitar ose bashkëpunëtor, unë gjithmonë pyes: a keni folur Ju tashmë me filanin personalisht? Pse është kaq e lehtë për ne që të diskutojmë gabimet e filanit me të tjerët, dhe aq e vështirë për të gjetur një bisedë të drejtpërdrejtë me të?

Ia vlen me të vërtetë për të bërë këtu një shqyrtim personal të ndërgjegjës. Shumë shpesh jemi thjesht të frikësuar për të biseduar me tjetrin personalisht për gabimin e tij, për shkak se edhe mund të sjellë disavantazhe për ne, veçanërisht nëse kemi të bëjmë me një mbikëqyrës, me shefin.

Vetëm kur biseda nuk sjellë kurrfarë fryti, duhet të marrim “dy ose tre dëshmitarë”. Pse? Kështu që personi në fjalë të ketë mundësinë ta pranojë gabimin e vet dhe të kthehet në bashkësi. Nëse ai nuk e shfrytëzon as këtë mundësi, kjo mund të nënkuptojë përjashtimin nga bashkësia.

Qëllimi i Jezusit është i qartë: ne të gjithë mund të bëjmë gabime. Por kjo është arsyeja pse duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin të mësojmë nga gabimet tona dhe t`i tejkalojmë ato. Dhe kjo është e mundur vetëm nëse filani, personi në fjalë nuk është i ekspozuar publikisht, por kur i drejtohesh atij personalisht.

Në qoftë se e kemi guximin, atëherë premtimi i Jezusit mund të fillojë të realizohet: “Ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, mes tyre.” Ku njerëzit në mënyrë të hapur, me ndershmëri, dashuri trajtojnë njëri-tjetrin aty kjo fjalë e Jezusit është me të vërtetë përjetueshme. Një familje në të cilën thuhet uratë, lutet, mund të jetë një vend i tillë. Sa e fortë është kur bashkëshortët janë të bashkuar në besim dhe lutje: Hyji është i pranishëm si një i tretë në lidhje. Atje ku njerëzit janë ashtu të lidhur, ekziston edhe hapësira e të pasurit besim, t’ia tregojnë njëri-tjetrit gabimet dhe t’i kapërcejnë ato së bashku. A duhet të jetë kjo e pamundur?

Kardinal Christoph Shoenborn

 

Lutjet e besimtarëve

M. OZot, Jezu Krisht, ti ke premtuar: “Gjithçka që dy prej jush kërkojnë së bashku, do të marrin nga Ati im Qiellor.” Të bashkuar në emrin tënd, ne po t`i drejtojmë këto lutje:

  • Për të gjithë ata që kanë vështirësi për t`i mbajtur normat dhe rregulloret kishtare.
    Bëj që ta kuptojnë që Kisha ka nevojë për rend dhe rregull për të të qëndruar e bashkuar, të lutemi.
  • Për të gjithë ata që ndihen shumë të ngarkuar nga liria e fëmijëve të Hyjit dhe kërkojnë të ndalen në ligje të ngurta.
    Jepu besimin se Shpirti yt na udhëzon dhe na prinë të gjithëve, të lutemi.
  • Për të gjithë ata që kanë përgjegjësi në Kishë dhe që kujdesen për një jetë që ka rend e rregull.
    Jepu mençuri që të jenë në nivel të detyrës, duke kryer misionin e tyre ndershëm dhe me drejtësi, të lutemi.
  • Për të gjithë ata që e shohin veten në konflikte të papajtueshme me rendin kishtar.
    Jepu forcën për të duruar tensionet dhe të mos heqin dorë nga bashkësia me Kishën, të lutemi.
  • Për të gjithë ata që janë larguar nga Kisha ose janë tërhequr.
    Jepu durimin dhe mirëkuptimin për dobësitë dhe gabimet tona dhe ktheji në bashkësinë e plotë të Kishës, të lutemi.

M. Ti, o Zot, e mban bashkë bashkësinë e Kishës. Ti mund ta zgjidhësh të pazgjidhshmen. Ne po ta besojmë vetveten. Dëgjoji këto lutje që t`i drejtuam. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

(Përgatiti: Don Shtjefen Dodes)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »