Hyji gjithmonë mban një premtim më të ndritshëm për ne

Sep 13 • Meditimi i ditës

13 shtator 2017 – E mërkurë, Shën Gjon Gojarti, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Kol 3,1-11; Ps 145,2-3.10-13b; Lk 6,20-26)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës apo të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të përzgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Lk 6, 20-26

 

20 Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënësit, thoshte:

“Të lumët ju, o skamnorë,

sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit!

21 Të lumët ju që tani keni uri,

sepse do të ngiheni!

Të lumët ju që tani qani,

sepse do të qeshni!

22 Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë,

kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre,

kur do t’ju poshtërojnë,

kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut!

23 Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell.

Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët!

24 Por, vaj për ju, o pasanikë,

sepse e keni ngushëllimin tuaj!

25 Vaj për ju që tani jeni të ngopur,

sepse do të pësoni uri!

Vaj për ju që tani qeshni,

sepse do të vajtoni e do të qani!

26 Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nuk ka imazhe të shkëlqyera këtu! Kush prej nesh dëshiron të jetë më skamnor, i trishtuar, në konflikt, ipërjashtuar apo i poshtëruar? Jezusi nuk pret prej nesh që ta kërkojmë sikletin, por dëshiron që ta kuptojmë se Hyjigjithmonë mban një premtim më të ndritshëm për ne.
  • Ne e kërkojmë dhe e gjejmë Hyjin atje ku jemi, por gjithmonë kuptoje se Hyji na bën thirrje të shkojmë më tej, t`i afrohemi më shumë – nuk kemi mbërritur.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonëstime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »