Shugurimi i Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë

Sep 13 • Kisha në Kosovë

Nga Don Shtjefën Dodes

Dita e martë, 5 shtator 2017, ishte një ditë e veçantë për qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës, ditë feste e gëzimi sidomos për besimtarët katolikë të Kosovës. Në këtë ditë në praninë e mijëra pjesëmarrësve u kremtua solemnisht shugurimi i Shenjtërores Shën Nënë Tereza. Kremtimit i priu i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani i shoqëruar nga ipeshkvi i vendit Mons. Dodë Gjergji, (argj)ipeshkvij të ftuar, si dhe shumë meshtarë nga vendi dhe rajoni.

Shugurimi i Shenjtërores Nënë Tereza u bë në 5 shtator 2017, në ditën e 1 vjetorit të shenjtërimit, 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjtëreshës shqiptare. Kësaj feste të madhe i paraprinë “Ditët e Nënës Terezë“, të cilat filluan në ditëlindjen e saj dhe ditën e bekimit të gurthemelit të Katedrales, me 26 gusht. Ishin këto në fakt mbrëmje feste me program kulturor, me këngë klasike dhe recitim të poezive dhe uratave të Nënë Terezës që u mbajtën brenda Shenjtërores dhe në ambiente tjera kulturore.

Pjesë e veprimtarive përgatitore për festën e 5 shtatorit ishte edhe ekspozita me fotografi e dokumente “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, e cila qe hapur në Bibliotekën Kombëtare në kryeqytetin e Kosovës, me bashkëorganizim të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Ipeshkvisë së Kosovës.

Për besimtarët katolikë, në veçanti, qe paraparë edhe treditëshi si përgatitje shpirtërore për festën e shugurimit të Shenjtërores. Në vigjiljen e festës u kremtua mesha me Lutjen e Mbrëmësores dhe Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytet. Ipeshkvia e Kosovës më pas ftoi edhe në darkën e falënderimit me donatorët e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë ku u shpërndanë edhe mirënjohje.

Në meshën solemne të shugurimit të Shenjtërores ishin edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, anëtarë të Qeverisë dhe deputetë të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të partive politike, të komuniteteve fetare, të shoqërisë civile, mediave nga hapësirat shqiptare e bota.

Me respekt të veçantë në meshën solemne të ftuar dhe pjesëmarrës ishin anëtarë të familjes së Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, si dhe personalitete të rëndësishme kombëtare, prijës të fesë ortodokse dhe islame, bektashinj dhe tarikatet, të kishës protestante dhe të komuniteti hebre.

Për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve në këtë kremtim, para dhe pas Shenjtërores u ngritën dy monitorë të mëdhenj për të mundësuar përcjelljen e festës së shugurimit, një numër i të cilëve ishin besimtarë Shqiptarë nga famullitë e Kosovës, por edhe nga Shqipëria e viset tjera etnike dhe diaspora shqiptare. Radio Televizioni i Kosovës e transmetoi drejtpërdrejt meshën e shenjtë në tërësi. Shumë gazetarë dhe televizione publike e private, vendase dhe të huaja kishin shprehur interesim të madh për t’u akredituar dhe për ta mbuluan këtë ngjarje historike për Kishën dhe për Vendin tonë.

Riti i shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë filloi në orën 11:00 me procesionin nga rezidenca ipeshkvore drejt dyerve hyrëse të kishës. Prinin ministrantët (shërbestarët liturgjikë) dhe priftërinjtë bashkëkremtues pas të cilëve shkonin i Deleguari i posaçëm i Papës kardinali shqiptar Ernest Simoni-Troshani i shoqëruar nga ipeshkvi i vendit Mons. Dodë Gjergji, (argj)ipeshkvij dhe meshtarë.

Në hyrje të kishës u bekua uji i përgatitur për të bërë ripërtëritjen e dëshmisë së pagëzimit të besimtarëve. Duke hyrë, kisha dhe hapësira e kishës u spërkatën me ujë të bekuar. Në ndërkohë këndonte kori i kishës i cili e përcolli ceremoninë gjatë gjithë kohës.

Vijuan leximet nga Shkrimi i Shenjtë. Pas Ungjillit predikimi u bë nga ana e kardinalit Ernest Simoni-Troshani.

“Po e fillojmë këtë fjalë të bashkuar si vëllezër e motra, me himnin e Kishës “kjo është dita që na e dhuroi Zoti”, të galdojmë e të gëzohemi në Te. Me këtë atmosferë festive të përkulemi para Krishtit, mbretit të qiellit e dheut, ti japim nder e lavdi Shpëtimtarit, i cili me dashurinë e Tij të pamasë e drejton botën.

Në këtë ditë të bukur, duket se Zoja e Bekuar dhe Nënë Tereza me turmat e engjëjve kanë zbritur mes nesh me na pru lajmin e madh: Ejani vëllezër e motra, vëllazën kosovar shqiptarë besnik të Zotit dhe të atdheut, njerëz me fe të gjallë, me ndershmëri dhe drejtim të fortë shpirtëror, vijmë dhe përmbysemi para Zotit, me fe të gjallë jo artificiale.

Krishti është i pranishëm në eukaristi në çdo kishë, ky Krishti me korp e me shpirt, i etshëm për njerëz, e posaçërisht mëkatarë, që të mund edhe ata ta shohin lumninë e Zotit. Krishti është Babë i gjithë njerëzimit.”

Kardinali pastaj vuri në dukje shembullin e shenjtërisë së Nënë Terezës, vogëlsinë saj dhe zemrën e saj të madhe që bëri të shkëlqejë dashuria e Krishtit për të gjithë njerëzit vullnetmirë. Shembulli i saj është thirrje për të gjithë ne që ta shohim njëri-tjetrin si vëllezër e motra dhe të jemi në shërbim të njerëzve në nevojë. “Nënë Tereza, një grua e përvujtë, e vogël, e thjeshtë, prej rrënjëve tona është shndritur prej Shpirtit Shenjt, e mbushur me dashurinë e madhe të Krishtit, bahet shembull dhe pasqyrë, tërheqje e miliona e miliona njerëzve në botë, që me mujt me dasht njani-tjetrin, me e ndihmua njëri-tjetrin, me pasë dhimbje për të varfërit e botës. Ajo shkoj në Kalkuta për me përhapë flakën e dashurisë së Krishtit, e cila bëri që edhe të mirat materiale të vëhen në shërbim të të varfërve.” – tha ndër tjera kardinali Simoni në homelinë e tij.  

Pas predikimit vijoi kushtimi apo shugurimi në kuptimin e plotë të fjalës, i cili u hap me litanitë – ku u thirrën në ndihmë ndërmjetësia e shenjtërve dhe shenjtëreshave të Kishës katolike. Vijoi vendosja e relikteve – pikat e gjakut të Shën Nënë Terezës, në relikuiarin e përgatitur enkas te truporja e saj anash altarit kryesor. Pastaj, ipeshkvi Dodë Gjergji shuguroi altarin duke e lyer me bagmin apo vajin e shenjtë. Gjithashtu me këtë vaj të shenjtë u lyen edhe dymbëdhjetë kryqet në shtyllat e kishës. Mbi altar u dogj kemi, që shoqërohej me këngën “Veni Creator Spiritus” dhe lutjen e kushtimit nga ana e ipeshkvit.

E gjithë kjo u pasua nga kremtimi eukaristik – kushtimi i dhuratave nga disa besimtarë, respektivisht kremtimi i kujtimit dhe ditësimi i Darkës së fundit të Jezu Krishtit. Pas kungimit të besimtarëve u bekua tabernakulli ku u adhurua Korpi i Krishtit i vendosur për herë të parë në dukjet e hostjeve të shuguruara në Shenjtëroren e posashuguruar. Në këtë vend do të ndizej drita e amshuar shenjë e pranisë së Krishtit, si mundësi për ta nderuar dhe adhuruar Zotin e gjallë midis njerëzve.

Në përmbyllje të gjithë besimtarët e kënduan lutjen “Lavd e ndera të qoftë, o Zot” në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për këtë ngjarje të rëndësishme.

Para se përfundimit të kremtimit fjala iu dha nuncit apostolik Juliusz Janusz i cili theksoi se çdo vizitë e tija në Kosovë ishte prekëse. Si Delegat i Shenjtit Atë Papë, që disa vite vinte për të parë dhe jetuar ritmin e bashkësisë katolike, si dhe për t’u gëzuar për përparimin e vazhdueshëm që e dëshmon ky popull i ri. Duke iu drejtuar të pranishmëve tha: “Vuajtja juaj, martirizimi i miliona njerëzve, ka krijuar një themel të fortë për ndërtimin e Kishës së gjallë, të Kishës së Krishtit e përbërë nga ndjekësit e tij.” Fjalimin e tij e përmbylli duke uruar me fjalët: “Jemi këtu të bashkuar për ta vazhduar veprën e Shën Nënës Tereze të Kalkutës, për të dhënë një përkrahje që Kosova të jetë Toka e Paqes dhe tolerancës, që ne të krishterët të bëhemi drita e botës, siç na mëson vetë Jezusi.” (fjalimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: http://www.drita.info/2017/09/07/fjalimi-i-delegatit-apostolik-arqipeshkvit-juliusz-janusz/).

Fjala e rastit iu dha edhe presidentit të shtetit të Kosovës, Hashim Thaqit. Ai theksoi se “kjo katedrale është shtëpi e Zotit, por është edhe shtëpi e qytetarëve të Kosovës“. Ai uroi që “kjo katedrale për sot e përjetë të qëndrojë si shtyllë e qytetarëve të Prishtinës dhe të Kosovës, t’ju përkujtojë fëmijëve tanë dhe gjithë gjeneratave që vijnë se kush ishte Shën Tereza.“ Presidenti i Kosovës e ftoi edhe Hirësinë e tij Kardinalin Troshani që dashurinë e kësaj dite ta ndante edhe me Atin e Shenjtë, Papa Franceskun. E ftoi kardinalin që të rrëfente për tolerancën që kemi e që është shtyllë e vlerave tona… Kjo katedrale është jo vetëm tempull fetar por edhe një rrëfim i historisë sonë“, shtoi presidenti. (fjalimin e plotë të presidentit mund ta gjeni në këtë link: http://www.drita.info/2017/09/07/presidenti-thaci-katedralja-nje-tempull-fetar-dhe-rrefim-i-historise-sone/

U lexua edhe letër urimi i kardinalit Mauro Piacenza, Presidentit të Fondacionit Papnor “Ndihma e Kishës në Nevojë” (“Kirche in Not”). Ai kishte shprehur gëzimin që ka pasur mundësi për të ndihmuar në mënyrë aktive në ndërtimin e kësaj Katedrale. Duke e theksuar shembullin tërheqës të Shën Terezës së Kalkutës, shtoi që “gurtë e këtij objekti të shenjtë, mbështeten në gurthemel, dhe janë mirë të bashkuara, mund t’u përkujtojnë të gjithëve primatin e Zotit, si garanci e vëllazërisë dhe të mirës së vërtetë të përbashkët.” (fjalimin e plotë të kardinalit e gjeni në këtë link: http://www.drita.info/2017/09/07/fjalimi-i-kardinalit-mauro-piacenza/).

Në përmbyllje e mori fjalën edhe ipeshkvi i vendit, mons. Dodë Gjergji, i cili si bari i kësaj kishe e ndjente obligimin moral për të falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në çfarëdo mënyre në ndërtimin e Shenjtërores. Ndërtimi i Katedrales është bërë i mundur nga donatorët besimtarë, por në mënyrë të veçantë nga donatorët e diasporës shqiptare nëpër botë –  tha ipeshkvi

Ai tha se secili prej jush e meriton një falënderim të veçantë për kontributin e dhuruar dhe për mbështetjen, duke i quajtur miq të katedrales. Por megjithatë, Imzot Doda veçoi kardinalin shqiptar Ernest Simoni, i cili e ka pri meshën e shenjtë, duke e quajtur një hero të kishës dhe të Shqipërisë, mbi kurrizin e të cilit është thyer shkopi dhe diktatura komuniste. Ipeshkvi e porositi Kardinalin që t’i shpreh falënderimet e kishës sonë Papa Françeskut e ta përcjell krejt dashurinë për të.

Ipeshkvi e falënderoj p. Brian, postulatorin e kanonizimit të Nënë Terezës, i cili e ka sjell reliktin e gjakut të Nënë Terezës, gjakun e gjakut tonë. Nuk la pa i përshëndetur edhe mysafirë shtetërorë nga vendi dhe rajoni, njerëz të kulturës dhe personalitete publike, korin diplomatik në Kosovë etj. E një përshëndetje dhe falënderim të veçantë e shprehi ndaj paraardhësit të tij, të ndjerit Imzot Mark Sopi, nismëtarit të kësaj kishe, dhe presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili e deshi dhe e përkrahi plotësisht këtë katedrale. Ipeshkvi falënderoi edhe shumë njerëz tjerë që kanë mundësuar ndërtimin e kësaj Katedrale, duke përfshirë katolikë e jo katolikë nga trojet shqiptare dhe diaspora, si dhe donatorë tjerë ndërkombëtarë.

Në mbarim të fjalimit Ipeshkvi lexoi dekretin e shugurimit dhe pastaj ia dorëzoi famullitarit Don Fatmir Koliqi, për ta ruajtur në Arkivin e Shenjtërores./drita.info

 

Fotografitë: Besim Ndau, Antigona Gegaj, Kristian Nov, Lekë Laçi & Faustina Dushi

Shpërndaje

Comments are closed.

« »